Veliaj humbet në gjykatë, detyrohet të japë informacion

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë fituar gjyqin me Erion Veliajn në lidhje me mosdhënien e informacionit dhe një vendim i Gjykatës Administrative e detyron kryetarin e Bashkisë të zbatojë ligjin, të informojë këshilltarët për çdo kërkesë që ata kanë.
“Ashtu sikundër ju kemi bërë me dije, prej më shumë se 2 muajsh kemi qenë të detyruar si rezultat i teatrit absurd të z. Veliaj, për të fshehur çdo informacion, jemi detyruar t’i drejtohemi Gjykatës Administrative. Me vendimin e saj na dha plotësisht të drejtë dhe për fat të keq detyron kryetarin e Bashkisë që të respektojë dhe zbatojë ligjin. Besoj se ky analfabetizëm institucional është krejtësisht i patolerueshëm dhe i panevojshëm. Të detyrohen të kërkojnë nga gjykatat që të zbatohet ligji, neni 51, pika 3, që këshilltari ka të drejtë të informohet me kërkesën e tij për gjithçka dhe në çdo kohë nga kryetari i Bashkisë, besoj se është totalisht absurde. Por, për fat të mirë, jo vetëm të këshilltarëve, por për fatin e mirë të qytetarëve, vendimi i gjykatës nuk i lë asnjë ekuivok kryetarit në detyrë të Bashkisë, por të zbatojë në mënyrën më rigoroze, ligjin”, u shpreh kreu i këshilltarëve demokratë, Leonard Olli.
Olli shprehet se Veliaj nuk jep informacion, për shkak të aferave korruptive që ka kryer në një vit në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Ai ka frikë nga transparenca, sepse transparenca që do të bëjë ndaj çdo vendimmarrje dhe menaxhimit dhe administrimit të Bashkisë, do të provojë skandalet e tij, aferat e tij korruptive me klientët e pushtetit personal apo të Kryeministrit Rama. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi, në mesnatë, vendimin për ngritjen e çmimit të biletës, ka frikë nga transparenca Erion Veliaj dhe prandaj nuk u konsultua me qytetarët për këtë veprim që e ka detyrim ligjor. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi në kundërshtim me ligjin paketën fiskale, pa e konsultuar fare me grupet e interesit dhe sot më shumë se kurrë biznesi po vuan këtë paketë shkatërruese që i ka çuar ata në prag falimentimi. Ka frikë nga aferat korruptive të klientëve të betonit prandaj nuk bën transparencën e ndërhyrjes brutale tek Liqeni Artificial apo të betonizimit të Sheshit ‘Skënderbej’ apo edhe të kullës me stadium që për fat të keq ka filluar të ndërtohet duke rrënuar një trashëgimi kulturore historike në zemër të Shqipërisë”, tha Olli. Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj ka marrë notën 4, në vlerësimin që u është bërë për periudhën njëvjeçare të qeverisjeve vendore, në raport me transparencën me publikun.
“Nuk besoj se ka bilanc më negativ se kaq. Nuk besoj se aferat korruptive të tij do t’i mbulojë duke mos dhënë informacion. Me këtë rast i them kryetarit të Bashkisë, që të mos hezitojë e të mos ketë aspak frikë të përgjigjet, sepse me dëshirën e tij ose jo, opozita në Këshillin Bashkiak do të bëjë të pamundur për të zbardhur aferat. Vetëm pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shpërdorime të rënda të detyrës në ndërhyrjen në Unazën e Vogël dhe në të drejtat esenciale të njeriut sikundër kishin të bënin me çështjet e dëmshpërblimeve nga ndërhyrjet apo prishjet e banesave. Kjo është arsyeja që z. Veliaj nuk bën transparencë. Do të përballet me gjithçka sepse në fund të fundit kemi bërë një betim dhe kemi detyrimin moral dhe ligjor ndaj çdo qytetari të Tiranës, të mbrojmë me çdo kusht interesin publik”, deklaroi Olli.

Artikulli paraprakBisedimet Prishtinë-Beograd, takimi në Bruksel, Tahiri: Serbia po bllokon
Artikulli tjetërOMONIA denoncon masakrën Rama me ndërtimet në Himarë