Veliaj i dha miliona euro tendera/ Rama i jep leje ndërtimi dhëndrit të Qefalias

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) tregojnë se kompania ndërtuese “Al-Point” e Aleksandri Vasilit ka shënuar një lloj rekordi “unik” në llojin e vetë-në rreth 14 vjet ekzistencë të saj, ajo është vendosur plot 10 herë nën sekuestro nga përmbaruesit privatë, për detyrime të pashlyera ndaj palëve të treta.

Por, paralelisht me këtë rekord “negativ”, shoqëria private ka shënuar rekord “pozitiv” në përfitimin e të mirave publike dhe kjo, mesa duket, falë lidhjeve të duhura familjare e politike.

Aleksandri Vasili është dhëndër në familjen e Kujtim Qefalia, ish-kryetarit jetëgjatë dhe tashmë administratorit të Njësisë Administrative Dajt dhe deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Këto lidhje familjare duket se i kanë siguruar sipërmarrësit Vasili që të sigurojë një numër shumë të lartë kontratash me bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj, si edhe nga lejet e firmosura prej kryeministrit Edi Rama.

Së fundmi, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e Ramës, ka miratuar “Leje Zhvillimi për objektin: “Sun Moon Star”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Al Point” sh.p.k”.

Për momentin, nuk ka shumë të dhëna për këtë objekt, por duket se është “dhurata” e radhës që pushteti i “Rilindjes” ndan për pinjollët e tij.

WhatsApp Image 2024 08 09 at 10.04.37 AM 1
Në foto: Vendimi i KKT-së për subjektin “Al-Point” të Aleksandri Vasilit

Raportime të mëhershme mediatike kanë treguar se shoqëria “Al-Point” në pronësi të Aleksandri Vasilit ka përfituar një numër të konsiderueshëm tendera publike, si edhe leje ndërtimi për godina në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Informacioni i përpunuar nga portali i specializuar për transaksionet e Thesarit tregon se “Al Point”, vetëm gjatë periudhës 2019-2024, ka përfituar rreth 3.8 miliardë lekë të vjetra ose 3.8 milionë euro fonde publike. Interesant është fakti që të gjitha këto kontrata janë lidhur me Bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj.

WhatsApp Image 2024 08 09 at 10.04.37 AM 2
Në foto: Transaksionet e Thesarit të Shtetit për kompaninë “Al Point”

Tenderi më i rëndësishëm i fituar nga “Al Point” e Aleksandri Vasilit në Bashkinë e Tiranës është ai për procedura Rindërtimi, zhvilluar në fund të vitit 2020.

Sipas të dhënave zyrtare, “Al Point” dhe “Gjoka Konstruksion” u shpallën fitues të tenderit me vlerë rreth 5 milionë euro, me objekt “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 19 në zonën zhvillimore “5 Maji”.

WhatsApp Image 2024 08 09 at 10.04.37 AM
Në foto: Tenderi afërsisht 5 mln euro për “Al Point”

Në këtë tender morën pjesë 12 operatorë ekonomikë, nga të cilët 5 u skualifikuan.

Leje pallatesh për “dhëndrin e Qefaliajt

Krahas tenderave, shoqëria “Al Point” e Aleksandri Vasilit rendit edhe disa leje ndërtimi, të përfituara, kryesisht me firmën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

– Në 10 tetor 2011, “Al Point” merr lejen për ndërtimin e një godine banimi pesë-katëshe pranë shkollës 9 vjeçare Qesarakë;

– Në 14 nëntor 2011, kompania e Aleksandri Vasilit, i cili në atë kohë ishte vetëm 25 vjeç, merr leje ndërtimi për godinë shtatë kate pranë restorant Freskut.

– Në datën 25 maj 2012, “Al Point” merr edhe një tjetër leje ndërtimi për godinë banimi pesë kate në Shkozë.

Të treja këto leje i përkasin territorit të ish-komunës Dajt, e cila në atë kohë drejtohej nga Kujtim Qefalia, vjehrri i Aleksandri Vasilit,

Në datën 7 dhjetor 2020, Al-Point regjistron në QKB adresën dytësore për ndërtimin e një objekti dhe shërbimi me 2.6 dhe 7 kate me 2 dhe 3 kate parkimi nën tokë te rruga e Dibrës.

Tre muaj më vonë, në datën 11 mars 2021, kjo shoqëri regjistron adresën dytësore për ndërtimin Godinë Banimi dhe shërbimi 1.6 dhe 7 kate me dy kate parkimi nën tokë.

Në të njëjtin muaj, pra në datën 24 mars 2021, “Al Point” regjistron edhe adresën e ndërtimit të godinë banimi 5 dhe 1 kat nëntokë, te lagja 5 maji.

Kjo është godina e tenderit 4.8 milionë euro nga programi i rindërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës me firmen e Erion Veliaj. Këtë tender shoqëria “Al-Point” e Aleksandër Vasilit e mori në datën 26 nëntor 2020, fiks një vit pas rënies së tërmetit të nëntorit 2019./ Boldnews.al

Artikulli paraprakDavid Packouz rrëfen takimet me zyrtarë të lartë shqiptarë
Artikulli tjetërPresidenti Nikson, model i së djathtës konservatore