Veliaj i mori miliona euro dhe e mashtroi biznesmenin me lejen, PD: Vendin e ka në burg

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me denoncimin e bërë nga biznesmeni Ramiz Kelmendi, i cili me anë të një letre e akuzonte kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, për ndërhyrje të paligjshme, duke i pezulluar punimet, ndonëse kishte një leje të miratuar nga Bashkia.
Në një deklaratë për mediat Departamenti Antikorrupsion në Partinë Demokratike thotë se për zonën në fjalë, (Mëzez, kthesa e Kamzës) qysh në 2013 është në fuqi projekti i financuar nga IFC për ndërtimin e një terminali multimodal, për të cilin Veliaj pohoi vullnetin për zbatimin.
Për këtë PD ngre pyetje për kryebashkiakun Veliaj, se përse pranoi pagesën e taksës prej 1,2 mln euro nga subjekti privat, kur nuk kishte vullnet të lejonte zbatimin e lejes së miratuar nga ajo vetë.
Ndërsa në përmbyllje të këtij reagimi PD, pyet Veliajn nëse ai është në dijeni se sa mund të dënohet për veprën penale që ka konsumuar.
Reagimi i PD
PËRSE MIRATOI LEJE NDËRTIMI VELIAJ NË NJË TRUALL PËR TË CILIN KISHTE PROJEKT?!
Dje z. Ramiz Kelmendi, me anë të letrës publike drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, akuzonte këtë të fundit për ndërhyrje të paligjshme, duke pezulluar punimet e ndërtimit, ndërtim për të cilin vetë ky institucion ka miratuar leje ndërtimi në 31 tetor 2018.
Pa hyrë në themel të konfliktit mes palës private dhe palës shtetërore, nga verifikimet rezultojnë fakte për të cilat Bashkia Tiranë ka detyrimin ligjor të japë shpjegime.
Së pari, për zonën në fjalë, (Mëzez, kthesa e Kamzës) qysh në 2013 është në fuqi projekti i financuar nga IFC për ndërtimin e një terminali multimodal. http://acp.al/projects/119/Terminali-Multimodal/
Pikërisht në zonën objekt i projektit, në 31 tetor 2018, Bashkia Tiranë ka miratuar leje ndërtimi për qendër tregtare, në favor të shoqërisë “Elkos” shpk.

Shoqëria përfituese e Lejes së sipërpërmendur, në vijim të miratimit të saj dhe në përputhje me detyrimin ligjor, ka kryer pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, me vlerë 157,977,643 lekë (1,25 mln Euro).
Në reagimin e tij kryetari i Bashkisë Tiranë tërthorazi pranoi se leja e ndërtimit e lëshuar prej tij, nuk mund të zbatohet. Për këtë ai përmendi falsifikime dokumentash e marifete.
Por në të vërtetë Bashkia Tiranë në 2016 ka qenë pjesë e procesit të njohjes të pronësisë, duke kryer ajo vetë afishimin publik, me fuqi ligjore pranë Njësisë Administrative Kashar.
Së dyti, siç u përmend më sipër dhe siç e pohoi vetë titullari i institucionit, për këtë zonë ka një projekt në fuqi. Vetë z. Veliaj pohoi vullnetin për zbatimin e tij.
Pyetjet që lindin natyrshëm janë:
Përse Bashkia Tiranë miratoi leje ndërtimi në zonë për të cilën ka një projekt që pret të zbatohet?
Përse Bashkia Tiranë pranoi edhe pagesën e taksës prej 1,2 mln euro nga subjekti privat kur nuk kishte vullnet të lejonte zbatimin e lejes së miratuar nga ajo vetë?
Kush mban përgjegjësi për shkeljet e të drejtave që gëzon subjekti privat, të drejta të cilat i ka fituar duke respektuar procedurat ligjore?
Përpara një skandali të tillë shumëplanëshe, reagimet e z. Veliaj janë thellësisht të pamjaftueshme për të justifikuar ligjërisht shkelje, të cilat konfigurojnë vepër të pastër penale.
A ka një informacion të përgjithshëm kryetari i Bashkisë Tiranë se sa vite heqje lirie rrezikon për veprën penale që ka konsumuar?
Edhe pse shpresëpak, mbetemi në pritje të një reagimi serioz të autorit të këtij shpërdorimi me detyrën dhe cënimi të të drejtave të njeriut.

Exit mobile version