Veliaj jep edhe pesë shkolla të tjera me koncesion klientelës

Është shpallur fituesi i tenderit për ndërtimin me koncension të 5 shkollave në Tiranë. Në faqen online të Open Data janë publikuar të dhënat ku thuhet se: Ky tender është fituar nga bashkimi i operatorëve “Agikons shpk”; “Met engeneering” dhe “Zenit & co shpk”. Kompania e ndërtimit “Agikons” është e njëjta që ka ndërtuar edhe komplekset e pallateve të njohura si Kodra e Diellit. Bashkia e Tiranës kishte vënë në dispozicion 1.9 miliardë lekë, ndërsa firmat fituese bënë ofertën për 1.6 miliardë lekë (1 600 660 000 lekë) pa TVSH. Konkurrentë (humbësit) ishin edhe shoqëritë e ndërtimit “SENKA” shpk; “FILIPETI s.p.a” dhe “Bruci shpk”. Bashkia e Tiranës më herët kishte deklaruar se do të ndërtojë 17 shkolla të reja përmes koncesionit (Partneriteti Publik Privat). Procesi i parë i tenderimit tashmë ka përfunduar dhe do të nisë puna për ndërtimin e 5 shkollave të para. Në kushtet e kontratës parashikohet që privati të ndërtojë me paratë e tij shkollat, t’i pajisë dhe mirëmbajë për 7 vite, ndërsa Bashkia e Tiranës do ta paguajë me këste.

5 shkollat e reja do të ndërtohen në zonën Tirana 1, përkatësisht: Tre objekte arsimore janë vendosur në Njësinë Administrative nr. 11 dhe dy objekte arsimore në Njësinë Administrative nr. 9. Bashkia e Tiranës ka vendosur të aplikojë formulën e shumëdebatuar të partneritetit publik privat, të koncesionit edhe për shkollat. Fondi i vënë në dispozicion është 1.9 miliardë lekë të reja pa TVSH, të cilat do të paguhen nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe do të shkojnë për projektim, ndërtim, mobilim, mirëmbajtje, mbikëqyrje dhe kolaudim. Aplikimi i kësaj formule kundërshtohet nga ekspertët e ekonomisë dhe politikave fiskale. Zef Preçi, drejtor i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë si një praktikë që ia delegon barrën e borxhit qeverisë pasardhëse. “Çdo Parlament, si ai i Bashkisë pra Këshilli Bashkiak, qoftë ai i qeverisë, është zgjedhur për të qeverisur për një periudhë 4-vjeçare, kështu që edhe projektet e mëdha strategjike duhet të jenë brenda këtij mandati. Por ky është një koncesion që është parashikuar që të nisë, pasi të mbarojë mandati i kryetarit aktual të Bashkisë dhe kjo nuk është e drejtë. Ndaj unë e shoh këtë koncesion si një shtim artificial të borxhit publik, pavarësisht se nga ku do të dalin fondet nga qeveria apo nga Bashkia”, thotë Preçi.

Artikulli paraprakTirana e parafundit në Europë për fuqinë blerëse
Artikulli tjetërBerisha: Ka vetëm komb shqiptar, tezat për komb kosovar janë titiste