Veliaj “kërcënon” qytetarët e Tiranës: Do ta pësoni si banorët e “Astirit”, Teatri do të shembet!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj nuk ka kursyer kërcënimet në ditët e fundit të 2019 ndaj të gjithë atyre që sipas tij do të guxojnë të pengojnë zhvillimin e qytetit.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit, Veliaj ka zgjedhur që t’i çojë një mesazh paralajmërues qytetarëve që kundërshtojnë politikat e tij, në atë që e trajton si zhvillimi i Tiranës.

Mesa duket paralajmërimi i drejtohet Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që prej më shumë se 1 viti kundërshton projektin për shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri, por të shoqëruar me kulla shumëkatëshe, që iu dhanë kompanisë Fusha.

“Sot dua ta bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin do të ketë fatin dhe përfundimin e asaj që ndodhi para pak ditësh te Astiri.

Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty.

Duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës”, tha Veliaj. Siç duket kryebashkiaku që është vënë në lojë dhe është tallur publikisht nga Kryeministri, që herë e trajton si bojaxhi të natës dhe herë si pastrues kanalesh, ka gjetur qytetarët e pambrojtur për t’i paralajmëruar dhe kërcënuar.

Në vijim ai tha se projekti i Teatrit Kombëtar do të marrë udhë me buxhetin 2020.

”Kemi ardhur në fazën ku ishin dy muaj më parë me Astirin. Teatri i vjetër do të prishet dhe teatri i ri do të ndërtohet. Toka pas teatrit është pronë e Bashkisë dhe do të përdoret vetëm për teatrIn. Të gjithë ata që kërcënuan ‘do ta shohim, do ta shohim në zgjedhje’, ne zgjedhjet i bëmë dhe nuk pamë gjë.

Dhe përsa u përket atyre që thanë ‘hë me ra teatri, nuk i ndodhi gje e patë’. Normal është një muall kashte me kunja shkrepësesh. Sa u shembën ata mullarët në Ndroq do shembej edhe ai. Gjithsesi kur të zgjohen ata të mbledhurit aty nga gjumi, teatri do ketë mbaruar. Mund të ishin mbajtur mend për art, por eksituesit do të mbahen mend për sherre”, u shpreh Veliaj.

Pra, Lali Eri po paralajmëron përsëritjen e të njëjtave skena si në rastin e banorëve të Unazës së Re, apo më parë atyre pranë ish-stacionit të Trenit, që u përballën me dhunën dhe gazin lotsjellës pasi kundërshtonin largimin nga banesat e tyre, pa marrë më parë dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut.

Ndaj banorëve në këto zona u ndërhy dhunshëm, madje në orët e para të mëngjesit, ku forca speciale nuk kursyen dhunën ndaj qytetarëve, përfshi këtu gra, të moshuar dhe fëmijë.

Artikulli paraprakTeliti takime me biznesin në Rrogozhinë: PD do të ulë taksat dhe çmimin e energjisë për t’i ardhur në ndihmë biznesit
Artikulli tjetërPasojat e tërmetit/ Ish-deputeti paralajmëron Ramën: Do publikojmë dokumenta shumë të rënda…