Veliaj kërkon t’i nxjerrë jashtë të prekurit nga tërmeti, banorët: “Nuk dalim, vetëm me na qit të vdek”

“Banorët e prekur nga tërmeti, të strehuar në një pallat tek “Unaza e Re” duhet të lënë banesat”. Këtë urdhër u ka dërguar sot, Policia bashkiake e Tiranë,s banorëve të goditur nga tërmeti, strehuar bujarisht nga banorët e Unazës së Re që në nëntor 2019. Pallati është pronë e banorëve protestues, që për mbi një vit luftojnë për t’u kompensuar nga shteti.

Por, të pastrehët që e kanë marrë këtë lajm në kulmin e dimrit, pas traumës së fortë që kaluan, thanë për “News24” se vetëm të vdekur do të dilnin prej andej, pasi ata nuk kishin asnjë mundësi të strehoheshin diku tjetër.

“Më strehuan këtu se m’u prish shtëpia me qira që kisha tek Rruga Ura. Nuk dal që këtu, vetëm me më qit të vdek. Unë e vdek jam se jam. Jam unë dhe 4 fëmijët me 66 mijë lekë”, tha një prej banorëve që qëndron në këtë pallat.

Ndërkohë, një tjetër grua me lot në sy tregon se ka aplikuar për bonusin e qirasë, ndërkohë që nuk ka mundësi që të gjejë shtëpi tjetër, pasi burrin e ka invalid dhe fëmijët të sëmurë.

Një konflikt i ri, një përballje e re me Policinë po shfaqet sërish në Unazën e Re: katër furgonë të Policisë bashkiake dhe asaj të Shtetit i kanë kërkuar sot zyrtarisht, 70 banorëve të dëmtuar nga tërmeti, që janë strehuar nga protestuesit e Unazës së Re, që të dalin nga apartamentet pasi pallati do të shembet.

Gazetari Ermal Rizaj i Syri.net ka dëgjuar problemet e këtyre banorëve që pas traumës së tërmetit sot janë rënduar prej përballjes me Policinë , që u ka ardhur në hyrje të pallatit dhe kërkon të dalin jashtë.

“Nuk kemi ku të shkojmë, të na japin shtëpi se ndryshe nuk dalim”, kjo qe përgjigja që dhanë thuajse njëzëri këta banorë, që ishin me shumë probleme sociale, ekonomike. Të pyetur nga Syri.net, ja cilat qenë problemet e tyre:

Zotëria: “Dilni se godina do të shembet! Erdhën katër furgonë policie. Po ne nuk kemi ku të shkojmë, sepse na është prishur shtëpia. Jemi nga një fshat i Shijakut. Më herët kam qënë në Tufinë, tre javë dhe pastaj erdhëm këtu, na strehuan këtu. Na kanë ndihmuar, na kanë dhënë për të ngrënë. Ne nuk kemi ku të shkojmë, shtëpia më është shkatërruar komplet. Jemi me fëmijë të vegjël, ku të shkoj në mes të dimrit?! Jam vetë i katërt! Shtëpisë i kanë vënë shiritin, nuk mund të hyhet brenda.”

Bashkëshortja e tij: “Nuk dal nga kjo godinë, vetëm po të na nxjerrin të vdekur. Pa na dhënë shtëpi….I kemi përballuar këto javë me ndihmat nga “Fundjava ndryshe”, nga Unaza e Re. Instancat e shtetit nuk kanë ardhur as për të na pyetur, jo për ndihmë.”

Zonja me 4 fëmijë: “Unë kam jetuar në shtëpi me qira, tek Rruga Ura. Kam fëmijë jetimë. Faleminderit zotërinjve që na strehuan këtu. Ku të shkoj unë vetë i katërt me fëmijët? 66 mijë lekë të vjetra marr përkrahje sociale. Nuk kam ndihmë. Kërkoj nga shteti, të paktën një dhomë e kuzhinë për katër jetimët që kam. Dhe kërkoj për gjithë të tjerët, sepse si unë janë dhe të tjerët. Fëmijët shkojnë në shkollën këtu afër “Dhora Leka” po nuk dimë ku do të shkojmë. Na thanë rrini gati se do të dilni. Veç të vdekur të dalim, se s’kemi ku të shkojmë.”

Zonja e sëmurë: “Unë vij nga Instituti Bujqësor, se shtëpia ka dalë e pabanueshme. Më thanë shko e merr bonusin, po ç’ta bëj bonusin unë? Unë kam burrin e sëmurë e çoj në spital, jam vetë me spoliatrozë…Dy fëmijët janë të sëmurë me azëm. Pse më jep bonusin zotëri, më jep shtëpi?! Unë mezi rri në këmbë. Faleminderit që ma jep, por më jep shtëpinë që të shkoj të futem me fëmijë. Faleminderit këtij pronari këtu që na ka strehuar. E rëndë për ne që të hamë bukën e tjetrit… Mua nuk më dhanë kemp, kurse burrit i kanë dhënë 100 mijë lekë. Ilaçe ai, ilaçe unë! Unë nuk kam ku të shkoj, vetëm kur të shembet godina të më zërë dhe mua. Ta nxjerrësh invalidin është kollaj, por për ta ndihmuar qenka zor!” /SYRI.NET

auto 77271641 604148220324619 264470110264098816 n1578400633

Exit mobile version