Veliaj, koncesion 15.5 milionë eurosh për Terminalin e Autobusëve

Koncesionet janë shndërruar në mjetin më të tre preferuar të Ramës dhe pushtetarëve të tij për zhvatur miliona para. Bashkia e Tiranës hapi dje garën për ndërtimin e një Terminali të ri të Transportit Publik, nëpërmjet koncesionit me Partneritet Publik Privat (PPP) në njoftim të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik. Terminali do të jetë i vendosur në një sipërfaqe 85,000 metra katrorë përgjatë autostradës Tiranë- Durrës dhe vlera e investimit parashikohet 15,5 milionë euro. Bashkia e Tiranës i ka ftuar operatorët ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare tenderimi për Partneritetin Publik Privat, për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të terminalit të ri dhe mirëmbajtjen, si dhe menaxhimin e mëvonshëm. Bashkia e Tiranës sqaron se autoriteti kontraktor do të marrë parasysh vetëm ofertat e atyre tenderuesve apo konsorciumet e tenderuesve, të cilët kanë kaluar kufijtë minimalë, të përcaktuara në kriteret e kualifikimit. Gjatë ndërtimit të terminalit, Bashkia e Tiranës bën me dije se ka si objektiv përmirësimin e lëvizshmërisë së përgjithshme, duke siguruar një terminal me kapacitet të plotë transporti, ku autobusët ndërqytetës do të shkarkojnë pasagjerë për në autobusë urbanë dhe taksi përgjatë korridorit kryesor të qytetit në pjesën veriore, perëndimore dhe jugore të vendit, duke zvogëluar kështu bllokimet e trafikut në qendër të qytetit, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e konsumit të karburantit për transport publik. Autoriteti kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë, vendosur përgjatë korridorit kryesor që çon në veriperëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afatgjatë ofertuesit fitues për të ndërtuar, për të operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e operatorëve dhe udhëtarëve. Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga kompania që do të fitojë garën për ndërtimin e terminalit. Bashkia e Tiranës përcakton se tenderimi për kontratën është i hapur për firmat dhe sipërmarrjet e përbashkëta të firmave të çdo vendi, të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara në shtojcën 9, e cila nuk është bërë publike.

Artikulli paraprakRama, drogim Europës me hashash, reagimi i KE
Artikulli tjetërVdes në qelitë e komisariatit të Lushnjes, dëshmi për dhunën