Veliaj në burg, familjarë e bashkëpunëtorë në SPAK, gazetari Hoxha: Kemi një skemë të mirëfilltë korruptive! 360 faqëshi në Gjykatë, maja e ajsbergut!

Teksa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj prej 10 ditësh vijon të jetë i arrestuar në burg, gjatë ditës së sotme kanë vijuar që në dyert e Prokurorisë së Posaçme të paraqiten familjarë dhe biznesmenë të afërt me të, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me hetimet që ende po vijojnë.

Për të kuptuar më shumë mbi këto hetime, në një intervistë për “Ora Neës”, gazetari Poli Hoxha u shpreh se dosja hetimore ka dëshmuar për një skemë të mirëfilltë korruptive të ngritur nga çifti Veliaj – Xoxa.

“Unë jam nga të parët që e kam deklaruar arrestimin e Veliajt nga studiot tuaja dhe ata që e përkrahin atë thonin se kjo ditë nuk do vijë, pasi Veliaj nuk ka bërë gjë, jo është i fuqishëm.

Pavarësisht kësaj hetimet kishin 1 vit që kishin nisur, dosja ishte e kopsitur dhe kjo që pamë në thelbin e këtij hetimi të SPAK-ut është një skemë e mirëfilltë korruptive.

Kështu që ai 360 faqëshi që shkoi në Gjykatë vetëm për të kërkuar masën e arrestit është maja e ajsbergut të këtyre hetimeve, sepse janë mijëra faqe hetimi vetëm për këtë çështje e cila ka filluar si pastrim parash dhe produktit të veprave korruptive.

Nisur nga një lajm i ditës së sotme, ku gjyqtarja e caktuar për ta gjykuar këtë dosje ka marrë raport mjekësor, e çfarë tregon kjo? Kjo tregon që intimidimi, presioni i madh publik, protestat, gati 99% e medieve duket sikur kanë qenë në listë-pagesën e kryetarit të Bashkisë sepse të gjithë merren me prokurorin dhe gjyqtarin dhe kjo është diçka skandaloze, e papranueshme dhe unë rekomandoj që ashtu siç paratë e korrupsionit të bashkisë kanë shkuar për përfitime të familjarëve të Erion Veliajt dhe të tij personalisht, por duhet parë se nga këto para kanë shkuar edhe tek mediat.

Sepse ne e dimë që vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj që është në hetim është një nga kontrolluesit më të mëdhenj dhe të PR-it mediatik.

Kështu që unë e shikoj situatën që SPAK-u është testuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, por kjo është një betejë.

Por në dijeninë time dhe ashtu siç e raportoi kolegu jonë dje Elton Qyno, që shumë shpejt do të ketë masa të reja për z. Veliaj dhe grupin e tij për incineratorin e Tiranës që është njeriu kryesor në këtë çështje. Kështu që po citoj shprehjen e z. Rama që “nuk kemi parë asgjë akoma””, u shpreh ndër të tjera gazetari Poli Hoxha.

Exit mobile version