Veliaj në krimin e landfillit po i fsheh prokurorisë dosjen

Për ngjarjen tragjike, atë të vrasjes në punë të një 17 vjeçari në landfillin e Sharrës, bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj kanë folur shumë pak, për të mos thënë aspak. Vetë Veliaj, që nuk lë rast pa folur dhe pa dalë nëpër ekrane, ka shmangur mediat dhe nuk ka shkuar as për ngushëllim në familjen e Ardit Gjoklajt që humbi jetën pikërisht në një terren pune që duhej të kontrollohej nga bashkia, qoftë edhe për të kërkuar një ndjesë njerëzore. Pak e habitshme kjo për një politikan si Erion Veliaj, që është vetshpallur si “mik i të varfërve dhe njerëzve në nevojë”.
Merret lehtë me mend se çfarë do të kishte bërë Erjoni në kamera nëse një rast i tillë do t’i kishte ndodhur kundërshtarëve politikë. Nga spotet televizive e deri tek fotot me lot në sy, do të përdorte gjithçka për të fituar pak kapital politik.
Por në skadalin e fundit të Sharrës, Erion Veliaj është fshehur dhe bashkia ka bërë një deklaratë sa për të thënë, për t’ia faturuar përgjegjësinë, firmës që operonte në landfill. Erioni nuk është fshehur thjesht se ky rast ndodhi në një veprimtari që kryhej në kuadër të institucionit të ij, por sepse Bashkia, me shumë gjasë, rezulton përgjegjëse për gjithë praktikën e ndjekur në biznesin e plehrave në kryeqytet dhe në landfillin e Sharrës.
Pikërisht kjo përgjegjësi shpjegon se përse prej gati dy javësh, Bashkia nuk bën publike (ndonëse e ka detyrim) marrëveshjen me një kompani publike italiane të Veronës, në bazë të së cilës është krijuar shoqëria Eco Tirana (51% të aksioneve bashkia Tiranë dhe 49% italianët), kompani kjo që ka marrë të drejtën e menaxhimit të mbetjeve për kryqytetin dhe më pas ricklimin e tyre. Me po të njëjtin refuzim, Erion Veliaj, nuk bën publike as kontratën që Eco Tirana ka lidhur me kompaninë “3R”, e cila u angazhua për përpunim e mbetjeve që Eco Tirana depozitonte në landfillin e Sharrës dhe për të cilën punonte edhe 17 vjeçari Ardit Gjoklaj.
Këto kontrata do të sqaronin nëse krijimi i shoqërisë Eco Tirana u bë mbi baza ligjore, përse u zgjodh një kompani nga Verona dhe si u bë ndarja e kapitalit mes ortakëve. Gjithashtu do të sqarohej edhe se si u bë përzgjedhja si nënkontraktor i kompanisë “3R” në pronësi të një drejtuesi lokal të PS. A u bë tender dhe kush e nënshkroi kontratën në emër të Eco Tiranës.
Burime të lapsi.al thanë se ka dyshime të bazuara se të paktën në një rast është shkelur ligji për krijimin e shoqërisë Eco Tirana. Sipas ligjit, njësive vendore u ndalohet të mbështesin financiarisht një shoqëri tregtare, përveç rastit kur shoqëria zotërohet plotësisht nga vetë Njësia Vendore në 100% të aksioneve të saj. Në rastin e Eco Tiranës, bashkia ka vetëm 51% të aksioneve dhe përveç se i ka kaluar shoqërisë prona publike si mbetjet urbane pa kundërshpërblim, ka shkuar më tej në shkelje të ligjit duke i akorduar që vitin e parë kësaj shoqërie një shumë financiare prej 2.5 milionë Euro pa TVSH.
Një tjetër fakt i dyshimtë, që madje nuk gjen shpjegim as në QKR, ka të bëjë me moszgjedhjen nga Asambleja e Ortakëve të shoqërisë “Eco Tirana” të administratorit ekzekutiv të shoqërisë. Nuk kuptohet si QKR e ka regjistruar këtë shoqëri kur mungon adminstratori, i cili është personi që përgjigjet përpara ligjit për çdo veprimtari të shoqërisë si dhe për të lidhur kontrata ne të tretët. Atëherë kush e ka lidhur kontratën (nëse ka një të tillë) me kompaninë “3R” e cila kryente veprimtarinë ricikluese në Landfillin e Sharrës? A ka një përgjigje për këtë Eco Tirana dhe bashkia si akisonere kryesore e saj?
Këto dyshime bëhen edhe më të forta, pasi burime të lapsi.al mësuan se bashkia e Tiranës po refuzon që kontratat apo mërrëveshjet e mësipërme t’ia dorëzojë edhe prokurorisë.
Pas vdekjes së 17 vjeçarit, Ardit Gjoklaj, organi i akuzës nisi hetimet edhe për mënyrën si e fitoi kompania “3R” administrimin e landfillit, por bashkia e Tiranës nuk ka dorëzuar në prokurori asnjë dokument që provon se Edurim Teqja, aktualisht person i shpallur në kërkim, e fitoi sipas ligjit administrimin e landfillit, ku selektonte mbeturinat.
Prokurori Julian Zonja, iu drejtua Bashkisë së Tiranës me një urdhër sekuestrimi, ku kërkoi t’i vihet në dispozicion e gjithë praktika e funksionimit të Sharrës. Në vendimin e sekuestrimit, prokuroria kërkoi kontratën me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Veronës në Itali për administrimin e mbetjeve urbane si dhe dosjen e plotë, të kontratës së nënkontraktimit, që Bashkia e Tiranës bashkë me kompaninë italiane kanë bërë me shoqërië 3R, që administrohen nga personi i shpallur në kërkim, Edurim Teqja.
Dyshimet janë se Erjon Veliaj me vartësit e tij mund të mos kenë fare një praktikë ligjore të zhvillimit të tenderit për mënyrën e dhënies në administrim të landfillit të Sharrës. Mungesa e një administratori zyrtar të kompanisë Eco Tirana në regjistrin e QKR, ka bërë që prokurori të kërkojë gjithashtu edhe nga Qendra e Regjistrimeve të Biznesit formularët dhe dokumentet që kompanitë, si ajo italiane ashtu edhe shoqëria “3R”, kanë dorëzuar pranë saj.

“Lapsi.al”

Artikulli paraprakPD padi penale Veliajt për landfillin e vdekjes së 17-vjeçarit
Artikulli tjetërNga piktor dështak në retushier diletant e qesharak!‎