Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijon pagesën qindra mijëra euro për inceneratorin i cili ende nuk ekziston si objekt.
Veliaj ka kryer pagesën e radhës pikërisht në orët e fundit të vitit 2024, duke alokuar 750 mijë euro në favor të shoqërisë koncesionare të landfillit të Sharrës Integrated Energy bv.
Afera e inceneratorit të Sharrës po hetohet prej vitit 2020 nga SPAK, ndërkohë ky organ akuze edhe pse kane kaluar më shumë se 4 vjet, ka marrë nën hetim dhe ka dërguar për gjykim zyrtarë të nivelit të ulët, të cilët janë marrë me procedurat koncesionare.
Gjithashtu, Veliaj vijon pagesën e qindra mijëra eurove për djegësin fantazëm të Sharrës.
Madje, Veliaj tregon edhe një natyrë sfiduese, duke kryer pagesën e radhës pikërisht në orët e fundit të vitit 2024, si një dhuratë për projektin korruptiv, ndër më të mëdhenjtë në historinë 30 viteve të fundit.
Në 31 Dhjetor 2024, Bashkia e Tiranës ka paguar një faturë me vlerë 76 milionë lekë të reja ose rreth 750 mijë euro në favor të shoqërisë koncesionare të landfillit të Sharrës, “Integrated Energy bv”.
Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, kjo pagesë është kryer për depozitimin e mbetjeve urbane të Tiranës për muajin Tetor të vitit që sapo lamë pas.
Duke filluar të paktën prej muajit Gusht të vitit 2024, Tirana është përfshirë në një krizë mjedisore, ku kontenierët e mbeturinave nga qendra e deri në periferi mbeten të papastruar për orë e ditë të tëra.
Megjithatë, ajo që nuk ndryshon asnjëherë është pagesa e pandalur dhe e plotë e Bashkisë së drejtuar nga Veliaj për një shërbim që jepet gjysmak.
Bashkia e Tiranës paguan 29 euro për çdo ton mbeturina që dorëzon në landfillin e Sharrës dhe kompania koncesionare duhet të kryejë depozitimin, përpunimin dhe incenerimin e mbetjeve.
Por, më së paku, një prej proceseve, ai i djegies së plehrave, nuk kryhet, pasi impianti i incenerimit nuk ekziston, megjithëse kontrata koncesionare është nënshkruar në vitin 2016.
Afera e inceneratorit të Sharrës po hetohet prej vitit 2020 nga Prokuroria e Posaçme.
Pasi kanë kaluar më shumë se 4 vjet, SPAK ka marrë nën hetim dhe ka dërguar për gjykim zyrtarë të nivelit të ulët, të cilët janë marrë me procedurat koncesionare.
Deri më tani, prokurorët e posaçëm nuk rezulton të kenë marrë nën hetim zyrtarët e lartë politikë dhe institucionalë, të cilët i dhanë jetë projektit, me kosto koncesionare 120 milionë euro, por me një kosto reale shumë herë më të lartë.