Këshilltarët e djathtë kanë reaguar dje ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës për festimet e 28 Nëntorit. Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, bën të ditur në një reagim për mediat se, Veliaj e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”. “Nuk është e thënë që shqiptarët të përjetojnë një ditë në normalitet e për më tepër ditën e madhe të Pavarësisë dhe Lirisë, 28 Nëntorin. Erion Veliaj jo vetëm që vijon të ngrejë flamurin në Tiranë më 28 Nëntor, ndërkohë që zyrtarisht dhe me protokoll ngrihet më 26 Nëntor, jo vetëm që e ka zhbërë këtë ditë për të festuar netët e “bardha”, që kujtojnë në thelb instalimin e diktaturës komuniste, por edhe sot nuk harron të grabisë pa mëshirë tiranasit dhe çdo shqiptar që vendos të festojë këtë ditë në kryeqytetin e Shqipërisë. Me dhjetëra qytetarë denoncojnë këtë fakt sot, por askush nuk dëgjon… Kërkojnë të drejtën kushtetuese, por më kot…”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të djathtë.
Më tej në deklaratë thuhet se, edhe pse vendimi i Këshillit Bashkiak, përcakton se në ditët e pushimit zyrtar apo ditë festash nuk mund të vilen tarifat e parkimit, Veliaj dëshmon me fakte konkrete se, nuk e njeh si ditë feste dhe zyrtare pushimi 28 Nëntorin. “Gjobëvënësit e tij edhe sot jo vetëm që vjedhin qytetarët me tarifën e parkimit, por vendosin dhe gjoba të majme edhe për gjoja shërbimin e karotresit. Veliaj ka dëshmuar me shumë zell se është nga ata rilindasit që duan karrigen më shumë se Atdheun dhe bashkëkombësit, por nuk besohej se do të arrinte deri në këtë pikë!”, përfundon deklarata.