Veliaj po rekruton aktorët për ngritjen e kullës tek Teatri

Në sherrin e madh që ka plasur mes aktorëve të Teatrit Kombëtar, qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar dhe ngritjen në vend të saj të një kulle, po bëhet gjithnjë e më aktiv edhe Erion Veliaj. Burime të konfirmuara bëjnë me dije që kryebashkiaku po fton një nga një në zyrën e tij aktorë më në zë dhe me reputacion për t’i bindur se do të bëhet më e mira. Burime të sigurta bëjnë me dije se, ai ka folur gjatë me legjendën e skenës shqiptare, Robert Ndrenikën, i cili deklaroi pak ditë më parë se vetëm duke kaluar mbi trupin e tij mund të shembej godina e Teatrit. Madje Veliaj, pasi e ka siguruar se nuk do të ngrihet një Teatër i futur brenda një kulle, i ka sqaruar se shteti nuk ka mundësi tjetër ta financojë vetë Teatrin, përpos përdorimit të metodës tashmë të njohur të partneritetit publik privat. Ai i ka treguar sy më sy Ndrenikës edhe projektin e një ndërtese shumëkatëshe që do të shtrihet nga fundi i ish-godinës së PD-së deri tek parkingu i sotëm i Teatrit.
Faktin se tashmë Bashkia dispononte një projekt, Veliaj e ka pranuar edhe në fund të nëntorit 2017, kur ai tha se, “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për Teatrin e ri Kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për Teatrin Kombëtar”.

Ajo që thuhet nën zë është se, ky projekt do të realizohet nga një nga të preferuarat e kryebashkiakut, firma “Fusha” të cilës ai i dha edhe sheshin qendror të Tiranës. Sipas aktorëve, persona të afërt me këtë kompani po blejnë troje ndërtimi në hapësirën aty rrotull.
Po si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë? Si mund të tregohet projekti për një gjë që nuk është miratur ende? Si mund të bëhet pazar për toka, kur nuk dihet se cili do të jetë fituesi.
Pikërisht për të fashitur këto dilema, kryebashkiaku ka nisur një operacion joshjeje dhe manipulimi të aktorëve. Pazari i tij është i thjeshtë: “Ju skemi pse ankoheni, se për ju do të ndërtohet një godinë gjigante Teatri. Dhe kjo mjafton për të mbyllur gojën për prapaskenat e tjera”.
Vetëm kjo lojë e dyfishtë e shpjegon faktin se pse mëse një herë ministrja Kumbaro dhe drejtori i Teatrit, Çuli, kanë bërë deklarata publike se ende s’ka asnjë projekt për Teatrin dhe nga ana tjetër, Veilaj u tregon aktorëve në konfidencë se si do të jetë godina e re. /Lapsi.al/

 

Artikulli paraprakPronari i lokalit që u plagos dje në Selitë, në konflikt me Shullazin
Artikulli tjetërArtistët njëzëri kundër Ramës: Ndalni planet shkatërrimtare!