Pazari Veliaj-LSI, tradhëton Tiranën

Erion Veliaj ia ka dalë që me votat e LSI-së të rrisë çmimin e ujit me 45% për konsumatorët familjarë, duke rënduar akoma më shumë buxhetin familjar të familjeve në Tiranë. Duket se opozita e LSI-së bëhet vetëm mediatikisht, pasi me Erion Veliajn vazhdon bashkëpunimi në nivel vendor, bashkëpunim që u vu re dhe në fushatë elektorale, ku asnjë nga palët nuk ngrinin akuza për njëri-tjetrin. Në fakt, kjo forcë politike kish dërguar në Këshill vetëm dy prej këshilltarëve të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja. Madje ky i fundit u shpreh se nuk është problem rritja e çmimit, pasi duhen investime. Pro vendimit të Veliajt votuan, 25 këshilltarë të PS, 3 të PDIU dhe 2 të LSI-së. Opozita e vërtetë dhe aleatët e saj nuk morën pjesë në miratimin e këtij vendimi kriminal, madje e kundërshtoi fort. Por Erion Veliajt nuk i duheshin të gjithë këshilltarët e Metës, nuk kishte pse ishin të gjithë, mjaftonin vetëm dy këshilltarë. LSI deklaron se është në opozitë, por dje provoi të kundërtën. Ajo nuk ka folur ende asnjë fjalë kundër kryehajdutit të Tiranës. Ska folur ende as për shpërdorimet me ndërtimin e sheshit, dhe as për vrasjen e Ardit Gjoklajt 16-vjeçarit që gjeti vdekjen në landfillin e Sharrës. Kjo u konfirmua edhe një herë dje, kur anëtarët e saj votuan vendimin e Veliajt për rritjen e çmimit të ujit, vendim, që ai jo pa qëllim e la pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Me sa shihet, më shumë se mungesa e të ardhurave për të cilat flet Veliaj, uji i Tiranës do të jetë një tjetër mall jetik që do të jepet tek privati me koncesion, dhe Veliaj në këtë rast nuk po bën gjë tjetër vetëm se po shtron rrugën për më tej. Natyrisht jashtë kësaj, nuk ka se si të qëndrojë LSI, e cila e konfirmoi dhe një herë bashkëpunimin me PS-në, pavarësisht se tepsia deri më tani  me sa shihet i ka kaluar Ramës ashtu siç e kërkoi.

Tepsia e Veliajt

LSI e kishte fare të lehtë, që ta ndalonte idenë korruptive të Veliajt për të rënduar dhe më tej xhepat e qytetarëve, por nuk e bëri, duke provuar se është ende pjesë e tepsisë. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 61 anëtarë, nga ku PS ka vetëm 25 prej tyre. Pa 13 votat e LSI-së kuorumi ishte i pamundur të arrihej, dhe për vendime të rëndësishme duhet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pra duhen së paku 31 këshilltarë. PS nuk mund ta arrinte këtë shifër as me 3 votat e PDIU dhe as me një votë të FRD, e cila e çonte gjithsej në 29 këshilltarë kuorumin e përgjithshëm, por e kaloi me dy votat e partisë së Metës. LSI një ditë para se të votonte në Këshillin Bashkiak, kërkoi një seancë dëgjimore me Erion Veliajn, një veprim krejtësisht që më shumë se të bërit opozitë i dha mundësi Veliajt që të bënte propagandën e tij. Më tej, kreu i këshilltarëve bashkiakë duke dashur të bëjë opozitarin, u përqendrua te masat që do merren për familjet në nevojë dhe tek “abuzimet që bëjnë me ujin deputetët socialistë”. Në fakt, ky s’është problem thelbësor në këtë çështje. Në rast se do të donte të fliste apo të bënte opozitë, LSI mund të bënte llogaritë e saj dhe do e shikonte se justifikimet e Veliajt janë të pabaza dhe ajo çka thotë ai është vetëm një mashtrim. Në rast se do donte vërtet përmirësimin e shërbimit të ujit në Tiranë, Veliaj duhet ta niste pikërisht me këtë dhe jo të shpenzonte 28 milionë euro për ndërtimin e një sheshi për turp. Por Velija ka tjetër qëllim, ai kërkon ta kthejë në biznes personal dhe të klientëve të Ramës këtë shërbim, ashtu siç ka kthyer dhe shumë shërbime të tjera!

Rama shantazhoi një ditë më parë Metën me arrestimin e njeriut të tij

Por marrja në dorë e këtij biznesi duket se ka dhe mbështetjen e Edi Ramës, i cili po shantazhon LSI-në me anë të përjashtimeve nga puna dhe presionit duke i treguar derën e burgut. Vetëm një ditë më parë, Rama do të dërgonte për ndjekje penale një prej kandidatëve për deputet njeri i afërt me Presidentin Ilir Meta. Bëhet fjalë pikërisht për Agron Xhafën, drejtorin e Aeroportit të Kukësit dhe një prej njerëzve më të afërt të Presidentit. Rama me sa duket ka kërkuar t’i dërgojë mesazh, duke përdorur shkopin e pushtetit, një ditë përpara ngritjes së çmimit të ujit, por jo vetëm kaq. Ky mesazh është i qartë, se nëse do të kërkojë të bllokojë korrupsionin e tij, atëherë shumëkush nga forca e tij politike do të ketë fatin e Xhafajt. Për shumëkënd ky emër sdo të thotë asgjë, por Rama e di fare mirë se ku e dërgon mesazhin.  Dhe akuza është qesharake, akuzohet për dhënie pagash fiktive në prag të fushatës, ndërkohë që kjo ka ndodhur thuajse në të gjitha institucionet ku militojnë anëtarët e PS dhe LSI. Larg këtij pazari nuk qëndron as PDIU, e cila e ka kapërdirë pabesinë e Ramës në Tiranë, ku kryetari i saj Idrizi, mbeti pa mandat, dhe u rreshtua me kërkesa farsë për të justifikuar votën e saj në adresë të biznesit më të ri të Veliajt. Të dyja partitë, LSI dhe PDIU akoma shpresojnë tek zemërgjerësia e Ramës. Në rast se nuk i afron më ndonjë tjetër kockë, të paktën mos u marrë atë që kanë fituar deri më tani, dhe kjo është për të ardhur keq.

Topollaj: Nuk kishte kuorum vendimin do e ankimojmë në Gjykatë

Këshilltari i PD në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj ka thënë se qytetarët duhet të rrinë të qetë, pasi sipas tij vendimi për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë nuk ka kaluar. Topollaj shpjegon dhe arsyen duke thënë se vendimi është marrë në mungesë kuorumi, pasi kanë votuar disa individë që nuk kanë qenë këshilltarë. “Është marrë në kushtet e mungesës së kuorumit. Ky është akt hajdutërie i kryebashkiakut Veliaj. Pas taksave të qytetit, pas parkingjeve dhe biletës së urbanit, rriti dhe ujin. Pavarësisht se Veliaj pretendon, kuorumi nuk është arritur. Këshilli e nis mbledhjen vetëm nëse ka 31 këshilltarë të Këshillit Bashkiak. Zëvendësimi i mandatit, kur ikën një këshilltar dhe vjen një tjetër, e merr vendimin vetë Këshilli. Kanë qenë 7 këshilltarë që janë zëvendësuar, dhe këta janë llogaritur në kuorum, individë pa qenë ende këshilltarë. Duhej të evidentohej prezenca e kuorumit në fillim të mbledhjes. Veliaj në panik për të kaluar vendimin e tij të radhës të hajdutërisë, kjo që ka bërë Veliaj sot është diçka e paprecedentë morale. E bëri pas zgjedhjeve se kishte frikë, sa mbaruan zgjedhjet e miratoi”, tha Topollaj.

Këshilltarët e opozitës braktisin mbledhjen Olli: Pazar politik PS-LSI

Këshilltarët e PD-së nuk morën pjesë në votim, ndërsa kryetari i këshilltarëve të opozitës e cilësoi më parë, si një pazar të pastër politik atë që po ndodhte në ambjentet e Bashkisë së Tiranës, ku këshilltarët e LSI-së u ulën në bisedime me Veliajn. Kryetari i këshilltarëve të PD, Leonard Olli, kërkoi ndërprerjen e mbledhjes, sepse nuk kishte kuorumin e nevojshëm në kushtet, kur edhe këshilltarët e LSI mungonin. “Ju kërkohet qytetarëve të Tiranës të paguajnë një shërbim që nuk e kanë marrë kurrë deri më sot. Dhe për më tepër kërkohet gati dyfishimi i çmimit të metrit kub dhe tarifës bazë çka është një abuzim i papranueshëm. Në sallë nuk mund të merret asnjë vendim, sepse nuk është kuorumi i nevojshëm”, tha Olli. Ndërkohë para nisjes së mbledhjes së Këshillit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ishin pranuar propozimet e LSI dhe se Këshilli ka votat për ta kaluar propozimin, pasi në sallë ishin prezent dy këshilltarët Mezini dhe Kraja. Ky lajm bëri që të reagojë menjëherë PD, përmes kryekëshilltarit Leonard Olli, duke e quajtur vendimin e LSI pazar të pastër politik. “Ky është pazar i pastër politik, sepse ne duke i kërkuar teknikisht për të ndaluar këtë akt të turpshëm sikurse është rritja e çmimit të ujit të pijshëm, i kërkuam mosprezencën në votim të kësaj pike çka do të bënte të pamundur votimin e aktit për arsye se PS nuk ka kuorumin e nevojshëm as për të zhvilluar mbledhjet në këtë sallë. I bëjmë thirrje LSI të mos bëhet patericë e këtij vendimi kriminal”, u shpreh Olli në daljen e tij të dytë para mediave. Paralelisht me zhvillimet e Këshillit Bashkiak para Bashkisë një përfaqësi e Shoqërisë Civile protestoi kundër rritjes së çmimit të ujit me 20 lekë.

A fshihet ndonjë kompani koncesionari pas rritjes së çmimit?

Ndërkohë, nga rritja e çmimit të ujit preken rreth 707 mijë banorë të Tiranës së madhe. Fatura pas hyrjes në fuqi pritet t’u dyfishohet fatura e ujit. Dyshimet janë se dhe ky sektor do të jepet me koncesion dhe Veliaj priti përfundimin e zgjedhjeve që të rriste tarifat. Më qesharake në pretendimet e Veliajt ishte fakti se kjo rritje kërkohej për të kryer investime në rrjet. Në fakt s’është aspak kështu. Dhe me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujrave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro, çka do të thotë që ky sektor është i paaftë të mbledhë më shumë se 25% të pagesave që duhet të bëjne konsumatorët. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë.

Artikulli paraprakFatura e ujit mbi 40 mijë lekë
Artikulli tjetërAksidentet, vdes fëmija në Durrës një i moshuar në Velipojë