Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka denoncuar dje rritjen abuzive të çmimit të biletave të autobusëve në Tiranë nga Bashkia, si dhe kushtet skandaloze që transporti urban ofron për qytetarët. Përmes një statusi në Facebook, të shoqëruar edhe me foto ku tregohet se si janë katandisur linjat urbane të Tiranës sot, Tabaku denoncon se edhe me rritjen me 25% të çmimit të biletave, Bashkia nuk ka bërë asgjë në rritjen e cilësisë përsa i përket transportit urban brenda qytetit. “Mbasi çmimi i biletës u rrit me 25%, mbasi çdo linjë është e mbipopulluar dhe lirohet vetëm kur udhëton kryetari i Bashkisë, mbasi dëgjojmë për lloj-lloj situatash në urbanët e Tiranës tani paska dhe autobusë ‘cabriole’, ku udhëtarët rrinë me çadra në urban”, shprehet deputetja demokrate, Tabaku. Duke filluar nga muaji shkurt i vitit 2016, bileta e autobusit është rritur me 40 lekë, ndërkohë Bashkia është gati për një tjetër rritje. Pavarësisht premtimit të Bashkisë së Tiranës për mosrritje të çmimit të biletës, duket se kjo e fundit u dorëzua përpara kërcënimit të shoqatës së transportit qytetas, kur tha se do të ndërpriste shërbimin e transportit nëse çmimi i biletës do të mbetej 30 lekë. Me pretendimin se shpenzimet që duhet të përballojnë për të ofruar këtë shërbim për qytetarët janë shumë herë më të mëdha krahasuar me paratë e grumbulluara nga shitja e biletave të përditshme ose abonetë mujore, pa përfshirë këtu ata që për shkak të statusit të invalidit e përfitojnë shërbimin falas. Kështu, në një situatë kur nga njëra anë operatorët privatë me mbështetjen e Shoqatës së Transportit Qytetas kishin rreth 7 vite që kërkonin rritje të çmimit të biletës, pasi sipas tyre nuk përballonin shpenzimet dhe se dilnin me humbje, përpara festave të fundvitit 2015 ata kërcënuan se do të ndërpresnin shërbimin dhe se do të dorëzonin licencat në bashki. Mirëpo, kjo e fundit, pavarësisht kërcënimit këmbënguli se rritja e çmimit të biletës do të ndikonte në ekonominë e familjeve shqiptare, për rrjedhojë nuk do të rritej. Por, kaluan vetëm disa ditë që më datë 30 dhjetor 2015, në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak për vitin 2015, të miratohej rritja e çmimit të biletës së autobusit me 10 lekë më shumë, nga 30 në 40 lekë, si një rrugë e mesme që sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk do të prekë shumë qytetarët që udhëtojnë me autobus krahasuar me kërkesën e shoqatës për ta çuar çmimin e saj në 70 lekë. Nga data 1 shkurt e vitit 2016, qytetarët që udhëtojnë me urban paguajnë 40 lekë, jo më 30 lekë, për biletën e autobusit. Në mesnatën e fundit të vitit 2015 Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës rritjen e çmimit të biletës për transportin urban. Duke përdorur termin indeksim dhe jo rritje çmimi, kryebashkiaku Erion Velaj e ka konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për të shpëtuar falimentimin e kompanive që ofrojnë shërbimin e transportit urban. Mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me debate të forta mes palëve. Të djathtët akuzuan kryebashiakun e Tiranës se ka vepruar në fshehtësi, duke e bërë fakt të kryer rritjen e çmimit të biletës në 40 lekë dhe se është përfshirë në një aferë korruptive. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë negociatave me shoqatat e transportit urban premtoi publikisht se nuk do të lejonte asnjë vendim që do të rendonte në xhepat e qytetarëve. Ndërsa opozita në anën e saj shprehet se vetëm me rritjen prej 10 lekësh kompanitë private do të përfitojnë rreth 15 mijë dollarë më shumë në ditë, ose 5.5 milionë dollarë në vit.
Kryesore
Continue to the categoryShënim/ Kush e ka radhën pas Erjon Veliajt?
Është e qartë se SPAK e ka ‘rrethuar’ Erjon Veliajn dhe po ia kopsit dosjen. Shumë shpejt ndaj tij pritet të jepet edhe masa...