Rama po mbron me fanatizëm Erjon Veliajn në lidhje me përfshirjen e tij në aferën e dhënies së Landfillit të Sharrës kompanisë italiane, AGSM Holding Group. Këshilltari i PD në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj denoncoi faktin se Veliaj fsheh qëllimisht marrëveshjen që ka lidhur me këtë kompani ndërsa gëzon mbështetjen e fortë të Ramës në këtë aferë. “Edi Rama jo vetëm e merr në mbrojtje aferën e parë korruptive dhe kriminale me mafian e mbetjeve, siç është kjo e Erjon Veliajt në landfillin e Sharrës, por e shpall atë si model që do ta ndjekë në vazhdim. Ndërkohë që nuk e lëshon partnerin e Veliajt në këtë aferë, kryetarin socialist të Peqinit, i shpallur në kërkim pas vdekjes së Arditit, Edi Rama shkon një shkallë më lart në mbrojtjen e këtij krimi, duke e cilësuar si sukses që duhet ndjekur. Ky pra është modeli i mazhorancës së sotme për trajtimin e plehrave në Shqipëri. Kujtojmë se sot u mbushën 50 ditë që Erion Veliaj nuk i përgjigjet shkresës zyrtare të Prokurorisë dhe grupit të Këshilltarëve Bashkiakë të PD, për të dhënë informacion mbi mënyrën si operonte firma ricikluese në Sharrë. Veliaj fsheh qëllimisht marrëveshjen që ka lidhur me një kompani private, marrëveshje që krijoi në mes të Tiranës një ndërmarrje skllavëruese, me kapitale publike, ku gjeti dhe vdekjen 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, dy muaj më parë” tha Topollaj. Ai bëri të ditur se Veliaj po mashtron publikisht dhe po përdor çdo mjet për të mbuluar fajësinë e tij direkte në këtë aferë korruptive me mafian e plehrave. “Edhe pse çështja është në hetim, tani në krah të Veliajt doli publikisht Edi Rama, i cili me qëndrimet e fundit i bën presion edhe drejtësisë, duke thënë se Sharra e krimit dhe e korrupsionit, Sharra e skllavërimit, dhe e shkeljes së çdo norme ligjore, është histori suksesi, model që duhet ta ndjekin të gjithë, pra kërkoi paprekshmëri, imunitet” u shpreh këshilltari i djathtë” u shpreh këshilltari i djathtë. “Edi Rama pro, mbron kështu Veliajn që është flamurtari i mazhorancës për bashkëpunimin me mafian e plehrave, për të bërë biznes me mbetjet. Në këtë aferë Veliaj ka shkelur ligjin e koncesioneve, kur vendosi pa procedurë konkurruese që mbetjet e Tiranës t’i kalonin në pronësi për një shekull një firme private italiane të quajtur AGSM Holding Group. Ai shkeli ligjin për prokurimin publik, kur vendosi t’i jepte një operatori privat, pa procedurë tenderuese, pastrimin e kryeqytetit për 25 vitet e ardhshme. Ai ka shkelur Nenin 33/3 të Ligjit për pushtetin vendor kur vendosi që po kësaj firme t’i akordonte çdo vit plot 5 milionë dollarë nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Të gjitha këto shkelje, të gjithë këtë aferë kriminale e korruptive Edi Rama e ka marrë në mbrojtje dhe e ka shpallur si model. Qytetarët po shohin dhe po kuptojnë se Edi Rama dhe Veliaj thjesht po instalojnë në vend mafian e plehrave. Dhe qytetarët do të dinë të reagojnë e ta ndalin këtë krim mbi jetën e mbi shëndetin e shqiptarëve” tha ndër të tjera Topollaj.