Përgjatë gjithë natës së kaluar punonjësit e bashkisë kanë prerë të gjitha pemët anës rrugës dhe kanë hequr të gjitha shtyllat elektrike. Mesa duket qeveria ka zgjedhur tjetër strategji, që të prishë ndërtimet natën, pasi ditën ka hasur në rezistencën e banorëve.
Mëngjesin e sotëm, rruga tek Astiri i ngjet një sheshi beteje, shkaktuar jo nga protestuesit, por nga punonjësit e bashkisë së Tiranës, që në ditët e këtyre festave nuk janë lënë pushim.
Bashkia i ka hedhur ata pabesisht në sulm në orët e vona të natës, për të kryer misionin e marrë përsipër: spastrimin e zonës nga pemët, shtyllat dhe në fund edhe nga banorët e saj.
Brenda disa minutave, focat e bashkisë dhe të policisë kanë prerë me aksion të përqëndruar pemët dhe kanë hequr shtyllat për të krijuar psikologjikisht ambientin se aty nuk ka më zonë banimi, por vetëm një kantier.
Nuk dihet pra, çfarë ka ndodhur në orët e vona pas protestës, me banorët tek Unaza e Re, pasi ata thanë se kishin ngritur patrulla për të mos lejuar nisjen e punimeve, ndërkohë që situata flet ndryshe.