Veliaj teatër në urban, qytetarët përballen me kushtet skandaloze

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë shfaqjen e radhës, duke u vetëfilmuar në një autobus urban për t’u mbushur mendjen qytetarëve se gjendja e shërbimit urban është përmirësuar. Por janë qytetarët ata që përballen për çdo ditë me kushtet skandaloze. Dje, zyra e shtypit e Bashkisë ku punojnë mbi 50 vetë ka shpërndarë nëpër televizione një kronikë, ku shihet kryebashkiaku që bën xhiro me autobus urban. Ai i jep kameramanit të paguar nga vetë ai edhe një “intervistë” ku thotë se gjendja e shërbimit urban është rregulluar.
Transporti urban në kryeqytet përballet çdo ditë me probleme të shumta. Një ndër problemet kryesore është shpejtësia tepër e ulët e autobusëve urbanë. Për ata që nxitojnë të shkojnë në punë, ky udhëtim është një tmerr, pasi në distanca prej 800-900 metrash urbani e bën rreth 45 minuta. Po ashtu, tjetër problem është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urban, duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri-tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta të urbanëve në Tiranë.
Të udhëtosh me linjat urbane, për kryeqytetasit është një stres më vetë për shkak të mbipopullimit të urbanëve. Njerëzit aty shtypen dhe ngjeshen fort pas njëri-tjetrit aq sa shpesh edhe dyert e urbanit mbyllen me vështirësi. Por problemi i qytetarëve që përdorin linjat urbane nuk mbaron me kaq. Ata duhet të rrinë nën frymën e njëri-tjetrit, duke krijuar një ajër të rëndë dhe tepër të ndotur. Në stinën e dimrit, ky është një rast i shpeshtë ku në ambjente të tilla përcillen virozat gripale nga një person mbartës tek të tjerë, me të cilët ndan një udhëtim të shkurtër brenda për brenda Tiranës.
Për këtë skandal qesharak të Veliajt ka reaguar edhe “Nisma Thurje”. “Totalisht qesharak. Hypën në autobuz me fotografin personal që meqë e paguan nga taksat tona, dhe i thotë: “Ma bëj një kështu, pa mendje. Më kap kështu serioz, që të dukem si lider serioz”. Është sa për të qeshur aq edhe për t’u irrituar. Sepse, ndërsa njerëzit vuajnë çdo ditë, orët e gjata të pritjes, vonesat ekstreme në stacion, shtypjen e përditshme në autobuz, ujin që në ditë shiu lag njëlloj si jashtë dhe brenda, lali Eri përpiqet t’iu mbushë mendjen njerëzve që e vuajnë vetë çdo ditë, që ja u rregullua çdo gjë. Dhe këtë mendon ta bëjë me një foto “pa mendje”.  E kuptoni se çfarë ofendimi i bën inteligjencës së gjithësecilit? Tallje brutale. Tallje spektakolare. Deri kur do t’i kemi në shpinë këta? Edhe sa do të durojmë talljet e tyre?”, shkruan “Nisma Thurje”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës me votat e të majtëve nën një propozimin hileqar të Erion Veliaj e rriti çmimin e biletës në 400 lekë të vjetra, me premtimin se kushtet e shërbimit do të përmirësoheshin, por situata është e njëjtë për të mos thënë edhe më keq se më parë. Qytetarët e Tiranës të detyruar të përballen çdo ditë me autobusët e ngadaltë e të tejmbushur dhe pa kondicioner. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës për transportin urban qytetas, vendosur në 30 dhjetor të vitit 2016. Sipas KLSH-së, rritja e çmimit të biletës me 33% është e paargumentuar. Konstatimi për rritjen e paargumentuar të çmimit dhe rekomandimi për pezullimin e vendimit janë publikuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas inspektimit të punës në Bashkinë e Tiranës. “Kur i kërkuam DTTRR përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB Nr.66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake”, shkruan KLSH në raport. KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike, e deri në përmbushjen e këtij detyrimi, pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.

R.POLISI

Exit mobile version