Fondi i pagave për punonjësit e Bashkisë së Tiranës është rritur ndjeshëm nga viti në vit, siç raportojnë Drejtoria e Financave.
Nëse në tremujorin e fundit të vitit 2016, rrogat e 1731 punonjësve kapnin një shifër totale prej 117.7 milionë lekësh, në fund të 2017-ës, ky fond është trefishuar në 354 milionë lekë, ndërkohë që numri i punonjësve është rritur me vetëm 122 individë.
Nëse për 2016-ën do të bënim një llogaritje të thjeshtë, fondi i pagave pjesëtuar me numrin e punonjësve, do të rezultonte një pagë mesatare prej 22,680 lekësh, kjo pagë tashmë arrin në 63,688, një rritje e ndjeshme konsideruar që bëhet fjalë për një periudhë kohore prej vetëm 12 muajsh.
Rritja e rrogave është justifikuar me rritjen e të ardhurave të Bashkisë nga taksat vendore dhe transferta e qeverisë.
Duke analizuar kategoritë e pagave dhe numrin e punonjësve për secilën prej grupeve, rezulton se rritja e pagave është shpërndarë pothuajse njëtrajtshmërisht, teksa shumë individë kanë bërë kapërcimin nga njëri nivel page në nivelin tjetër.
Megjithatë, ajo që bie në sy krahasuar me vitin 2016, është fakti që ka një numër më të lartë individësh që përfitojnë rroga të larta. Aktualisht janë 100 punonjës që paguhen mbi 100 mijë lekë, nga 73 një vit më parë. Mbi 80 mijë lekë paguhen 276 punonjës, krahasuar me 159 punonjës një vit më parë, çka përbën një rritje edhe më të madhe.
Brenda vetë kategorive të pagave, vihet re një rënie e ndjeshme e punëtorëve që marrin paga minimale, nën 30 mijë lekë. Po ashtu ka edhe një rritje të theksuar në grupin e pagave nga 40 mijë deri në 60 mijë lekë.