Veliaj vijon mburrjen me punët e Lulzim Bashës

Erion Veliaj u shfaq dje duke inspektuar punimet në Lumin e Tiranës, projekt ky i ideuar nga Lulzim Basha. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo reagoi dje pas show-t mediatik të Veliajt, ndërsa tha “Vazhdon mburrja me punët e Lulzim Bashës! Meqenëse bilanci i Veliajt është vetëm beton, taksa të larta, rritje të çmimit të autobusëve, mungesë shërbimi, Erioni ka zgjedhur të mburret me punët e Lulzim Bashës. Këtë gjë bëri sot dhe me Lumin e Tiranës, duke e shitur si projekt të tij, kur në të vërtetë i vetmi kontribut i Veliajt dhe shefit të tij është bllokimi i punës tek lumi për rikualifikimin urban”. Bozdo bëri të ditur se punimet për rehabilitimin e Lumit të Tiranës, i njohur si bombë ekologjike dhe shkak i përmbytjeve të mëdha, nisën në janar të vitit 2014. Ai tha se projekti i iniciuar nga Lulzim Basha parashikonte shndërrimin e lumit dhe hapësirës përreth në një oaz për banorët e Bashkisë së Tiranës dhe të Komunës së Paskuqanit. Gjithashtu Bozdo tha se deri në janar të 2011-ës ky lumë ishte përdorur si vend depozitim mbetjesh dhe në të derdheshin ujërat e zeza. Ai ishte shkaktar i përmbytjeve të mëdha që preknin çdo vit afro 1000 familje të zonës.  “Projekti i Bashkisë së Tiranës, i hartuar së bashku me Bulevardin e Ri nga studioja ‘Grimshaw’ parashikonte zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në të dy anët e tij. Përmes argjinaturave do të mbroheshin zonat urbane nga rreziku i përmbytjeve, sikundër në të dy anët e lumit do të ndërtoheshin kolektorë për mbledhjen e ujërave të zeza, me qëllim që ato të mos derdhen më në lumë. Falë kësaj ndërhyrjeje, kryeqytetit i shtohen 1 milion metra katrorë gjelbërim. Nga janari deri në nëntor të vitit 2014 kontraktori arriti të zhvendosë 600 mijë tonë mbetje nga shtrati i lumit, në një gjatësi prej 7 km. Këto punime pamundësuan përmbytje që banorët përjetonin pas çdo reshje shiu. Projekti u bllokua më pas nga Edi Rama duke ndërprerë vijimin e punimeve për gjelbërimin dhe krijimin e parqeve në të dyja anët e lumit, si dhe hapësirat pedonale dhe rikrijuese për banorët, jo vetëm të kësaj zone, por të gjithë Tiranës, çka do të rrisë shumëfish edhe vlerën e pronës”, tha Bozdo. Ai tha se kryebashkiaku Basha kishte nisur negociatat me fondin e Abu Dabit që pjesë e financimit të bëhen edhe 1.5 km të tjera të gjatësisë së lumit, të shtrihej në zonë urbane duke e çuar në 8.5 km gjithë gjatësinë ku do të ndërhyhej nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e tij. Por Bozdo bëri të ditur se të gjitha këto u ndërprenë dje me urdhrin politik të Edi Ramës, ndërsa Veliaj sot zgjedh të mburret me punët e tjetërkujt. “Për të qarë dhe për të qeshur”, ironizoi Bozdo shfaqjen e djeshme të Veliajt.

Artikulli paraprakRama, zëdhënës i kontratave të PD me TAP
Artikulli tjetërKandidati për Rektor, Petrit Bara: Ka pasur edhe raste të tjera presioni