Veliaj vijon sulmin ndaj gjykatës dhe kërcënon qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj lëshoi dje të tjera akuza ndaj trupës së Apelit Administrativ në lidhje me ndërtimin poshtë digës së liqenit, duke thënë që nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës. Ai tha se ky ishte një ekspozim i pacipë i gjykatës dhe se do t’i shkojë deri në fund duke bërë transparencën. Por në shpërthimin e tij kërcënues ai nxori në shesh edhe disa sekrete të marrëdhënies mes tij me qytetarët dhe gjyqtarëve dhe i kërcënoi ata hapur.
“Mos i bini më telefonit të kërkoni çudira. Kur merrni vendime kundër qytetit, qyteti nuk ju shërben”, tha Veliaj. Por ky kërcënim i Veliajt përbën një rast skandaloz. Bashkia e Tiranës ka detyrimin ligjor t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj që paguajnë taksat, pavarësisht funksioneve që kryejnë, bindjeve politike apo vendimeve që ata marrin në punën e tyre.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu me siguri të madhe se kullat poshtë digës së liqenit nuk do të ndërtohen dhe këtë nuk do ta lejojë. Prej disa ditësh, Veliaj flet me gjuhë të ashpër ndaj qytetarëve dhe Presidentit të Republikës e gjyqtarëve. Por, dje kaloi çdo cak me kërcënimin e hapur se kryetari i bashkisë ligjin për t’u shërbyer qytetarëve do ta respektojë sipas interesave dhe preferencave të tij.

Exit mobile version