Veliaj do zhvasë nga xhepat e qytetarëve 130 miliardë lekë

Këshilltarët bashkiakë të Tiranës, shpjeguan dje qëndrimin e Partisë Demokratike për buxhetin e kaluar dje, në kundërshtim me disa ligje. Kreshnik Çollaku, Kryetar i Këshilltarëve demokratë, tha se Erion Veliaj mund të vazhdojë të qeverisë në forma joligjore, por Tirana sot është pa buxhet. Ai tha se, “Mbledhja e djeshme nuk ishte një mbledhje e Këshillit Bashkiak, por një teatër me këshilltarë pa mandat, çka e detyroi Partinë Demokratike të braktisë sallën. Në mungesë të një pakete fiskale dhe mbi të gjitha, duke u nisur për një debat serioz, të ndershëm dhe të drejtë, ishte një salle e manipuluar, me individë të cilët ishin ulur në karriket e këshilltarëve, por pa asnjë mandat për t’u sjellë dhe votuar si këshilltarë bashkiakë”.
Mateo Spaho shpjegoi se ky është buxheti më i madh, sepse rritja e taksave është më e madhe se asnjëherë më parë.
Ai renditi disa elementë që i cilësoi si skandaloze.
“Së pari, ky buxhet financon zëvendësimin e palmave të autostradës me kosto 600 mijë, para të cilat janë hedhur në kosh, me zëvendësimin me pisha me vlerë 2.5 milionë euro. Janë rreth 6 km ku do të jenë të mbjellura rreth 300 e ca pisha, në total i bie 5.5 milionë lekë të vjetra 1 pishë. Jo vetëm paratë për pishat po jepen kur Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin përfundimtar, me kosto 1 milion euro, për zgjerimin e autostradës. Një projekt që nuk ka vend për pishat 2.5 milionë euro.
Skandali i skandaleve qëndron në faktin se, Bashkia e Tiranës për vitin e ardhshëm pretendon të arkëtojë 32 miliardë lekë të vjetra nga lejet e ndërtimit. Po flasim për 60 kulla, në qendër të Tiranës dhe brenda Unazës, me rreth 50 apartamente secila, çdo apartament 100 m²”, theksoi Mateo Spaho.
“Ne besojmë se, ky është fillimi i një potenciali të një krize të apartamenteve, të vlerës së tyre, të dyqaneve të cilën Bashkia e Tiranës rrezikon ta provokojë në mënyrë shumë serioze, për shkak se tregu nuk duket se e ka një kërkesë të tillë.
Po goditet Tirana, po goditen xhepat e qytetarëve të Tiranës, pasi vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës planifikon t’u marrë nga xhepat e bizneseve dhe familjeve të Tiranës rreth 130 miliardë lekë”, tha Mateo Spaho.
Fabian Topollaj, tha se ligjërisht buxheti nuk quhet i miratuar, sepse pavarësisht blerjeve korruptive të disa këshilltarëve, Erion Veliaj, nuk ka zhvilluar akoma proçedurën ligjore të zëvendësimit të 7 këshilltarëve, që morën mandate deputetësh.
“Ata që votuan dje janë 7 njerëz si gjithë të tjerët, pa mandate këshilltari bashkiak”, thaTopollaj, i cili theksoi se buxheti i kaluar dje është një noterizim i korrupsionit të ErionVeliajt në Bashkinë e Tiranës.
Topollaj tha se, buxheti shkel ligjin e prokurimit publik, sepse jep rreth 10 milionë dollarë për shtesa kontratash, duke e bërë një buxhet në interesa korruptive klientelsite dhe jo në interes të qytetarëve.
Arjana Çela analizoi aspektin fiskal të buxhetit dhe tha se, buxheti u miratua pa u shoqëruar me paketën fiskale, edhe pse ky është një detyrim ligjor. Në vitin 2018, hyn në fuqi rritja e dy taksave të reja, taksa e ndërtesës dhe taksa e pronës, që do ta rrisin edhe më shumë koston e jetesës për familjarët dhe bizneset. Për shumë prej tyre rritja e taksave do të jetë e papërballueshme.
Arjana Çela tha se në vend të rritjes së taksave, Bashkia e Tiranës duhet të kishte krijuar stimuj fiskalë, sepse ekonomia e Tiranës kontribuon me 40% të ekonomisë kombëtare. Është e vërtetë se taksat vendore caktohen nga Parlamenti, por ligji i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës të ulë taksat me 30%.
Partia Demokratike ka propozuar: Uljen me 30% të taksës së ndërtesës si për familjarët, edhe për subjektet tregtarë, uljen me 30% të taksës bujqësore, uljen me 30% të taksës së fjetjes në hotel, ulje dhe kategorizim të taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, shfuqizim të plotë të taksës së përkohshme për ndërtimin e infrastrukturës arsimore.
Për tarifat Partia Demokratik e ka propozuar: Uljen me 50% të tarifave për pastrimin dhe largimin e mbeturinave. Uljen me 50% të tarifës për zënien e hapësirave publike. Shfuqizim të plotë të tarifave për dhënien e liçencës për tregtimin e karburanteve
Arjana Çela tha se, buxheti i Bashkisë parashikon një rritje të shpenzimeve operative në vend të shpenzimeve në investime.
¼ e shpenzimeve të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, shkon për shpenzim e personelit. 32 punonjës të rinj do t’i shtohen numrit të përgjithshëm prej 6200 vetësh.
Vetëm 1% e totalit të shpenzimeve e zë program për zhvillimin ekonomik, bujqësor, rural dhe pyjeve.

Exit mobile version