Ndërsa projekti i “Velierës” në Durrës, ka mbetur pezull prej gati një viti në pritje të vendimeve të dy gjykatave, Bashkia i ka bërë disa ndryshime planit fillestar, i cili tashmë parashikon ruajtjen dhe integrimin e zbulimit arkeologjik, të cilin kalimtarët dhe kureshtarët sipas projektit do mund ta shohin pjesërisht nga lart. Kjo sidoqoftë nuk i ka zbutur kundërshtitë rreth ndërtimit, ndërsa anëtarët e Shoqërisë Civile shpresojnë të përmbysin plotësisht projektin edhe pse një raport ekspertësh që iu dorëzua Gjykatës sëfundmi i dha të drejtë Bashkisë.
Projekti i ri, të cilin BIRN e ka parë, parashikon një shkallë e cila do të mundësojë zbritjen e vizitorëve të interesuar në strukturat e rrënojave dhe po ashtu “dritare” që lejojnë të shihen zbulimet arkeologjike nga lart.
Megjithatë arkeologu Fatos Tartari thotë se, problemi nuk është ky, por te shkelja e ligjeve dhe cënimi i nëntokës së Durrësit që siç thotë ai duhej të mbrohej. “Zgjidhje të tilla janë realizuar edhe në vende të tjera të Evropës, në Itali, Zvicër apo në Gjermani, por problematika e vërtetë nuk është kjo”, thotë Tartari, një nga kritikët më të ashpër të projektit Veliera që në fillimet e tij.
Sipas tij do të mjaftonte zbatimi i ligjit të vitit 1961 për nëntokën muze të Durrësit për të mos lejuar ndërtimin para hyrjes së portit ku po ngrihet Veliera, dhe në përgjithësi trashëgiminë arkeologjike të qytetit 3-mijëvjeçar. “Ky projekt duhet të ndalohej ende pa filluar”, thotë Prof. Fatos Tartari, i cili mendon se Këshilli Bashkiak duhet të thellohej më shumë në trajtimin e këtij investimi prej 6 milionë dollarësh.
Të njëjtën gjë pretendojnë edhe përfaqësuesit e Shoqërisë Civile që janë në gjyq me bashkinë për këtë projekt që prej 2 shkurtit 2017. Ata kërkojnë zhdëmtimin e dëmeve në sitin arkeologjik, anulimin e projektit dhe kthimin e sheshit pranë portit detar në gjendjen fillestare.
Dy gjykata, ajo e Shkallës së Parë dhe ajo Administrative, po shqyrtojnë paralelisht padinë e mjedisorëve dhe Shoqërisë Civile, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë deri më tani një vendim konkret, përpos atij të pezullimit të punimeve. Gjykata Administrative, dritaret e së cilës shohin mbi ngrehinën e Velierës ka bërë deri tani 10 seanca, ndërsa pritet që vendimi i saj të lexohet në ditën e fundit të muajit janar, kur është lënë edhe seanca e radhës.
Sipas ambjentalistit Sazan Guri zvarritja ka të bëjë me frikën e Gjykatës në Durrës për të thënë të vërtetën. “Frika e Gjykatës Administrative në Durrës për të marrë një vendim në favor të Shoqërisë Civile, duket se do ta shtyjë vendimin përfundimtar pozitiv në Gjykatën e Apelit”, tha Guri.