Megjithëse janë të punësuar dhjetëra punonjës, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka hapur një tender për të mirëmbajtur pajisjet e zyrave. Me 80 milionë lekë të vjetra, Bashkia kërkon që të mirëmbajë pajisjet kompjuterike, ndërsa mësohet se vetë Bashkia ka të punësuar disa ekspertë IT, që kanë si detyrë pikërisht mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve. Krahas rritjes së taksave apo shërbimeve në kryeqytet, qytetarët e Tiranës do të paguajnë dy herë për luksin e zyrtarëve të Bashkisë, të cilët vazhdojnë të kenë një “çek të bardhë” për të shpenzuar. “BoldNews” ka siguruar dokumentet e tenderit të radhës së Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, fondi limit për këtë tender është 7.995.408 lekë dhe burimi i financimit janë të ardhurat e Bashkisë Tiranë, vënë në dispozicion nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2016, miratuar me VKB Nr. 58, datë 30.12.2015 “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016”. Objekti i kontratës është “mirëmbajtje e pajisjeve të zyrave për Bashkinë e Tiranës, për vitin 2016”. Afatet e ekzekutimit, nga data e lidhjes së kontratës deri më 31 dhjetor 2016, sipas kërkesës së autoritetit kontraktor. Sipas dokumenteve, pajisjet e zyrave në përdorim të Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë ndodhen në godina të ndryshme të shpërndara në të gjithë territorin e qytetit, për këtë arsye operatori ekonomik duhet të ofrojë shërbim në vendin ku ndodhen pajisjet ose transportin me shpenzimet e veta në laboratorin përkatës në rast se shërbimi nuk mund të realizohet në vend. Gjithashtu operatori ekonomik duhet të riparojë dhe të kthejë pajisjet sipas kërkesave të autoritetit kontraktor. Pajisjet kompjuterike janë të markave, modeleve dhe vite prodhimi të ndryshme. Në preventiv parashikohen: defekte të konstatuara, mundësia e defektimit gjatë periudhës nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 31 dhjetor 2016 dhe shërbime të tjera të nevojshme për funksionimin e tyre. Pagesat, për shërbimet që do të kryhen nga operatori ekonomik fitues i prokurimit në Bashkinë e Tiranës, do të bëhen vetëm mbi bazën e preventivit dhe faturës tatimore, sipas procesverbalit të hartuar nga Komisioni i Autoritetit Kontraktor. Pjesët e këmbimit të jenë të reja teknikisht dhe të ambalazhuara, ofrimi i shërbimit të jetë sipas standardeve të BE-së. Kompania, thuhet në këto dokumente, duhet të paraqesë në ofertë termat e suportit dhe kontaktet për asistencën teknike, e cila duhet të jetë 7 ditë të javës. Koha maksimale e zgjidhjes së problemit, e cila nuk merr parasysh rastet e forcave madhore, nuk duhet të jetë më shumë se 1 ditë pune. Për secilën pajisje kompjuterike që do të riparohet, operatori ekonomik duhet të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e saj për një vit të plotë.
Kryesore
Continue to the categoryQeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku i...
Qeveria qendrore dhe bashkitë nuk po shpëtojnë dot nga borxhet. Detyrimet e prapambetura janë rritur sërish, duke u kthyer në një problem për financat...