“Vëllai i drejtoreshës së AZHT, transferonte paratë”, Lala zbardh rolet e grupit të Suel Çelës në trafikun e kokainës: Ergys Dashi korruptonte zyrtarët e portit

Gazetarja Klodiana Lala zbërtheu me detaje mekanizmin si trafikonte kokainën nga Amerika Latine organizata e Suel Çelës. E ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, Lala tha se Suel Çela kishte bashkëpunuar edhe me Ergys Dashin, i ekzekutuar në Ekuador 2 vite më parë, për të trafikuar sasinë e 446 kg kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Lala zbardh edhe rolet e anëtarëve të grupit. Sipas saj, një nga vëllezërit e arrestuar të drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, kryente transfertat e parave të kokainës. Ndërsa Ergys Dashi përmes të ardhurave nga trafiku i kokainës, korruptonte zyrtarët dhe punonjësit e porteve të Europës, nga ku do të nxirrej lënda narkotike për t’u hedhur më pas në tregun europian.

Suel Çela dyshohet i përfshirë në shumë episode, dy janë zbardhur. Bisedat direkte nuk i përdorim në respekt të vendimit të SPAK. 5 janar 2021, një sasi droge e nisur, është bllokuar 446 kg drogë në portin e Roterdamit. Suel Çela nuk bashkëpunon me Bujar Shegën, por me Ergys Dashin. Flitet për një takim mes Ergys Dashit dhe Ervis Matës dhe në këtë kohë Dashi, sipas SPAK, bën takim te tregu agro-ushqimor në Elbasan. Bien dakord për 446 kg kokainë. Niset sasia e drogës. Ergys Dashi nuk niste nën 300 kg kokainë sepse mbi këtë sasi kishte mundësi të korruptonte zyrtarë të porteve, sepse droga duhej nxjerrë nga portet e BE. Për këtë arsye kërkon aleancën e Suel Çelës. Sasia niset, por sekuestrohet. Fillon debati, si në rastin e parë. Gjino Roka, vëllai i drejtoreshës së zhvillimit të territorit, do të bënte të gjitha transfertat e parave. Vëllai i zyrtares që ka në dorë të gjitha lejet e ndërtimit, kishte në dorë transferat e parave të grupit kriminal. Ergys Dashi garanton se mund të niste 500-1 mijë kg nëse garantohej dërgesa. Këto ngarkesa janë kapur. Suel Çela ia ka dalë mbanë të trafikonte vetëm 50 kg kokainë. Ergys Dashi thotë se duke iu kapur droga kam humbur 4.5 mln euro. Pastaj ai u vra në një lokal të njohur në Ekuador, ndoshta për të përcjellë një mesazh, ishte një masakër. Do të duhet shumë kohë për të mësuar se kush ishte grupi kriminal”, tha Lala.

Exit mobile version