Leonard Koka, vëllai i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka u ndalua sot për më shumë se 3 orë në Policinë e Durrësit. Pas lirimit, ai deklaroi se është ndaluar nga policia për drogën që dërgoi mbrëmjen e së enjtes drejtori i Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj në Ankona. Duke folur në linjë telefonike për SYRI.net, Nar Koka është shprehur se policia e ndalon atë sa herë që kapet drogë e madhe në Itali.
“Sa herë që nga Durrësi kalojnë tonelata me drogë për në Itali, më ndalojnë mua për të sfumuar lajmet e drogës. Këtë herë u ndalova për drogën e drejtorit të Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj që u kap në Ankona”, është shprehur Nar Koka për SYRI.net.
Më pas, Koka ka hedhur akuza të rënda deri edhe tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Leonard Koka është mbajtur në Komisariatin e Durrësit për rreth 3 orë dhe më pas është njoftuar se ai akuzohet për ‘Kundërshtim të forcave të policisë’. Por në një prononcim për mediat Leonard Koka mohon kategorikisht këtë akuzë dhe madje hedh akuza të rënda mbi drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj. Koka tha se ai është shoqëruar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe medias nga trafiku i drogës.
Policia e Durrësit pretendon se shoqërimi i Nar Kokës është bërë, sepse makina me të cilën ai po lëvizte ishte pa dokumente. Por kjo gjë është hedhur poshtë nga vetë vëllai i ministrit të Mjedisit, përfaqësuesit të LSI-së në qeveri. Mësohet se policia ka ndryshuar version, për ndalimin dhe shoqërimin e Nar Kokës në ambientet e Policisë së Durrësit.
Fillimisht është thënë se Koka ishte shoqëruar, pasi makina ishte me xhama të zinj, por vëllai i ministrit të Ramës dhe përfaqësues i LSI-së ka treguar lejen nga Prokuroria për xhamat e zinj. Pas kësaj, policia ka ndryshuar argument, duke thënë se makina ishte pa dokumenta. Por dhe ky pretendim është i pavërtetë, pasi këto janë dokumentet e makinës.