Vëllai i ministrit Xhafa te skafi me 1 ton drogë

Skafi me 1 ton kanabis që u gjet pak ditë më parë i braktisur në brigjet e Karaburunit ishte i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Denoncimi është bërë nga një oficer policie në Komisariatin e Vlorës, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri i policisë shkruan se, skafi dhe droga në të i përkasin Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, por në komisariat po ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa.
“Oficeri dixhital denoncon: Agron Xhafën, vëllain e Fatmir Xhafës si pronarin e skafit me 1 ton drogë të kapur në Karaburun, njëri nga skafistët u gjend i mbytur kurse tjetri është zhdukur. Policia hesht dhe ushtron terror të mos përmendet vëllaçko Agroni!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të Policisë së Vlorës.
“Përshëndetje zoti Berisha. Desha t’iu informoj se në Policinë e Vlorës, por edhe në qytet, të gjithë e dinë se skafi me 1 ton drogë që u gjet i braktisur në Karaburun ka qenë i Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm. U gjet njeri nga skafistët i mbytur dhe një tjetër është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Në Komisariatin e Vlorës ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa. Ju lutem bëje publike, me respekt”, shkruan oficeri.
Trafiku i drogës drejt Italisë drejtohet nga vetë krerët e Policisë së Vlorës dhe anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës denoncoi tre ditë më parë se, droga e kapur në Triport-Zvërnec para një jave ishte e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela. Oficeri i policisë përmendi emra konkretë të zyrtarëve të policisë që organizojnë trafikun e drogës në Jug të vendit drejt Italisë.
Oficeri shkruante se, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Policisë, ndërsa ky i fundit gjatë operacionit ka kapur ngarkesën e drogës si dhe shefin e Krimit të Organizuar në këtë drejtori që bënte organizimin e trafikut, por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë. Oficeri i policisë bëri të ditur se, përplasja mes drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela dhe shefit të Komisariatit, Behar Caka është shumë e fortë.
Qytetarët nga Vlora bëjnë të ditur se, anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” dërgojnë nga 3-4 ngarkesa me drogë për çdo natë në Itali. Qytetarët vlonjatë ngrenë shqetësimin se, janë më shumë se 40 të zhdukur në det për drogën, por policia fsheh rastet e njerëzve të zhdukur në det, ndërsa mbron trafikantët e drogës. Denoncuesit flasin me emra dhe me shifra rreth asaj çfarë ndodh në det me trafikun e drogës drejt Italisë.
Në Vlorë, Roland Shyti, nipi i Hajredin Shytit nis të paktën tre-katër gomone në natë drejt brigjeve. Jo vetëm kaq, por ai mbrohet nga policia. Rama u ofroi shqiptarëve, kanabisin dhe vdekjen vetëm e vetëm për të pasuruar oborrtarët e tij me 30% që u merrnin trafikantëve. Është e thjeshtë, vetëm sasinë e kanabisit që është kapur të llogarisim 30%, ndërsa sasia e pakapur që është futur në Itali e Greqi është shumë herë më e madhe. Sasia e drogës që kapet, shitet sërisht nga drejtorët e Policisë së Shtetit. Ndaj nuk ka asnjë procesverbal për drogën e asgjësuar, ndërsa Prokuroria nuk njoftohet të jetë prezent kur “gjoja e asgjësojnë”.
Shqetësimin për rritjen e këtij trafiku e kanë shprehur ditët e fundit vetë zyrtarët e lartë të agjencive ligjzbatuese italiane. Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti dha sërish para pak ditësh alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Sipas tij, mbërrijnë në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone. Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë.

Droga alarmon Italinë, ROS mobilizohet për të kapur tonelatat nga Shqipëria

Sasitë e konsiderueshme të drogës që po dalin nga Shqipëria kanë shqetësuar edhe vendet fqinje, që kanë filluar të marrin masa. I tillë është rasti i Italisë. Një bateri njerëzish të stërvitur për të luftuar krimin do të krijohet këtë muaj në provincën e Foggia-s në Itali. Bëhet fjalë për Njësinë e Antikrimit të ROS, grupimi i posaçëm special i karabinierëve të Italisë, që do të varet nga Prokuroria e Qarkut.
Këtë e ka njoftuar zyrtarisht Giuseppe Governale, komandanti i grupimit të posaçëm special të karabinierëve. Sërish, në vëmendjen e hetuesve do të jenë trafiqet e drogës nga Shqipëria në Itali, me zbarkimet e marijuanës në Gargano, në gjirin “San Felice”, shkruajnë mediat italiane.
Gjithashtu, raportohet se do të nisë një aktivitet i Policisë Gjyqësore italiane, koordinuar nga Antimafia e Barit, në bashkëpunim me forcat shqiptare të policisë, për të ndaluar trafikun e drogës për në Puglia, nga brigjet shqiptare.
Edhe autoritetet greke kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Vetëm në 3 muajt e përë të këtij viti janë kapur në Greqi 3.5 ton drogë nga Shqipëria me vlerë 10 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga policia greke, e cila thekson se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek.
Vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro. Kryesisht është trafikuar kanabis sativa, por nuk kanë qenë të pakta rastet e kapjes të heroinës dhe kokainës. Sipas mediave greke, çmimi i heroinës varion 15-30 euro për gram dhe 12 mijë deri në 20 mijë euro për kilogramë. Kurse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë, 60-100 euro për gram dhe 30 mijë deri në 60 mijë euro për kilogram.

R.POLISI

Exit mobile version