Vëmendja te Izraeli

Vëmendja e Gianni de Biasi përkrah Carlos Alberto Parreira, ish-trajnerit të Brazilit kampion bote në vitin 1994 dhe Fabio Capellos. Drejtuesi i stolit të Shqipërisë ishte mes figurave të futbollit që ligjëruan në takimin vjetor të Shoqatës europiane të Trajnerëve, ku të pranishëm ishin 200 trajnerë nga i gjithë kontinenti. Edhe pse i angazhuar mes emrave më të rëndësishëm të trajningut në Europë, ku pas seminarit do të marrin pjesë në ndeshjen e bamirësisë në luftën kundër leuçemisë, De Biasi nuk shpërqendrohet nga objektivat me kombëtaren.
“Jemi mësuar të përqendrohemi te objektivi i radhës, edhe pse na ndajnë afro pesë muaj nga sfida me Italinë. E them këtë pasi Izraeli është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe aty duhet të jemi të përqendruar. Është rivali ynë direkt për vendin e tretë në grup. Ky është një objektiv mjaft i rëndësishëm, pa anashkaluar që më pas të realizojmë edhe diçka më tepër”, u shpreh De Biasi.
Përballë Spanjës dhe Italisë në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018, vendi i tretë mbetet objektivi real i Shqipërisë. Tekniku 60-vjeçar kërkon të njëjtin motivim dhe angazhim të lojtarëve, për të realizuar një tjetër ëndërr, si ajo e kualifikimit në Europianin e Francës. “Është e vështirë të renditemi në vendin e dytë, sepse Spanja dhe Italia kanë më tepër cilësi. Spanja është më superiore se të gjitha ekipet e grupit, ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kualitet. Italia ka lojtarë të fortë në mbrojtje, me Buffon, Kielinin, Bonuçin e Barzaljin. Gjithashtu nëse rikuperohet maksimalisht edhe Markizio që ka nisur të luajë, do të jetë një bllok solid i Juventusit që do t’i japë më tepër cilësi ekipit. Përsa i takon Shqipërisë, ne nuk duhet të harrojmë atë që na ndihmoi të kualifikoheshim në Kampionatin Europian, pra të jemi të vetëdijshëm te kualiteti ynë, të luajmë në mënyrë jo egoiste dhe të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha trajneri i kombëtares.
Drejtuesi i stolit kuqezi u shpreh i kënaqur edhe me lojtarët shqiptarë që militojnë në Serinë A italiane. Nga Hysaj që me Napolin po luan edhe në Champions, Memushaj që mban shiritin e kapitenit te Pescara, Berisha i cili është kthyer në pikë të fort të Atalantës, por edhe Veselin që po aktivizohet titullar te Empoli.
“Jam mjaft i kënaqur me paraqitjet e lojtarëve. Është një periudhë e mirë dhe më bëhet qejfi që djemtë luajnë dhe marrin eksperiencë, ndërsa po fitojnë edhe formë fizike. Tashmë pres që edhe Manaj të aktivizohet më shpesh. Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe është një lojtar i së ardhmes, tek i cili kemi shumë besim”, përfundoi De Biasi.

Exit mobile version