Nga Dorjan Ziflaj
Si çdo pronë në këtë shtet edhe vendbazimi i Forcave Detare i Porto-Palermos, po nxirret nga Plani i Përhapjes i Forcave të Armatodura (FA) duke e kthyer në një resort për të kënaqur grykësinë e oligarkut të radhës.
Kjo Bazë ushtarake e ndërtuar në Gjirin e Palermos, shërben si vendbazim i Forcave Detare (FD), ku anijet e Rojës Bregdetare kryejnë shërbim në këtë Bazë me funksion operacional në mbrojtje të hapësirës detare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë në det. Nga kjo Bazë janë kryer dhe shumë operacione kërkimi – shpëtimi. Pra, është një Bazë funksionale dhe jo një gërmadhë e kohës së komunizmit që s’ka asnjë funksion.
Në këtë Bazë, edhe pse një zonë ushtarake e mbrojtur me trupa ushtarakë nga njera anë, dhe në anën tjetër të gjirit ndodhen radarët e QNOD-së, (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare), shpesh herë tentohej që nëpërmjet bankinës ‘T’ në afërsi të kalasë, të kryheshin trafikime të lëndëve narkotike me mjete lundruese. Këto tentativa shpesh herë janë ndaluar nga FD dhe motovedetat ose anijet e Bazës së Palermos.
Mos vallë duke i hequr statusin e bazës ushtarake, oligarkët kanë ndërmend dhe kryerjen qetësisht të trafiqeve të paligjshme ndërmjet kësaj Baze, shumë afër me Korfuzin?
Përveç humbjes së një aseti të FA në momentin kur bota dhe NATO ka një vëmendje të shtuar ndaj bazave ushtarake për shkak të konflikteve të shumta që po sjellin luftërat në vende të ndryshme të botës, qeveria Rama dhe ato pak baza ushtarake strategjike po i kthen në fole të krimit duke u fshehur pas investitorëve strategjikë.
Ndjej një keqardhje të madhe pasi kam shërbyer në këtë Bazë si efektiv i Forcave Detare. Në këtë Bazë fillova dhe përfundova karrierën time ushtarake në FD, ku vitet e jetës të kaluara aty janë dhe lulja më e bukur në buqeten e kujtimeve të mia.
Në këtë Bazë njoha njerëz të mirë, të ndershëm, ushtarakë të zotë, dhe për kohën që kam punuar me ta, më kanë lënë gjurmë dhe mbresa në jetën time.
Nderime për këtë Bazë strategjike ushtarake, që fatkeqësisht po i hedhin vello turpi. Mbresa të jashtëzakonshme që nga sirena e anijes që kumbonte në momente akustimi, që nga zhurma e këpucëve të ushtarakëve, bukuria që i jepte lidhja e cimave nga anija në bankinë, uniformat e pabëra pis dhe të papërlyera të detarëve tanë. Falë qeverisë kjo Bazë do të kthehet në një fole kriminelësh, ku oligarkët me rroba të bukura por të bëra pis nga krimi, korrupsioni dhe vjedhjet, nga duart e lara me gjakun e shqiptarëve do të bëjnë orgjitë e tyre të ndyra, derisa koha të tregoj se kujt i përket Shqipëria.
Mirënjohje Bazë e bukur!
E di që do të lëngosh ngaqë në gjirin tënd s’do kesh më atë që të lartësonte, Flamurin e kombit dhe anijet e FD, por mos u dorëzo, pasi kam besim të plotë që edhe këtë betejë do ta fitosh, ashtu ballëlartë për të përballuar të tilla luftëra për të cilat je përgatitur.