Vendet që duhen vizituar para se të zhduken

Ndryshimi i klimës me të cilin po përballet planeti ynë është kthyer në kërcënimin kryesor për shumë destinacione turistike dhe parajsa tokësore të rrezikuara. Disa janë duke u degraduar ngadalë, ndërsa disa prej tyre në pak vite rrezikojnë që të mos ekzistojnë më ose të paktën, të mos jenë më të vizituara. Shihni disa nga këto vende “të kërcënuara me vdekje” dhe do të habiteni!

Barriera e madhe në Australi

Barriera e madhe koralore në Australi është ndër barrierat më të mëdha në botë, e cila tërheq mijëra vizitorë çdo vit, por mesa duket gazi dhe qymyri, ndryshimi i klimës dhe një lloj ylli deti shkatërrues po bën që ajo të zhduket. Kërkimet e bëra nga Instituti australian i Shkencave Detare në barrierën e madhe korale u pikas humbja e gjysmës së koraleve në më pak se një gjeneratë. Globalisht, shkëmbinjtë nënujorë po sulmohen nga kërcënime të panumërta, temperaturat në rritje sidomos në dete, aciditeti në rritje në oqeane dhe stuhitë e fuqishme që përbëjnë një kërcënim për barrierat koralore. Sipas parashikimeve të ekspertëve shumë shpejt kjo pasuri e nënujshme nuk do të jetë më ajo mrekulli që ka magjepsur studiuesit e koraleve dhe kundruesit në dokumentare televizive. Fundi i kësaj mrekullie të natyrës është i parathënë.

Alpet e Europës

Për shkak të ndryshimeve klimatike masive të universit tonë, akullnajat e Alpeve mund të zhduken deri në vitin 2050.
Alpet janë vargmalet më të larta në Evropën e Mesme. Ato shtrihen prej brigjeve të detit Ligur deri te fusha e Vjenës në Danub në gjatësi prej 1.200 km, gjerësi 150-250 km duke përshkuar Austrinë dhe Slloveninë në lindje, përmes Italisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Gjermanisë e duke arritur deri në perëndim të Francës.

Maldivet

Përsëri për shkak të ndryshimit masiv të klimës globale, ishujt e bukur të vendosur në Oqeanin Indian mund të jenë në rrezik për t’u përmbytur. Situata është aq e rëndësishme sa ata që kanë planifikuar tashmë për të blerë një copë tokë të re më mirë të mos e ndërmarrin këtë hap. Maldivet, një vend i shenjtë për turizmin, po gllabërohet nga oqeani dhe mund të jetë krejtësisht nën ujë brenda 20 vjetësh. Pika më e lartë në vend është vetëm 2.4 metra mbi nivelin e detit dhe është llogaritur se një rritje prej disa centimetra e oqeanit mund të jetë e mjaftueshme për të përmbytur një numër të konsiderueshëm, rreth 1,200 ishuj.

Tuvalu

Tuvalu është shtet në jug të Oqeanit Paqësor, një monarki konstitucionale e Komonveltit britanik, zë ishujt Elise me 26 km2 me një popullsi prej diku 10 000 banorëve. Grupi i ishujve përbëhet nga nëntë Atollet dhe popullsia është poloneze.
Tuvalu është një nga shtetet tropikale në Paqësor dhe është vendi më i prirur që të vuajë efektet e ngrohjes globale. Popullsia në disa fshatra tashmë është duke u detyruar të largohet për në Zelandën e Re për shkak të niveleve të larta të detit. Sipas studimeve, për një periudhë 50-vjeçare vendi mund të zhytet krejtësisht nën ujë.

Venecia, Itali

Sipas disa studimeve, qyteti i bukur italian mund të zhytet në ujë deri në vitin 2100. Për ta parandaluar këtë, Ministria e Infrastrukturës italiane ka filluar ndërtimin e një barriere për të mbrojtur qytetin. Venecia e ka datën e lindjes më 25 mars të vitit 421 pas Krishtit. Dora e njeriut e ka ndërtuar në mënyrë të tillë që ai të jetë çdo ditë si në 4 stinë dhe çdo vit si në çdo shekull. E para katedrale, është ajo e Santa Lucias, në hyrje të Venecias. Kjo katedrale i ka themelet në ujërat e një lumi të gjerë që, tradicionalisht, quhet Kanali i Madh. Pikërisht tek ky kanal i gjatë mbi 2 km e i thellë mbi 4 m merr rrugën e shtrirjes Venecia magjike. Kanali i madh dhe ujërat e tij e ndajnë qytetin në dy pjesë, me nga tri lagje secila. Tri lagje si trinjake, ku s’i veçon nga bukuria, por nga numri dhe karakteristikat e ndërtesave dhe rrugëve. Kudo që të shkelësh në lagje do të hedhësh këmbët në det ose në gondolë.

Galapagos
Edhe arkipelagu i ishujve vullkanikë të vendosur në Oqeanin Paqësor, karakterizuar nga një florë dhe fauna unike, është një parajsë e mahnitshme në rrezik, me ardhjen e specieve pushtuese dhe turizmit masiv.
Prej mijëra kilometrash larg nga Ekuadori e Amerika Qendrore, në një cep të Paqësorit ndodhet një arkipelag i përbërë nga 19 ishuj. Rezervë e Marinës dhe pasuri e njerëzimit, ku nuk është fare e pamundur të notosh pranë breshkave të ujit, iguanave detare apo edhe fokave, kjo tokë pret këdo për ta mrekulluar me pasuritë e saj natyrore. Janë pikërisht këta ishuj, ku për një moment mund të kalosh nga klima malore apo freskia e maleve vullkanike, në xhirot buzë detit, rërës dhe asnjëherë vetëm, por mund të jeni të shoqëruar nga një pinguin. Çdo vit ato janë destinacioni i mijëra turistëve, të cilët janë të prirur për të provuar kënaqësi të reja dhe jo të zakonshme.

Madagaskar

Në Oqeanin Indian, pyjet e Madagaskarit janë kërcënuar nga aktivitetet e njeriut të tilla si shpyllëzimi për të marrë tokë bujqësore. Si edhe fauna e tyre është e rrezikuar nga gjuetia. 165 milionë vjet më parë Madagaskari u nda nga Afrika në thuajse aty ku është sot. Format e jetës në këtë vend evoluan në izolim dhe ishulli u shndërrua në një lloj bote paralele me një identitet të vetin krejt të veçantë. Por shumë nga kjo botë është zhdukur tashmë nën presionin e qytetërimin. 80 për qind e Madagaskarit është transformuar nga dora e njeriut.

Deti i Vdekur

Deti i famshëm i kripës, i vendosur në mes të Izraelit dhe Jordanisë për disa vjet është subjekt i një dukurie të dyfishtë dhe të kundërtash: zona veriore është zvogëluar me 1.2 metra çdo vit për shkak të avullimit të fortë, që nuk kompensohet nga kontributi i rrjedhave ujore.
Është deti më i kripur, pika më e ulët e tokës, pa asnjë formë jete dhe për disa, më i shëndetshmi në botë. Gjatë shekujve është quajtur Deti i Qelbur, Deti i Djallit dhe Liqeni i Bitumit. Bibla e quan Deti i Kripur dhe Deti i Arabahut. Sipas një tregimi të vërtetuar nga shumë studiues, thellë në ujërat e tij gjenden rrënojat e Sodomës dhe të Gomorrës. Prandaj njihet edhe si Deti i Sodomës ose Deti i Lotit, personazhit biblik që përjetoi ngjarjet dramatike të lidhura me këto qytete. Disa nga këta emra nuk të lënë përshtypjen e një vendi të këndshëm për ta vizituar. E megjithatë, mijëra veta shkojnë ta shohin çdo vit këtë vend të pazakontë, që sot njihet në përgjithësi si Deti i Vdekur ose Deti i Kripur.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakKina që nuk njohim
Artikulli tjetërBashar el Assad, trashëgimtar pa dëshirën e tij