Vendi drejt greminës/ Rritet dyfish papunësia, listën e kryeson qarku i Ramës

Norma e papunësisë ra me rreth 1.2 pikë përqindje në shkallë vendi vitin e kaluar, por përkundrejt 2016-s papunësia u rrit më tej në 5 qarqe të vendit nga 12 gjithsej.
Sipas të dhënave të INSTAT, norma e papunësisë shënoi rritje më tej gjatë vitit të kaluar në qarqet e Lezhës, Vlorës, Beratit, Shkodrës dhe Fierit.
Normën më të lartë të papunësisë e ka Qarku i Vlorës, me 23.9% të forcës së punës mbi 15 vjeç. Kjo normë është gati 10% mbi mesataren kombëtare, teksa qyteti bregdetar ka të zhvilluar turizmin dhe industrinë për shkak se është edhe zonë portuale. Treguesi i papunësisë u përkeqësua më tej gjatë vitit 2017, duke shënuar rritje me 1 pikë përqindje në raport me vitin 2016.
Pas Vlorës, qarqet e Tiranës dhe Lezhës patën normat më të larta të papunësisë më 2017, me përkatësisht 16.1% secili.
Në Qarkun e Tiranës, papunësia gjatë 2017 ra me 3.4 pikë përqindje, ndërsa në Lezhë ky tregues pësoi rritje me 1.2 pikë përqindje. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Tiranë u ndikua nga rritja e numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë dhe atë të industrisë, teksa punësimi në sektorin e shërbimeve ka rënë.

Po normat më të larta të rritjes se papunësisë i ka përjetuar Qarku i Beratit, ku treguesi shënoi 12.8%, duke pësuar një kapërcim 4.1 pikë përqindje brenda vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në këtë qark është ndikuar nga ulja e punësimit në sektorin e bujqësisë me rreth 7 pikë përqindje brenda vitit. Megjithëse në këtë qark punësimi në sektorët e industrisë dhe shërbimeve është përmirësuar, rënia në sektorin e bujqësisë nuk u kompensua.
Papunësia u rrit me 2 pikë përqindje edhe në Qarkun e Shkodrës, duke shënuar 12.4% në vitin 2017. Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, në Qarkun e Shkodrës ka rënë punësimi në sektorin e industrisë.
Ndërsa qarqet që kanë shënuar rënien më të madhe të papunësisë ishin, Kukësi (4.3%), Elbasani (4.2%) dhe Durrësi (3.4%). Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Kukës ra prej nxitjes së punësimit në sektorin e shërbimeve me rreth 7 pikë përqindje. Ndërsa në qytetin e Durrësit punësimi është nxitur nga sektori i shërbimeve.
Dibra, Korça dhe Elbasani janë qarqet me normat më të ulëta të papunësisë në vend, përkatësisht me 7, 7.5 dhe 8.2%.

Exit mobile version