Dy persona janë vrarë me armë zjarri gjatë 24 orëve të fundit në Vlorë dhe në Shkodër. Mbrëmjen e të dielës u ekzekutua me armë zjarri një 37-vjeçar në Vlorë, ndërsa mesditën e djeshme u vra një 50-vjeçar në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në “Fushë të Cukalit”, Bashkia Vau i Dejës, ku u vra me armë zjarri automatik shtetasi, Mëhill Pali. Pali u qëllua me 6 plumba dhe u dërgua menjëherë në spital, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Policia bëri të ditur se, vrasja ka ndodhur për një vijë uji. Policia tha se ka arrestuar autorin e vrasjes, Pjetër Pjetri, banues në fshatin Logegaj, Bashkia Vau i Dejës.
Vendi ndodhet jashtë kontrollit, ku si pasojë përditë ndodhin vrasje, grabitje me armë dhe mbytje pushuesish në brigjet tona. Siguria e jetës së qytetarëve është në rrezik, ndërsa policia është e paaftë për të goditur krimin dhe për të vendosur rendin dhe sigurinë. Ndërsa përditë ndodhin vrasje e grabitje me maksa, kryeministri vazhdon shoun e tij nëpër qytete të ndryshme të vendit dhe nuk bën asnjë reagim për vrasjet në mes të ditës.
Si u ekzekutua me 6 plumba 37-vjeçari në Vlorë
Një vrasje e tipit mafioz ndodhi mbrëmjen në të dielës në qendër në qytetit të Vlorës. 37-vjeçari Marjen Xhaferaj u qëllua me 6 plumba pistolete në një tavolinë të lokalit të tij, në zonën e Lungomares. 37-vjeçari njihej në Vlorë me emrin “Reni” dhe është baba i tre fëmijëve. Ishte ora 21:15 kur një person iu afrua dhe e zbrazi karikatorin e pistoletës. Viktima kishte gjithashtu një pistoletë me vete, por nuk mundi ta përdorte. Vrasësi u largua në këmbë për të humbur gjurmët mes pallateve të shumta të zonës. Në momentin e atentatit ka pasur shumë pushues, të cilët janë tronditur nga ngjarja, duke krijuar një situatë jo të mirë si për ta ashtu edhe turistët e huaj që ndodhen në qytet.
Viktima ishte në tavolinë me një tjetër person, i cili nuk dihet ende nëse ka mundur ta shquajë atentatorin sa për të ndihmuar policinë që të ndërtojë një identikit. Marjen Xhaferaj mbeti i vdekur në vend. Policia tha se ai ishte një person me precedentë penalë. Kishte ndryshuar disa herë identitet. Njihej edhe si Marjen Omeri, e po ashtu edhe me disa emra të tjerë.
Të gjitha gjeneralitetet e ndryshuara dyshohet se kanë lidhje me të shkuarën e tij kriminale. E shkuara është edhe pista kryesore e hetimit. Por policia dyshon edhe për një lidhje me një ngjarje kriminale të dy viteve më parë, ku në afërsi të Portit të Durrësit mbeti i vrarë nipi i tij. Në këtë krim, ai kishte qenë dëshmitar. Xhaferaj dyshohet të ketë pasur probleme edhe kohët e fundit dhe kjo ishte arsyeja përse ai mbante me vete një pistoletë pa leje, e cila iu gjet nga policia në vendin ku ai u vra.
Hetimet e Prokurorisë
Dyshohet se vrasja e 37-vjeçarit në Vlorë ka lidhje me një ngjarje tjetër kriminale të ndodhur dy vite më parë, në afërsi të Portit të Durrësit, ku ka mbetur i vdekur nipi i viktimës. Burime pranë grupit hetimor bënë të ditur se dy muaj më parë, ai shpëtoi në një tentativë për ta eliminuar, në një kazino në Vlorë. Ngjarja nuk u bë publike në atë kohë. Por ngjarja më e bujshme është ajo e ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2015 në afërsi të Torres, përballë Portit të Durrësit. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i Renato Omerit.
Burime të rezervuara nga grupi hetimor sqarojnë se, shënjestër e atentatit me dy viktima, ka qenë pikërisht 37-vjeçari, baba i tre fëmijëve. Por ai ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave të dala nga dy kallashnikovë. Prej kësaj ngjarje 37-vjeçari ruhej, i kishte lëvizjet e kufizuara pranë shtëpise apo lokalit të tij dhe gjatë gjithë kohës lëvizte i armatosur.
Ai mbante një pistoletë në brez edhe kur u qëllua nga një person ende i paidentifikuar. Kjo është arma që policia e gjeti afër trupit të tij, në lokalin që ai kishte në zonën e Lungomares. Policia tha se, po heton disa pista në përpjekje për të gjetur autorin dhe motivin e krimit, ndërsa nuk përjashtohet që motivi i krimit nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka lidhje me të kaluarën e viktimës. Ai rezulton një person me precedent kriminal në Europë dhe kryesisht në Itali në fushën e narkotrafikut.
Përdorte disa emra, por vetëm dy kishte të regjistruar në gjendjen civile. Renato Omeri ishte emri i tij i vërtetë ,ndërsa njihej dhe si Marjen Omeri dhe Marjan Xhaferaj, duke mbajtur në këtë rast mbiemrin e bashkëshortes.
R.POLISI