Vendi ndodhet nën pushtetit e krimit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë ndodhur dy shpërthime të fuqishme tritoli në Gjirokastër dhe Vlorë. Shpërthimi i parë ka ndodhur rreth orës 01:30 në lagjen “Dunavat i dytë” në qytetin e Gjirokastrës. Një sasi tritoli është vendosur në banesën e shtetasit Gentian Liti dhe si pasojë ka mbetur i plagosur babai dhe djali i tij i vogël.
Shpërthimi i dytë ka ndodhur në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10, në lagjen “10 korriku”. Bëhet e ditur se i është vendosur lëndë eksplozive automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit S.B., 64 vjeç. Mjeti ka qenë i parkuar pranë banesës është dëmtuar në pjesën e përparme.
Gjirokastër, nga shpërthimi u plagos dhe djali i mitur
Nga shpërthimi i fuqishëm mbeti i plagosur vetë 34-vjeçari dhe djali i tij i mitur. Ngjarja ndodhi në lagjen “Dunavati i dytë” të Gjirokastrës dhe mendohet se lënda eksplozive ka qenë rreth 100 gram tritol C4. Po kështu ka pasur edhe dëme materiale në banesë. Autorët ende nuk janë kapur nga Policia e Gjirokastrës. I plagosuri u transportua për në Spitalin ‘Omer Nishani’ për ndihmë mjekësore. Më pas është marrë në pyetje nga grupi hetimor ku ka deklaruar se nuk kishte dijeni se kush mund ta ketë vendosur tritolin në banesën e tij.
Ky është atentati i dytë që po i bëhet Gentjan Litit. Në verën e vitit 2013, atij i ishte vendosur eksploziv në automjetin tip “Furgon”, të parkuar pranë banesës në lagjen ‘Dunavat i Dytë’. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.
34-vjeçari me profesion kasap, ka një dyqan mishi në zonën muzeale të Gjirokastrës. Dyshimet e hetuesve janë se të dy atentatet janë kryer nga e njëjta dorë. Ato mund të kenë lidhje me aktivitetin tregtar të Gentjan Litit, për çështje pronësie apo ndonjë konflikt tjetër. Subjekti i atentatit është i njohur edhe për Policinë e Gjirokastrës, pasi disa herë është paraqitur në komisariat për çështje konflikti në lidhje me pronësinë. Hetimet pritet të zbardhin më shumë rreth ngjarjes.
Tritoli në Vlorë në makinën e biznesmenit
Makina që u hodh nëerë me tritol në qytetin e Vlorës i përket një biznesmeni. Ngjarja e ndodhur në lagjen ‘10 korriku’ të qytetit të Vlorës, rreth orës 02:10 minuta. Automjeti tip ‘Audi A 2’ me targa AA 537 GL ishte i parkuar pranë banesës së shtetasit Sokrat Beqiri, i cili është dhe pronar i automjetit.
Sasia e lëndës eksplozive, tritol ishte vendosur në pjesën e përparme të automjetit, duke e dëmtuar thuajse plotësisht. Mësohet se Sokrat Beqiri 64 vjeç, është me profesion elektricist në qytetin e Vlorës dhe ka një biznes privat të tij. Policia nuk konfirmon ende shkaqet e vënies së tritolit, ndërsa ende nuk ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët.
64-vjeçari ka dhënë dhe dëshminë e tij në polici, ndërsa burime policore konfirmojnë se ky i fundit ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë që mund të kenë çuar në vendosjen e lëndës eksplozive. Ngjarja është regjistruar në një zonë, ku mungon ndriçimi, ndërsa mungesa në zonë edhe te ndonjë subjekti me kamera sigurie vështirëson ndjeshëm identifikimin e autorëve.
Rekord i zi, 11 shpërthime me tritol vetëm në 24 ditë
Vetëm në 24 ditë të këtij muaji kanë ndodhur 11 shpërthime me tritol. Deputeti i PD, Flamur Noka përmes një komenti në rrjetet sociale ka reaguar për gjendjen e rendit dhe sigurisë në vend. Noka shkruan se kanë ndodhur 11 goditje ndaj jetës dhe ndaj pronës me eksploziv vetëm këtë muaj”.
Referuar kështu rasteve të fundit në vetëm pak kohë, ku vetëm sot kishte dy raste me shpërthim eksploziv, deputeti i PD-së shprehet se nuk ka më asnjë arsye që duhet të presin shqiptarët nga kjo qeveri, thjesht të kërkojnë sa më parë largimin e saj.
“11 goditje ndaj jetës dhe ndaj pronës me eksploziv vetëm këtë muaj. Ky rekord i zi kriminal po ndodh në vend, vepër e bandave dhe grupeve kriminale që ndihen të fuqishme e të paprekshme për shkak të lidhjeve me qeverinë.
Një panik i vazhdueshëm që ka dëmtuar rëndë sigurinë e njerëzve, të biznesit dhe që mban larg investitorët e huaj. 11 shpërthime tritoli në më pak se 4 javë, janë treguesi i qartë se krimi bashkëqeveris me Edi Ramën dhe sundon kudo në vend. Kjo qeveri po tregon se nuk është zgjidhja për rendin e sigurinë.Ajo është kthyer në vetë problemin. Çdo gjë tjetër është estradë e propagandë bajate, si ato me konkurs e veting për policinë. Shqiptarët skaneë cfarë presin më, duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen. Rend e siguri ka vetëm me largimin e Edi Ramës”, shkruan Noka.
R.POLISI