Vendi nën terror, 6 të plagosur me armë zjarri gjatë 24 orëve

Rendi ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa krimi bën ligjin në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur tri ngjarje të rënda kriminale në Tiranë, Kavajë dhe Shëngjin, ku kanë mbetur të plagosur me armë 6 persona, ndërsa maskat grabisin çdo ditë. Vrasësit lëvizin me armë në mes të ditës, ndërsa policia është e paralizuar. Në të shumtën e rasteve autorët e krimeve janë njerëz të lidhur me zyrtarë të lartë dhe të partisë në pushtet.
Në Kavajë besniku i Ramës dhe Rroshit plagosi me armë kryetarin e Forumit Rinor të PD të Kavajës, Erkid Kazazi, babain e tij dhe një person tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Kavajës, pranë Bashkisë dhe agresori ishte Kurti që plagosi dje me armë kreun e Forumit Rinor të PD në Kavajë, babain e tij, si dhe një person të tretë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Bashkisë së Kavajës. Bëhet e ditur se banditi i Ramës dhe Rroshit, Sajmir Kurti ka shkuar në lokalin e Kazazëve dhe është konfliktuar me pronarin e lokalit, Eqerem Kazazi dhe djalin e tij, Erkid Kazazi. Pasi është konfliktuar fizikisht me Eqerem Kazazin dhe dy shtetasit e tjerë, Kurti ka dalë jashtë lokalit dhe ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të tyre, duke i lënë të plagosur.
Përveç Eqerem Kazazit u plagos dhe djali i tij, Erkid Kazazi, kryetar i Forumit Rinor të PD Kavajë, si dhe Dritan Xhika. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa agresori është larguar në drejtim të paditur për policinë.
Kurti është një militant i angazhuar në strukturat e PS, si dhe mbështetës i flaktë i Elvis Rroshit. Ai njihet si mik i kryetarit të PS së Kavajës, por edhe i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në vitin 2014, Kurti ka qenë drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë dhe është akuzuar nga PD si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik cigaresh. Pas akuzave Kurti ka dhënë dorëheqjen.

Dy të plagosur me armë në Shëngjin

Në Shëngjin u plagosën dy persona në mes të ditës nga shkëmbimi i zjarrit me armë. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa banorët e Shëngjinit janë përfshirë nga paniku dhe frika.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:30 tek Lapidari ku ka patur një përplasje me armë. Bëhet e ditur se shtetasi Gertian Malshi, 38 vjeç banues në Pllanë ka plagosur me armë gjahu shtetasen Mimoza Aliaj, 49 vjeç, banuese në Shëngjin. Në konflikt e sipër, bashkëshorti i shtetases Mimoza Aliaj, shtetasi Gëzim Aliaj, 52 vjeç ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gertian Malshi. Policia bëri të ditur se plagosjet kanë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur në qytet ka patur shumë lëvizje. Banorët kanë mbetur të terrorizuar nga breshëritë e armëve. Shumë prej tyre kanë vrapuar për t’i shpëtuar plumbave.

Maskat terror në supermarket në Kamëz

Ndërsa në Kamëz një persona i maskuar plagosi me kallashnikov shitësen e një supermarketi ku kishte shkuar për të grabitur. Grabitësi i maskuar dhe i armatosur ka qëlluar disa herë dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shitësja A. Dushku, 25 vjeç. Bëhet e ditur se 25-vjeçarja, e cila nuk ka kuptuar rrethanën është afruar pranë kasës. Kjo ka qenë fatale për të renë, pasi grabitësi ka nisur të qëllojë dhe plumbat e kanë plagosur në këmbë. Në tentativë për t’u larguar nga marketi, agresori ka qëlluar sërish mbi punonjësen. Ajo është dërguar në gjendje të rëndë për jetën drejt spitalit.
Policia nuk e ka identifikuar ende autorin. Kamerat kanë fiksuar momentin kur autori hyn në market, si edhe momentin kur largohet me vrap me armë në dorë. Personi i maskuar ka hyrë në supermarket dhe ka qëlluar pa folur. Pastaj ka dalë jashtë dhe nis të largohet, por kthehet sërish në market duke kërcënuar të gjithë punonjësit dhe klientët: “Do iu vras të gjithëve”, dhe qëllon sërish me breshëri automatiku.
Plumbat kanë bërë rikoshetë, kanë prekur xhamat e marketit, por edhe të një biznesi afër, një shoqërie financiare. Në market ka qenë edhe një agjent policie ndaj të cilit është qëlluar, por fatmirësisht plumbat nuk e kanë kapur. Personi ka qenë i veshur me një xhup të errët, pantallona të zeza dhe një palë atlete të vjetra. Grabitësi është larguar në këmbë nga vendngjarja.
Grabitja me armë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Kamëz, ku dy persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të grabisnin një supermarket, sipas dëshmitarëve në ngjarje makina nga ku u largua autori me kallash në dorë ishte me flamurin shqiptar sipër.
Ndërkohë, një dëshmitar që ndodhej në lokalin përballë vendngjarjes tregon se kanë qenë dy grabitës. Ai thotë se autorët kanë përdorur për ngjarjen një makinë të mbuluar me flamurin shqiptar. Rrugët kanë qenë të boshatisura nga kalimtarët, pasi shumica e tyre kanë qenë të ulur nëpër lokale duke parë ndeshjen e “Euro 2016”, Gjermani-Poloni. Ndërsa supermarketi që ata kishin si synim të grabisnin ishte drejt mbylljes dhe ky ishte qëllimi, që të vidhnin paratë e xhiros që do të transportoheshin nga policia private.

R.POLISI

Exit mobile version