Vendi nën terror, vrasja në Fier e paralajmëruar

Vrasjet janë kthyer tashmë në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin, ndërsa policia është e paaftë për të siguruar rendin dhe qetësinë. Të dielën u vra me 30 plumba një 34-vjeçar në qytetin e Fierit. 34-vjeçari Nelgert Pata, nga Tepelena, është vrarë me armë brenda në makinën e tij tip “Volkswagen”. Bëhet e ditur se kjo vrasje ishte e paralajmëruar, pasi viktimës i ishte bërë një atentat tre ditë para vrasjes në Tiranë, ndërsa policia jo vetëm që nuk e publikoi lajmin, por nuk kreu asnjë hetim për të zbuluar autorët e atentatit të dështuar që çoi më pas në ekzekutimin e 34-vjeçarit në Fier, ku ai ishte strehuar në një hotel për t’i shpëtuar vrasësve që ishin vënë në ndjekje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, tre ditë përpara se të ekzekutohej me 30 plumba, Nelgert Pata i kishte shpëtuar një tjetër atentati, në Tiranë. Për këtë arsye, ai kishte ikur nga kryeqyteti për t’u fshehur në Fier. Më 17 nëntor, ai kishte parë disa persona të dyshimtë, teksa po qëndronte në një lokal në rrugën e “Kavajës”, pikërisht në vendin ku u plagos më 21 gusht të këtij viti. Ka bërë një telefonatë në polici, por më pas është zhdukur, duke lënë në mjegull gjithçka. Forcat e rendit kanë verifikuar telefonatën, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Kjo ishte tentativa e tretë për ta eliminuar atë. Burimet konfirmuan se një tjetër tentativë ka ndodhur disa javë më parë në Fier. Sipas të njëjtave burime, ai është ndjekur nga disa persona, por ndaj tij nuk është qëlluar. Edhe për këtë rast, ai ka vënë në dijeni Policinë e Fierit. Por ai nuk është paraqitur asnjëherë vetë në polici për të kërkuar mbrojtje. Tentativa e parë për ta vrarë atë ishte ajo e 21 gushtit, pranë Parkut të Autobusëve, ku mbeti i plagosur.
Një detaj tjetër është se, makina me të cilën udhëtonte viktima nuk është e tij. Në çantën e Patës, ku mbante sende personale policia ka gjetur çelësat e një automjeti, i cili është gjetur më pas në parkimin e hotelit.
Në sitë hetuesit do të kalojnë dhe komunikimet telefonike të viktimës, për të verifikuar se me kë ka komunikuar para se të dilte nga dhoma e hotelit. Duke patur parasysh armiqësitë e tij, Pata lëvizte gjithmonë me makinë të blinduar, por ditën e dielë, ai udhëtonte me një makinë normale. Nga të dhënat rezulton se, mjeti që është gjetur në parkim në pronësi të Patës rezulton me targa false.
Gjithashtu edhe mjeti i autorëve që u gjet i djegur pas krimit në afërsi të fshatit Zhupan kishte targa false italiane. Nga mënyra e djegies së mjetit, lënia e armëve në makinën e djegur grupi hetimor dyshon se autorët janë vrasës me pagesë.
Autorët janë kujdesur deri në detaje për të mos lënë asnjë gjurmë pas. I plagosuri Ari Haliani, që drejtonte makinën ku gjendej Nelgert Pata, ka deklaruar se nuk ka mundur t’i shohë në fytyrë dy vrasësit. Policia ka marrë në pyetje disa persona në Fier e Tiranë, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.
Vendi ku u vra Nelgert Pata është ende një skenë krimi për policinë. Agjentë janë rikthyer përsëri aty për të mbledhur dëshmi dhe prova. Burime nga grupi hetimor thonë se Nelgert Pata dyshohet se, prej të paktën tre ditësh ndiqej nga autorët. Prej të premtes 34-vjeçari qëndronte në një hotel vetëm 100 metra larg vendin ku ndodhi krimi.
Gjatë kësaj kohë, atentatorët kanë studiuar lëvizjet që kryente Pata, për të organizuar më pas vrasjen dhe mënyrën si do ta kryenin atë. Dyshohet se dy vrasësit kanë patur edhe një bashkëpunëtor që ka qëndruar përballë hotelit. Sapo ka dalë, vrasësit që qëndronin në një makinë të vjedhur tip “Mercedes”, janë sinjalizuar se Pata hipi në makinën e tij “Volkswagen” dhe po shkonte drejt tyre. Dy breshëri kallashnikovi janë zbrazur 100 metër larg hotelit. 30 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes. Hetuesit ende e kanë të paqartë arsyen përse 34-vjeçari po qëndronte në këtë hotel.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së hoteli për të parë hyrje – daljet e tij, personat më të cilët shoqërohej si dhe individë të tjerë për të cilët mund të lindin dyshime. Hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se Nelgert Pata mund të jetë nxjerrë në pritë, pasi autorët kishin bërë planin për mënyrën e eliminimit të tij.

Bandat egërsohen, vrasjet nën hundën e policisë

Hakmarrja mes dy bandave duket se s’do të ketë një fund. Madje çdo ditë e më shumë ajo po egërsohet, duke arritur të vrasin kokat kryesore të bandave përkatëse. Zanafilla e historisë kriminale ka nisur vite më parë, kur Jani Aliaj qëlloi me thikë shokun e ngushtë të Elton Çiços. Vrasja detyroi Çiçon të betohej për hakmarrje. Ngjarja ndodhi në vitin 2000.
Dy të rinjtë nga Tepelena, emigrojnë në Greqi ku merren me aktivitete kriminale. 3 vite më vonë ata arrestohen dhe si për ironi të fatit vuajnë dënimin në të njëjtin burg. Konflikti nuk mungon as këtu. Elton Çiço qëllon me thikë Jani Aliajn ku ky i fundit mbetet i plagosur.
Pasi dalin nga burgu, të dy kthehen në Shqipëri, më të revoltuar me njëri-tjetrin, më të fuqizuar dhe filluan të rekrutonin të rinj, duke i bërë pjesë të bandave të tyre. Ndërsa vijonin aktivitetin kriminal, kryesisht në fushën e trafikimit të narkotrafikut, aq më shumë rritej dhe etja për hakmarrje, pasi veç plagosjes së shokut të Çiços nga Aliaj në vitin 2000, tani mes tyre kishte edhe një tjetër konflikt të hapur, atë të prishjes së pazareve të drogës.
Hakmarrja vazhdoi në Shqipëri. Në mars të vitit 2015, Çiços i dhunojnë prindërit brenda në banesën e tyre në Tepelenë. Mesazhi ishte i qartë për Çiçon. Ai nuk vonoi, dhe nisi menjëherë identifikimin e autorëve që i dhunuan prindërit.
3 muaj më vonë, ekzekutohet personi që dyshohej si një prej autorëve ndaj dhunës të të moshuarve të Çiços. Robert Rama ekzekutohet në 10 qershor në zonën e njohur si “Ish-Këneta” në Durrës.
Një muaj më pas, më 4 maj 2015, autorit të dytë të grabitjes, atij që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit, i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.
Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë, por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.
Hakmarrja mes bandave vazhdon edhe në vitin 2016. Më 10 janar, Elton Çiço qëllon ndaj Jani Aliaj, por këtë të fundin nuk e kap asnjë plumb.
Ndaj Jani Aliajt bëhet një tjetër atentat në prill të 2016-ës në Gjirokastër, ku mbeti i plagosur lehtë në dorë. Ai nuk e denoncoi në polici këtë atentat, duke thënë se nuk kishte konflikt me asnjë. Por një javë më vonë, më 1 maj, ai vret me pistoletë Elton Çiçon. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.
4 muaj më vonë më 1 shtator, i bëhet atentat Nelger Patës në Tiranë ku plagoset lehtë në vesh. Ky i fundit ishte kundërshtar me Çiçon. E dy muaj më pas, në tetor, i bëhet atentat shokut të ngushtë të Elton Çiços, Andi Mustafaraj. Një vrasës me pagesë e qëllon 4 herë në bark, por fatmirësisht Mustafaraj i shpëton këtij atentati.
Nuk vonoi shumë, dhe pak javë më pas, qëllohet me breshëri kallashnikovi Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe armik i Elton Çiços. Kjo është hakmarrja e radhës, por nuk dihet në është e fundit…

Viktimën e atentatit e kërkonte policia prej 3 muajsh, por e gjeti banda

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së ndodhur në Fier, ku u ekzekutua me një breshëri kallashnikovi, Nelgert Pata. Me një deklaratë për median, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se, policia po e kërkonte prej 3 muajsh, por e gjeti banda. “Viktima e atentatit mafioz dje në Fier, Nelgert Pata, ishte prej 21 gushtit të këtij viti në kërkim nga policia, pasi iu bë një atentat në Tiranë, dhe ai nuk u paraqit në polici, nuk dha dëshmi, nuk bashkëpunoi, nuk denoncoi. Në kërkim, sipas një emërtimi burokratik, pasi viktima jo vetëm nuk kërkohej nga policia, por krerët e saj, të përfshirë në një histori kriminale me të paktën 4 të vrarë deri tani, ofronin mbrojtje ose lehtësi sipas rastit. Pra, policia e shpall zyrtarisht në kërkim prej 3 muajsh dhe nuk e gjen personin edhe pse ai lëviz lirshëm në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por e gjen banda dhe e ekzekuton. Ky është shteti i Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.
Sipas Alibeajt, kjo është një dëshmi e freskët dhe dramatike se si krerët e policisë të përfshirë në trafiqe e të ndarë sipas bandave, nuk zbatojnë ligjin, por u shërbejnë interesave kriminale. “Nuk ka rend e siguri me këtë qeveri, me këtë ministër të Brendshëm. Qytetarët kanë nevojë për sundim të ligjit dhe jo të bandave”, përfundoi Alibeaj.

Exit mobile version