Ish- kryeministri Sali Berisha denoncoi në parlament qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se me politikat e tyre dritëshkurtëra dhe korrupsionin kanë rrënuar ekonominë e shqiptarëve, duke e kthyer vendin vite pas në mjerim dhe mungesë shprese. Në përgjigje të propagandës qeveritare me mashtrime dhe justifikime, Berisha tha se “Disa kohë më parë në këtë Parlament i dhashë një këshillë të sinqertë dhe miqësore Edi Ramës. I dhashë një këshillë, të cilën ma kishte dhënë në fëmijërinë time më të hershme një mësues ndaj të cilit i jam shumë mirënjohës: mos lexo para të tjerëve asgjë që nuk kupton, se del byk. Dhe e vërteta është se këtë këshillë, njeriu i vetëm në këtë sallë që s’mund të ma pranojë është Edi Rama, për fatin e vetëm se po t’i përmbahet kësaj do të flasë vetëm për shkarravinat e tij dhe për asgjë tjetër. S’do tëmund të flasë për gjë tjetër përveçse për shkarravinat që s’ua hedh kush sytë kurrë, për foto, për llogje, për retorikë boshe. Por ky le të vazhdojë, edhe unë tani jam këtu për t’i kthyer përgjigje.
Fole për zhvillimin, por je i pafajshëm se në mënyrë absolute nuk di se ç’do të thotë zhvillim, nuk di se ç’do të thotë se ku bazohet zhvillimi, nuk di ç’do të thotë zhvillim i qëndrueshëm, nuk di ç’do të thotë zhvillim tërësor. Natyrisht, kur je tabula rasa në këto koncepte, atëherë flet ashtu siç fole ti qëparë. Ti nuk di se ç’do të thotë investime, klimë biznesi, rritje ekonomike, borxh publik, ndaj dhe flet këtu si analfabet.
Në vitin 2005 ky vend renditej në grupin e vendeve, nga ato institucione që ti pëlqen t’i përmendësh por s’di t’i lexosh, me të ardhura të ulëta. Në një hark kohor 8-vjeçar, ky vend kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta për çka Banka Botërore hoqi kredinë e butë, për çka miqtë tanë amerikanë, të cilët na kishin vënë në provë për të fituar qindra milionë dollarë në kuadrin e Milenium Challenge Account. Ne, në përpjekjen tonë për të fituar ato qindra milionë ia dolëm të plotësojmë një për një kushtet e qeverisë amerikane. Ato nuk i fituam vetëm për një shkak dhe kjo është e shkruajtur, sepse kaluam nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe ligji amerikan nuk e lejonte një ndihmë të tillë falas ndaj një vendi me këto të ardhura.
Qeveria Rama asnjë investim, vetëm tendera për të vjedhur
Por këto janë shifra, ndërsa tani do u referohem fakteve. Në tre vjet nuk u tregon dot shqiptarëve se ke bërë një kilometër rrugë të vetme. Në tre vjet u tregon turpin më të madh, se po ndërton 930 metra rrugë me 9.9 milionë dollarë. Ti po vjedh së paku, minimumi 7 mln dollarë sepse po ndërton 930 metra rrugë në Lin me 9.9 mln dollarë në një kohë që çmimi i një kilometri të tunelit të Krrabës kushton rreth 10 mln dollarë. Megjithatë akoma s’ke qenë i zoti, s’ke patur fuqi, s’ke patur zotësi t’u tregosh qytetarëve të tu qoftë dhe një kilometër rrugë të përfunduar, ndërkohë në 8 vite nga Konispoli, Kakavija, Qafë Korça deri në Han të Hotit, në Morinë, në Qafë Morinë, në Morinë të Kukësit, në Tropojë janë ndërtuar dhe rindërtuar, në çdo fshat e qytet në skaj të këtij vendi 11.300 km rrugë. Janë ndërtuar vetëm tunele, 16 km tunele të standardeve më të larta europiane. Vetëm në njërën rrugë të ndërtuar janë lëvizur materiale 3 herë më shumë se në kaskadën e Drinit. Janë ndërtuar mbi 720 ujësjellësa e kanalizime, nuk ke ndërtuar një ujësjellës të vetëm apo një sistem kanalizimi. U ndërtuan 140 km kanale në fushë, nuk ke ndërtuar një metër kanale.
(të qeshura në sallë nga deputetët e PS) O tendermenë, unë e di se tenderat ju shkaktojnë gazrat më të mëdha, prandaj dhe reagoni në këtë mënyrë.
Pra, janë ndërtuar 140 km kanale. U fillua nga Peqini, u vazhdua në Gosë, më pas në Lushnjë, u bënë përpjekje të mëdha për të mbrojtur tokën nga kalbëzimi, nga bletëzimi.
U bënë investime të mëdha. Vetëm në fshatrat shqiptare dhe në zonat rurale të këtij vendi janë investuar 3.6 miliardë dollarë, por ato nuk ekzistojnë për ty. Se nuk të pëlqejnë. Ju e keni gjetur, po nuk ju pëlqeu një gjë, atëherë ajo nuk ekziston, por ja që ekzistojnë në fakt.
Në rrugën e Gjirokastrës 7 km rrugë mbetën pa u asfaltuar. Shkoi rruga deri në majë të Çajupit, po ecën drejt Golemit. U bënë me infrastrukturë fshatrat e Lunxhërisë. Shko pak në Asim Zenel, shko në Antigonë e fshatra të tjerë. Nuk është Gjirokastra në apartamentin tënd. Shkoni dhe shikoni se ku shkon rruga.
Këta janë sekti i tenderave, këta vetëm aty e kanë mendjen. Kjo që po thoni është shumë jo serioze, se vetëm në qytetin tënd, në meremetimin e atyre shtëpive dhe sokaqeve, janë investuar 11 milionë euro. Po të doni jua marr me radhë, nga Hani i Zagorisë tek Angonatajt etj., etj. Unë jua them, por ti jeton në kullën tënde të fildishtë dhe e ke mendjen se ku pikojnë tenderat.
Duhet të dish ç’është zhvillimi. Zhvillim pa infrastrukturë nuk ka dhe infrastruktura është kushti themelor i zhvillimit. Mësoje mirë o shkarravitës, se rruga është element thelbësor i zhvillimit, se zhvillimi fillon me rrugën. Banka Botërore ka një seri studimesh në të cilat fakton se investimi në rrugë është investimi që 4 ose 5-fishon veten me shpejtësinë më të madhe. Se investimi në rrugë është kusht për zhvillimin e tregut, është kusht për zhvillimin e arsimit. Rruga është treg, rruga është zhvillim, rruga është arsim, rruga është shëndet, sepse afrohet ndihma mjekësore. Po për ty kjo nuk ka rëndësi.
Zhvillimi ka edhe një kusht tjetër. Po të investosh për zhvillim të qëndrueshëm duhet të investosh që veprat t’i trashëgojnë brezat. Nëse ti investon në vepra, të cilat prodhojnë të ardhura të mira edhe për gjeneratën tjetër, kjo është rruga më e sigurtë e zhvillimit të qëndrueshëm. Problemi është se duhet kuptuar koncepti për këtë qëllim. Nga qeveria që ti me nihilizmin tënd, me të cilin dëshmon para së gjithash se nuk di asgjë, nihilistët janë fondamentalistë që nuk kanë asnjë ide, u firmosën dhe filluan punimet në 423 vepra energjetike, kanë përfunduar sot 105 prej tyre dhe këto japin 27% të energjisë që konsumon vendi.
Ishe në Banjë (idrejtohet Gjiknurit). Ky inauguronte fillimin e mbushjes së liqenit dhe kjo është shumë mirë, por mos harroni se më 13 qershor 2013 në fushatë elektorale kur ne inauguronim me Statkraft punimet, Edi u thoshte gramshiotëve se ky është mashtrimi i radhës. U tenderuan 423 hidrocentrale në të katër anët e vendit, disa prej të cilave janë kryevepra inxhinierike, siç është Ashta, siç është Fani, siç është Devolli etj. Ke firmosur deri tani vetëm një hidrocentral, atë me të cilin shkelmove zotimin tënd, unë nuk e qortoj. Më thonë se ke firmosur Poçemin, mirë ke bërë nëse e ke firmosur. Kanionet e Vjosës mos i prek, sepse ka projekte që ndërtohen hidrocentrale dhe kanionet ruhen. Ti e fillove me diga të mëdha dhe Poçemi është nga digat të mëdha fare. Në tre vjet ke dhënë një hidrocentral dhe atë e ke gjetur të gatshëm Poçemin, por ne nuk e kishim firmosur, e firmose ti, shumë mirë ke bërë.
2.8 miliard Euro u larguan nga Shqipëria në dy vitet e fundit
Nuk ke bërë asnjë kilometër rrugë. Ti nuk e ke idenë se çfarë është zhvillimi. Infrastruktura rrugore, infrastruktura në tërësi kërkon edhe një infrastrukturë tjetër dhe pa një infrastrukturë tjetër nuk ka zhvillim dhe kjo është infrastruktura e telekomunikacionit, infrastruktura dixhitale. E gjetëm Shqipërinë me 4.8% penetrimin e internetit, akti i parë që bëre, nga fobitë dhe obsesionet e tmerrshme që ke, urdhërove kushërirën të presë kabllat e “e-government” dhe hoqe kompjuterët se dyshove se unë apo agjenturat e huaja do të regjistronin barcoletat bajate që tregon në mbledhjen e kabinetit dhe u ktheve tek Adil Çarçani, pa asnjë gjë teknologjike. Në një kohë kur, sot në mbarë Europën, e-kabinetet janë domosdoshmëri me të cilat u kursen taksapaguesve shqiptarë qindra ton letër e bojë, kursen daktilografiste e shkresa. I zhduke këto se u ktheve me kohën e dajë Kolekës. T’u zgjua gjeni i tij dhe u ktheve mbrapsht dhe i hoqe këto se i ka vënë armiku Berisha. Deklarove para ca kohësh se po vendosim internetin në shkolla. Internetin e vendosëm ne, mbi 2 mijë shkolla, internet të çertifikuar. Ulëm çmimin e tij të paktën me dhjetë herë, hapëm në mbarë vendin qindra pika falas interneti.
Ti nuk di ç’është zhvillimi. Zhvillim është të zhvillosh me intensitet të madh komunikacionin. 3 deri në 5 herë u ulën të gjitha çmimet e telefonisë celulare. 3 deri në 5 herë shqiptarët i gjetën tek cërr-cërr-i, se më parë thoshin më bëj një cërr dhe u kthyen në qytetarë që flisnin me kilometra të tëra.
Shqiptarët, nga afër zeros, lanë prapa vende të tëra në përdorimin e Facebook-ut. Sigurisht, bixhozçinjtë, karagjozëve dhe të tjerë ju duken çudira. Ka statistika Europa dhe bota. Nuk funksionojnë me statistikat tuaja. Funksionojnë me statistika të sakta. U ndërtua me shpejtësi një infrastrukturë dixhitale, e cila u shtri 3G në të katër anët e vendit, u firmos marrëveshja dhe filloi të funksionojë autostrada dixhitale me Kosovën, e cila kishte një fluks të madh interneti dhe u bë një rënie e madhe e çmimeve. Interneti, nga një mollë e ndaluar u bë një mjet i përdorur nga të gjithë.
Zhvillimi është pa diskutim, investime, investime. Pa investime nuk ka zhvillim. Mesatarja 8-vjeçare e para 2005 sipas Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim ishte 74 milionë dollarë në vit. Arriti në 300 milionë kur ju shitët Bankën e Kursimeve dhe Bankën Bujqësore. Sa arritën investimet nga viti 2008 në vitin 2013, lexo pak, po nuk di të lexosh se ti nuk mban një këshilltar për financat, mban psikoanalist e gjithçka, por nuk ka kush të të lexojë shifrat.
Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregtisë, shpallën Shqipërinë si vendin që mori investime të huaja më shumë sesa kapacitetet. Çoja këtij anglishtfolësit të të bëjë një përmbledhje. Shqipëria mori çdo vit mbi 1 miliard dollarë investime. Ti nuk ju tregon dot shqiptarëve një investim serioz të huaj në tre vjet. Nuk vjen kush. Ku lënë larot e tu që të vijnë të huajt këtu. Përkundrazi, sipas Bankës së Shqipërisë, në dy vitet e para u larguan 2.8 miliardë euro nga Shqipëria. Sipas Bankës së Shqipërisë investimet janë në pikiatë dhe këto investime janë të TAP, Devollit dhe Fan. Të gjitha të kontraktuara, të inauguruara gjatë periudhës që unë kam qenë Kryeministër.
Berisha-Ramës: Sukseset e mia nuk mbulojnë dështimin tënd
Ti nuk mund të jetosh akoma me të miat. Me ato do të mbulosh dështimin tënd! Nuk e mbulon me sukseset e mia dështimin tënd. A është energjetika një kusht tjetër madhor i zhvillimit. Unë fola për energjinë ujore, por Shqipëria u shndërrua në nyje kyçe të projektit më të madh të Europës së sotme, korridorit të Jugut, gazsjellësit Trans Adriatik. Të pashë që firmose tuba. Ato të kanë mbetur. Por problemi është se shqiptarët kanë nevojë për investime të tjera. Ato u siguruan nga ne. TAP është një nga veprat me rëndësinë më të jashtëzakonshme, jo vetëm për zhvillimin, por edhe për forcën gjeopolitike të Shqipërisë në një nga sektorët më nevralgjikë për Europën dhe rajonin. Çfarë ke bërë? Po ikin investitorët. Kush po i zëvendëson? Po i zëvendësojnë bandat. A e dini ju që gjithçka e ka Besniku i partisë? Në Mallakastër është një mjerim i madh shumë. Sot Ballshi është një nga qytetet më të mjera të Shqipërisë. Aty janë gati 1200 punëtorë, familjarë që prej 10 muajsh nuk marrin një qindarkë nga Besniku, të cilëve nuk ju japin më as me listë, as kredi, që i shpërndajnë fëmijët nëpër fshatra ku të munden dhe ku kanë njerëz të njohur. Pse kjo? Sepse Besniku i partisë, ky mafioz që ju thotë po e sulmoj, fabrikën tjetër të ARMO-s që ka në Fier, me të cilën duhet të paguajë çdo muaj rreth 1 milion euro qira, nuk jep një qindarkë dhe ai 1 milion euro përdorej vetëm për një qëllim; përdorej për rrogat e punonjësve të uzinës.
Të dashur punonjës të uzinës, shkaku i vuajtjeve tuaja është ky zotëria këtu, që ju lëshoi mafien në shpinë. Është ky zotëria këtu, një mafioz. Duhet ta dini se kompanitë më serioze londineze erdhën për të blerë ARMO-n, por Besniku i partisë, çorapja e partisë, i thotë një diplomati që u interesua për këtë kompani se, le kokën po u more me këtë punë. Ky diplomat mik i Shqipërisë informon autoritetet më të larta. Këtij çorapes, i kapet i vëllai, Ajeti bashkë me Përparimin, me laboratorin dhe sasinë më të madhe të drogës në Durrës, grupi që u kap te lokomotiva në Durrës ku ishte dhe Gysi.
Pra, ky nuk është zhvillimi! Ky është rrënimi!
Ti nuk e di çfarë është zhvillimi dhe meqë nuk di, unë them se je i pafajshëm, megjithëse “padija nuk është argument” thotë latini, po për ty edhe mund ta pranojmë.
Ti zotëri dole këtu dhe the disa gjëra, të cilat nuk mund t’i pranoj. Kësaj zonjës (ministrja Kumbaro) që doli këtu dhe foli për investimet, po i kujtoj, se vetëm në fshatrat e Bregut në objektet kulturore janë investuar 37 milionë euro nga Banka Botërore. Kanë mbetur vetëm një ose dy rrugë të vogla të paasfaltuara, të gjitha rrugët atje janë asfaltuar.
Në vend që të më falënderosh mua që të kam krijuar gjithë ato kushte që të pleqërosh me Koçon, se nuk kisha dëgjuar ndonjë burrë të thotë se do të pleqëroj me një burrë, por sërish, në respekt të plotë të ligjeve të këtij vendi unë absolutisht qëndroj besnik i tyre dhe e respektoj.
The se në Qarkun e Vlorës nuk është bërë asnjë investim. Më dëgjo pak se do të të quaj Edvin gënjeshtra. Pse do të quaj kështu? Sepse këtu do të ballafaqohemi me të dhëna.
Në Qarkun e Vlorës në 8 vite janë investuar 850 milionë dollarë.
• Janë ndërtuar mbi 730 km rrugë kombëtare dhe rurale me 310 milionë dollarë.
• Janë ndërtuar 300 km rrugë kombëtare me 250 milionë dollarë.
• Janë ndërtuar 330 km rrugë në komuna dhe bashki me 50 milionë dollarë. Janë ndërtuar 100 km rrugë nga Fondi Rural i Zhvillimit 27 milionë dollarë.
– U ndërtuan 89 qendra shëndetësore e ambulancë.
– U ndërtuan 73 shkolla, të rindërtuara dhe të rikonstruktuara.
– U ndërtua rruga Orikum-Sarandë, 80 km, 84 mln dollarë.
– U ndërtua autostrada Vlorë-Fier, 21 km, 42 mln dollarë, me dy ura nga më të mirat në vend.
– U ndërtua superstrada Qafë Botë–Kranë, 43 mln dollarë, 40 km.
– U ndërtuan rrugë lidhëse të të gjitha fshatrave të bregut me detin, 21 mln dollarë.
– U ndërtua rruga Butrint-kanali Cukës, 20 km, 12. 5 mln dollarë.
– U ndërtua hyrja e Sarandës, 2.5 km, 5 mln dollarë. Pra, hyrja e Sarandës, një nga hyrjet më të gjera, 2.5 km me 5 mln dollarë, ndërsa hyrja e fshatit Lin, që po bëni ju, 900 metra po i ndërtoni me 9.9 mln dollarë. Hajde vjedhje hajde!
• U ndërtua rruga Transballkanike, një rrugë 60 m e gjerë, 3 km, kushtoi 8.4 mln dollarë.
• U ndërtua rruga Delvinë – Skërficë, 9 km, 14 mln dollarë.
• U rindërtua rruga Vlorë-Drashovicë-Urë e Peshkëpisë-Selenicë, 15 km, 5.5 mln dollarë.
– U ndërtua rruga e Xarës, te ai Dhimo Koti që e ke si simbolin e suksesit, 11 km, 2. 3 mln dollarë.
– U ndërtua rruga Kotë-Sevraster, që ti nuk e di as ku bie Sevrasteri, 15 km, 5.2 mln dollarë.
• U la në ndërtim e sipër rruga Novoselë-Bisht Porro, 12 km, 5.5 mln dollarë.
• U siguruan fondet dhe u bë projekti për by pass-in e Vlorës që kalon nga Panaja dhe del në Tragjas, 40 mln dollarë. S’kanë ecur asnjë kilometër këta sepse qëndrojnë dhe vjedhin.
– U restauruan 30 objekte dhe u bë plani rregullues i Jugut, i cili nuk lejonte kurrë përdorimin klientelist. Ai kryetari i bashkisë që ishte, ai ç’është e vërteta përveç gabimit që bëri se nuk i futi rruspat ndërtimit të Koços që bllokoi Himarën, se leja ishte e mëparshme, ai e ruajti Bregun dhe ti s’mund të japësh një shembull që ai të ketë dëmtuar bregun përveç kullës tënde me Koçon në Qeparo, të cilët ju e ndërtuat në kundërshtim me 6 ligje të shtetit.
• Në Qarkun e Vlorës numri i bizneseve u dyfishua. Merr regjistrat e tatimeve, do të shohësh që nga 6500 që ishte, nr i tyre kaloi në 12.540 biznese.
• Në bujqësi u subvencionuan 21 mln euro. Por ti gënjen dhe bën gënjeshtra vulgare. Vetëm në ullishte janë subvencionuar 1300 hektarë.
Zoti Anastas (i drejtohet dep Angjeli), mos e shih orën, ai e mbushi me gënjeshtra, por ti je financier dhe unë po të them të vërteta. Ti kur dëgjove nihilizmin e tij do tëdëgjosh dhe të vërtetat e mia.
• U licencuan 30 HEC-e dhe filloi ndërtimi i tyre.
– U investuan në fushën e hidrokarbureve 62 mln euro. Vetëm Petrolifera investoi 57 mln euro duke i zgjidhur punë gjithë Jugut të Shqipërisë sepse u bë qendra kryesore e furnizimit me karburant.
• Në sistem energjetik u investuan nga buxheti i shtetit 370 mln euro. U ndërtua TEC i Vlorës me 120 mln euro.
• U rindërtuan HEC-et e Bistricës dhe Smokthinës, me një shumë prej rreth 40 mln euro.
• U investuan në Unazën e Jugut, 25 mln euro kredi e Koresë së Jugut. Po injoranca nuk është argument. I ke të gjitha të dhënat aty, por s’di ç’është energjetika dhe kur vihesh si elif matrak aty ku s’duhesh, kështu do tëpërfundosh.
• Ke inauguruar tre herë Babicën. Në Babicë janë investuar 13 mln euro.
• Në centralin e Vlorës janë investuar 4 mln euro.
• U shtri rrjeti 20 kv.
• Vetëm në Orikum janë investuar në energjetikë, ujësjellës, kanalizime rreth 30 mln euro.
Natyrisht që do tëqeshni ju se nuk keni pse mos qeshni, ju jetoni me ato sa u japin.
• Në Delvinë u ndërtuan 35 km rrugë dhe konkretisht: rruga Delvinë-Mesopotam-Finiq.
Pra, këto ishin një për një investimet e bëra në Qarkun e Vlorës dhe këto më detyrojnë mua të të them ty “Edvin gënjeshtra”.
Vizioni i ryshfetit ka bllokuar qindra projekte zhvillimi
“Rruga, tha Mr. 30%-shi, s’është gjë, është një projekt, paratë, firma e ndërtimit dhe kaq. Këto janë për të, për atë që ka zero vizion. Nuk ke dalë ndonjëherë më bukur, duke patur këtë platformë si gjethe fiku, më cullak se sot. Rruga para së gjithash është vizion dhe më mirë nga të gjithë këtë e dinë sot të gjithë ata që vijnë nga Gjirokastra në Tiranë për 2 orë e gjysmë në një kohë kur përpara vinin për 6 orë, e dinë vlonjatët që vijnë sot për një orë e gjysmë në një kohë kur përpara u shkonte mbi tre orë. E dinë sarandiotët që vijnë sot në Tiranë për tre orë në një kohë kur përpara u duheshin tetë orë. E dinë shëngjergjasit kur për të ardhur në Tiranë, për të sjellë ato pak prodhime ngriheshin në 4 të mëngjesit për të kapur tregun e Tiranës kurse sot vijnë për gjysmë ore, bënin katër orë rrugë më parë. E dinë edhe fshatarët e Divjakës me rrugën Divjakë-Pushimi i Shoferit, mbi 30 e ca km rrugë, rrugë të standardeve shumë të mira, që partia kanabiste i ktheu në pista avioni për drogën. E dinë të gjithë ata, të cilët njohin fjalën zhvillim, si fshatarët e Cakranit që u duhej një orë për të ardhur në Fier kurse sot u duhet çerek ore, për 20 min. E dinë qytetarët e Korçës që nuk shkonin në Pogradec sepse rruga ishte si ishte kurse tani shkojnë për çerek ore. Rruga ra, o elif matrak, nuk është vetëm para, projekt dhe buldozier. Rruga është koncept themelor zhvillimi. Pikërisht ajo që të mungon ty, pikërisht ajo që s’ke idenë se çfarë është. Fole për borxhin. Je regjistruar në Guniess si njeriu që i premtove shqiptarëve që kur do të vije në pushtet do t’i imponoje bankës të llogariste borxhin si përqindje të GDP-së. Është njëlloj si të thotë një mësues se do i mësojë nxënësit e klasës së parë se germa A është germa e parë e alfabetit.
Tani na mbush mendjen se ka rënë borxhi. Gënjen veten, por jo ne. Dje kryebankieri i vendit tha se rritja do të ulet pak, se nuk është ajo që kishim parashikuar. Mirëpo problemi është se ti nuk di ça lidhje ka borxhi me rritjen ekonomike. Ti nuk di se një rritje ekonomike dy herë mbi parashikimin ndjek një ulje të madhe të borxhit. Je i shkretë dhe i ngratë në koncepte. Një ditë në Vlorë, ngaqë i ka ngel Lungomare përgjysmë, u thotë vlonjatëve se do të ndërtonte korridorin Vlorë-Himarë. Mendova se ndoshta kishte parashikuar ndonjë tunel në Llogara. Kur marr vesh se ishte korridori i rrugës së Kuçit me 10 mln dollarë, rrugë të cilën për hir të vërtetës e kemi projektuar ne dhe do e ndërtonim. Kishim ecur me financimin dhe do e ndërtonim. E para, për të lehtësuar pak rrugën e Bregut dhe e dyta, do të merrnim ujin e Kuçit për Himarën dhe banorëve të Kuçit do i ofronim diçka. Këto ishin arsyet pse ne do e ndërtonim rrugën që ky e quan korridor. E dëgjuat që tha se ka ndërtuar 24 rrugë. 1 km të vetëm s’është në gjendje të tregojë. A nuk u zotua para shqiptarëve për rrugën e Arbërit? Janë ndërtuar 34 km dhe kanë ngelur 27 km, e pranoj këtu që njëri segment është më i vështiri, ai i Qafë Murrizit. Për këtë që nuk e konsideron rrugën vetëm projekt, kompani e ryshfet, kjo është rruga e dytë e kombit. Kjo rrugë afron Tiranën me Shkupin 104 km. Edhe zonat e verilindjes, Bulqizën me Peshkopinë i afron dhe i bën të baraslarguara nga Tirana. Po ja ky është vizioni i tij. Vizioni i ryshfetit, xhepit. Por rruga është interes kombëtar. Kur ndërtonim rrugën e kombit, nxori deputetët të bënin grevën në tunelin e Kalimashit. I nxorën mirditorët me hunj. Pastaj nxori teorinë e rrugës së asgjëkundit. Ky nuk kupton se rrugët nuk fillojnë dhe mbarojnë menjëherë. Sigurisht që kam lënë 100 rrugë, por të kisha fituar zgjedhjet do të vazhdoja t’i ndërtoja, erdhe ti vazhdo ndërtoji. Ose ki burrërinë dhe thuaj që s’i ndërtoj se nuk janë ekonomike. Po që të gjitha janë ekonomike. Përndryshe do të mbledhësh gjithë vendin në Tiranë, por ky është antizhvillim nuk është zhvillim.”
Rama protektori i krimit në Shqipëri
Tani kam disa gjëra të tjera të rëndësishme për të thënë. Këtu në Parlament, në media dhe kudo je zotuar se në grupin tënd parlamentar nuk ka asnjë kriminel. Ti ose nuk i dëgjon se ç’ndodh, ose nuk ke konceptin se ç’është krimi, ose ti i quan krime të dobishme këto, në traditën atërore. Kur deputetë të opozitës kanë nxjerrë këtu gazetën e Brukselit dhe kanë faktuar se Mark Frroku ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për 11 vite, ai jo vetëm kërcënoi këtu si kriminel,por dhe u mbrojt nga ana jote. Çfarë u thua ti shqiptarëve kur ai dje pranoi gjykim të shkurtuar për vrasjen që ka bërë në Bruksel? Dhe del këtu prapë. A nuk ishte në listë pas Mark Frrokut për t’u futur i vëllai, Arben Frroku?
Më datën 6 mars të erdhi njoftimi në Interpol, ai është arrestuar më 6 mars dhe këtu erdhi kërkesa. Iku marsi, iku prilli ju të gjallë nuk bëheni dot, përkundrazi, informacionet janë se ju dërguat gjurmë të prishura. Për këtë, unë i kërkoj Komisionit të Sigurisë ta verifikojë sepse ky është një informacion që vjen direkt nga Interpoli. A është kjo një lidhje me ty apo nuk është, me njeri tjetër mbi tokë përveçse me ty nuk është. Dhe i thua pastaj “e nderuar zonjë Tabaku mos m’u drejto me ‘ti’”. Po edhe më duhet të të thonë ty, edhe i-në duhet me e heq me gjithë këtë molepsje që ke me krimin. Duhet t’i thuash faleminderit madje që s’po të thotë ndryshe. A nuk të ka dërguar mesazh rektori Kule dhe të tha që e ka kërcënuar banda e Shullazit? Unë po them atë që kanë thënë mediat. Dhe hetimet dhe mediat kanë faktuar se ata kanë njoftuar dy orë para Saje Qorrin dhe Edvin Shullazin. Asgjë s’ndodhi me të.
Mili i Partisë me një bandë rreth 40 vetësh, të armatosur me të gjitha llojet e armëve, me policë duke ruajtur bandën, me 12 kamera në zonën ku banon. Që të gjitha këto sepse i duhesh Edvin Shullazit për t’i dërguar selame kryetarit të PD, që të gjitha sepse ai me klanin e tij derdh shuma të mëdha parash në arkat e tyre. Ndodhi një vrasje para dy netësh. Më dëgjoni t’ju lexoj një info të fundit.
Domar Konjari, ai supertrafikanti që u bë problem me Francën, pasaportën e tij me identitet tjetër të Arben Laze, në tetor të 2015 ja ka bërë shefi i Komisariatit nr. 3 Elton Allushi, me porosi të lidhjes së ngushtë të Saje Qorrit, Besmir Qebinit, që është njëkohësisht lidhje e denoncuar e Shullazit. Ky zotëri e mori praktikën dorazi për Domarin, me insistimin e Milit të Partisë. Të dy këta janë nga Tepelena, edhe Qebini dhe Eltoni, dhe janë shokë të ngushtë. Alban Trimi, ai që u gjet aty në vend të vrasjes, është oficer policie, mik i ngushtë i Besmir Qebinit dhe ky i fundit ka prezantuar Alban Trimin dhe Çiçon. Eltoni ka bërë trafik droge me kushërinjtë e Besmirit, që janë pjesëtarë të grupit të Eltonit. Besmiri ka prezantuar Eltonin me Emiljanon nëpërmjet Alban Trimit dhe i mbante kontaktet. Saje Qorri çdo kontakt me bandat e mbante nëpërmjet Besmirit.
Këtë e lexova për të treguar shkallën e tmerrshme të inkriminimit të zyrtarëve të lartë të policisë. A e dini ju kush i prishi provat e Çollakut që u vra në Durrës? Provat i prishi prokurori që po hetonte me një zyrtar të lartë të policisë, Ardian Çipën. Çipa është një nga miqtë më të ngushtë të Genc Xhixhës. Ardian Çipa e ka marrë Xhixhën, ditën e operacionit, tek rrethrrotullimi te “Shqiponja” në makinën e tij dhe e ka përcjellë jashtë. Ardian Çipa, që mbahet për disa arsye të veçanta aty, është takuar gjerësisht në Holandë dhe në Kubë nga Genc Xhixha.
Pra, i solla këto për të shprehur dhe një herë denoncimin tim më të madh, indinjatën e thellë ndaj kësaj situate katastrofale, ku ju personalisht si kryetar i tyre, pra si një kryekriminel, ke katandisur vendin në një situatë të atillë që s’ka qenë kurrë. Unë ftoj shqiptarët që të mendojnë për një moment për të ardhmen e tyre dhe rruga e vetme për të patur një copë të ardhme në këtë vend është të përzenë nga pushteti me të gjitha mjetet demokratike të mosbindjes civile, njeriun që po vret çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë të ardhmen e tyre.
Ndërsa në replikë ndaj Taulant Ballës, që shumica në grupin parlamentar të PS e thërrasin “zari dhe zagari i Ramës”, Berisha i kujtoi se është tepër i inkriminuar për të qenë në parlament dhe për të përfaqësuar më tej popullin e Librazhdit.“I ke marrë gjithë ato dënime në gjykatë si shpifës ordiner, jo një, por disa. Ti që citon vrasës këtu more i mjerë je i sojit të tyre, vrasës nuk je, por je një trafikant ordiner, je i akuzuar me dokument zyrtar për përdhunues, ke përdhunuar një të sëmurë. Po s’ke fytyrë, se po të kesh fytyrë e mbyll gojën… dhe qesh. Je i akuzuar se i ke çuar para me shoferin tënd. Shoferin tënd e arrestuan me një supertrafikant në Qafë Botë. Je i akuzuar se me Qosen kaloje kufirin. Je i akuzuar se me klanin Hoxha je i lidhur me klanin e trafiqeve. Me Hoxhajt e Librazhdit, je i akuzuar me fakte e dokumente.”
Berisha: Ramën nuk e lë Surreli të votojë reformën në drejtësi
Gjatë replikave në parlament me kryeministrin Rama, Berisha fajësoi Ramën për dështimin e takimeve të grupeve parlamentare më ambasadorët e SHBA dhe BE mbi reformën në drejtësi. Arsyen e vërtetë të anullimit të këtyre takimeve të parashikuara të mbaheshin ditën e djeshme me tre grupet e mëdha parlamentare, Berisha e gjën tek mungesa e vullnetit të kryeministrit Rama për të votuar reformën në drejtësi, pasi drejtësia e pavarur dhe institucionet e pavarura ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin e kryeministrit dhe bandës së tij që qeveris sot vendin.
“Pra, foli për reformën. Po një pyetje po ja shtroj: pse e anuloi atë mbledhjen e grupit të tij parlamentar që kishte me ambasadorët? Se si kanë qenë të skeduluara mbledhjet atë e kam nga burimi zyrtar: e para do tëbëhej me PS, e dyta me PD, e treta me LSI. Çfarë ju gjeti ju që e shtytë? Ju kapi barku gjë? Të besosh ti se e lë Surreli atë të bëjë reformën, do të besosh se rrethi është katror, do të besosh se në Shqipëri kanë zbritur eskimezë. Pra, përpiqet me një ftesë falso.”
Lidhur me informacionet e shumta që ish- kryeministri Berisha ndan me shqiptarët për fakte të shumta që implikojnë Ramën dhe shpurën e tij në krime dhe korrupsion, ai tha se komunikimet e tij të hapura kanë sjellë një presion të pazakontë të publikut mbi qeverinë e implikuar në krime dhe korrupsion. “Për qytetarin dixhital dua t’i them: Zoti Rama, qytetari dixhital është institucioni dixhital i informacionit të qytetarëve. Unë e kuptoj që të ka futur ymrin dhe lepurin në bark. Po pse? Sepse qytetari dixhital njoftoi shqiptarët për Riformaton tënd dhe kur doli Riformato ti e quajte pak a shumë një komplot të Berishës me Berlusconin. Qytetari dixhital të është futur thellë në bark dhe po të tmerron sepse, siç e di ti, ai informoi shqiptarët se si ti shkatërrove zgjedhjet me instruksionet që jepje në Shkodër, informoi me zë, ndërsa figurën nuk ta dhashë për të të ruajtur privatësinë. Qytetari dixhital të ka futur tmerrin dhe ferrin, sepse Shullazin tënd, Milin e Partisë, për shkak të opinionit u detyrove ta çojë atje ku është sot. Qytetari dixhital të ka kallur datën, sepse Arben Frrokut, të cilit i dërgove, pas arrestimit në Holandë zyrtarin e qeverisë tënde për t’ja lehtësuar dhe vajisur situatën.”
Berisha tha se qeveria është e dështuar për të kufizuar internetin për shqiptarët, pavarësisht përpjekjeve të fundit për të rikthyer censurën dhe mbyllur kanalet e komunikimit dixhital. “Qytetarin dixhital nuk e censuron dot, ai do të jetë çdo ditë dhe më i pranishëm dhe më i fuqishëm. Ke futur kushërirën të bëjë ligjin për qytetarin dixhital. Harroje se njeh ligj dhe kufi qytetari dixhital, ti vetëm sa e ndez dhe më shumë dhe bëhesh qesharak sa më nuk ke ku të shkosh më tutje. Ndaj dhe më erdhi mirë që patën rastin shqiptarët për të dëgjuar se çfarë mufkash, gënjeshtrash e banalitetesh, se sa i lashtë je, sa jeshil je në njohuri. Merru më mirë me shkarravinat e tua se në mënyrë absolute nuk t’i blen njeri.”
Fideli rivishet si badigard i Ramës
Në përgjigje të ndërhyrjes se deputetit Fidel Ylli, Berisha shprehet Me atë që iu bërë gazetarëve ti Fidel, të paktën për dy muaj duhet të zhdukesh nga Parlamenti e mos të dalësh para kamerave sepse u ke bërë një besëprerje të turpshme atyre që s’ua ka bërë kush kurrë në histori. Përse nuk iu ktheve përgjigje atyre? E ke bërë ftesën në emision te “Të paekspozuarit”. Do ta sjell në Parlament emisionin. Ndaj bërtet. Ty të akuzoi e gjithë media pse nuk dole të thoshe jo? Kur të them unë, të kap tmerri i këtij (Ramës) dhe do të mohosh, ndërsa kur të thonë mediat s’pyet fare. U ktheve prapë në badiguard. E ke lënë atë detyrë me kohë ti, ke qenë i Leka Meksit, nuk je më, je deputet.