Adam Withnal
Donald Trump pritet të firmosë urdhra të tjerë ekzekutivë gjatë kësaj jave për të ndaluar refugjatët nga Siria dhe emigrantët myslimanë që të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ai urdhëroi gjithashtu ndërtimin e murit të famshëm përgjatë kufirit me Meksikës ditën e mërkurë.
Presidenti po përgatitet të kufizojë aksesin brenda Amerikës për emigrantët, refugjatët dhe disa persona të pajisur me viza nga Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni, siç raporton “Reuters”, duke cituar burime të brendshëm të administratës së Trumpit. Ndërmjet kufizimeve të imponuara nga presidenti pritet të përfshihet një ndalesë disamujore në pranimin e emigrantëve nga të gjitha vendet, derisa Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut të finalizojnë procesin “ekstrem të verifikimit”.
Nihad Awad, drejtuesi ekzekutiv kombëtar në Këshillin Kombëtar të Marrëdhënieve amerikano-islamike, i kritikoi raportimet e para në media në lidhje me urdhrat ekzekutivë të presidentit Donald Trump. “Këto urdhra ekzekutivë nuk do ta bëjnë vendin tonë më të sigurtë nga terrorizmi”, u shpreh ai në një postim në Twitter, “por do ta bëjnë atë më të frikësuar dhe më pak mikpritës”.
Përveç ndalimit të emigrantëve dhe refugjatëve, presidenti do të nisë të firmosë akte ekzekutive që përfshijnë përgatitjen për ndërtimin e murit të famshëm përgjatë kufirit të Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me disa plane të tjera përforcuese, sipas dy zyrtarëve të administratës Trump, të cilët folën me “Associated Press” lidhur me këtë çështje kaq shumë të diskutuar gjatë ditëve të fundit.
Përgjatë gjithë fushatës së tij, Donald Trump është zotuar se do të egërsonte shumë politikat e emigracionit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe një ndalim të plotë të emigrantëve myslimanë që tentojnë të hyjnë brenda kufirit. Ai ka premtuar gjithashtu se do të ngushtojë shumë edhe sigurinë kufitare duke ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe do të detyrojë qeverinë meksikane ta paguajë atë.
Premtimi u kthye shumë shpejt në një nga politikat e para të presidentit Trump dhe marka dalluese e fushatës së tij fituese. Ai u duk më pas e zbuti disi qëndrimin kundrejt të dy politikave, edhe pse premtoi se do të implementonte një proces ekstrem verifikimi për emigrantët që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme.
Me të ardhur janari dhe inaugurimi zyrtar i presidentit të ri, ekipi i tij ka nisur t’i kërkojë Kongresit që të miratojë financimin e murit përmes buxhetit të posaçëm të vendit. Të mërkurën pasdite, presidenti vizitoi Departamentin e Sigurisë së Atdheut për të udhëzuar agjencinë në lidhje me nisjen e ndërtimit të murit dhe riparimin e gardhit ekzistues përgjatë kufirit. Urdhri ekzekutiv i firmosur nga presidenti pritet të rrisë edhe stafin që shërben në Agjencinë e Mbrojtjes së Doganave dhe Kufijve duke punësuar edhe 5 mijë punonjës të tjerë shtesë.
Një tjetër urdhër ekzekutiv pritet të vendosë nën shënjestër qytetet ku qeveritë lokale refuzojnë të dorëzojnë emigrantët pa dokumente tek autoritetet federale. “CNN” raporton se do të trefishojë burimet njerëzore për Doganat dhe Emigracionin dhe të udhëzojë federalët të identifikojnë emigrantët e jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sean Spicer, tha për reporterët në fillim të javës se, presidenti Trump do të ketë si prioritet politikën e emigracionit gjatë javëve në vazhdim. “E rëndësishme është se presidenti e ka bërë shumë të qartë se duhet të udhëzojmë agjencitë të përqendrohen tek të gjithë individët që jetojnë në mënyrë të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë precedentë kriminalë apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e popullit amerikan”, tha ai gjatë konferencës për shtyp. “Këto do të jenë prioritetet e periudhës afatshkurtër të administratës”.