Vendimin e Gjykatës së Apelit, që lë në arrest shtëpie dhëndrin e Sali Berishës, e ka komentuar në një postim në rrjetin social facebook gazetari Namir Lapardhaja.
Lapardhaja shprehet se vendimet e Apelit janë të padiskutueshme, por i njëjti standard duhet të ndiqet edhe nga Berisha në raste të tjera, si në rastin e Zhukrit dhe rrëzimin e tij nga Gjykata e Apelit, çka bën nul çdo vendim dhe veprim të Rithemelimit.
“Apeli është më lart se Shkalla e Parë, edhe kur bëhet fjalë për Malltezin, që e lë në arrest shtëpie, edhe kur bëhet fjalë për vendimin e Zhukrit, që e hedh në koshin e plehrave dhe bën nul gjithçka ka ndërmarrë ligjërisht Rithemelimi.” – shkruan ai.
“Me këtë vendim të sotëm, – vijon më tej Lapardhaja, – prishet “skema” e Berishës që Gjykata është në shërbim të Edi Ramës… Ja, pra, që s’qenka… Ose është në shërbim të Ramës dhe Rama po të bën shërbimin e radhës, duke të amnistuar dhëndrin, sepse i duhesh në lojë për të të treguar me gisht. Pra, ju paska marrë peng si familje.”
Postimi i plotë i gazetarit Namir Lapardhaja:
“Vendimet e gjykatave nuk diskutohen.
Aq më shumë kur bëhet fjalë për vendime të Gjykatës së Apelit.
Kjo vlen në të gjitha rastet dhe jo sipas interesit politik, momental dhe vetjak. Prokuroria ngre akuza, avokatia mbron të akuzuarin, gjykata i vërteton ose i rrëzon. Gjykata është mbi palët dhe jo me palët.
Kjo vërteton se nuk ka asnjë sulm politik nga sistemi, mirëpo ka një hetim që mund të finalizohet, por edhe mund të rrëzohet.
Kjo është e mira e demokracisë, në dallim nga diktatura.
Ajo që është e papranueshme është të sulmosh prokurorinë dhe gjykatën mëngjes e mbrëmje, të shantazhosh prokurorë dhe gjykatës, duke u fshehur pas siglave partiake dhe pas militantëve, duke e shndërruar selinë në bunker prej nga lëshon përditë breshërinë e shpifjeve dhe të sharjeve, pa u ndalur dhe pa pasur asnjë skrupull.
Apo t’i fshihesh vendimit duke mos u paraqitur në Gjykatë, por duke vajtur e duke i vënë flakën Parlamentit, me shpresën se zjarri do djegë akuzën e Prokurorisë së Posaçme.
Apeli është më lart se Shkalla e Parë, edhe kur bëhet fjalë për Malltezin, që e lë në arrest shtëpie, edhe kur bëhet fjalë për vendimin e Zhukrit, që e hedh në koshin e plehrave dhe bën nul gjithçka ka ndërmarrë ligjërisht Rithemelimi.
Se me këtë vendim të sotëm prishet “skema” e Berishës që Gjykata është në shërbim të Edi Ramës.
Ja, pra, që s’qenka.
Ose është në shërbim të Ramës dhe Rama po të bën shërbimin e radhës, duke të amnistuar dhëndrin, sepse i duhesh në lojë për të të treguar me gisht. Pra, ju paska marrë peng si familje.
Askush prej magjistratëve të Apelit që kanë bërë një hok shkollë nuk do t’ia lejonte vetes të keqpërdorej nga politika.
Sidomos pas Reformës në Drejtësi që kanë më shumë pavarësi dhe kushte më të mira ekonomike.
Ndaj çdo sulm që Sali Berisha lëshon përditë ndaj sistemit të drejtësisë duhet t’i përdoret kundër në gjykatë.”