Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Presidenti Bujar Nishani ka komentuar në një shënim në faqen e tij në Facebook vendimin e Hollandes për të vendosur vizat për shqiptarët.
“Përgjatë dy vitesh autoritetet holandeze vijuan të ngrinin dhe drejtonin shqetësimin e tyre”.
“Jo vetëm që nuk u përgjigjej askush shqetësimit të tyre por sponsorizohej një propagandë për fshehjen e të keqes, mashtrimit, nderimit për maskën, mohimit të problemit!”, shkruan Nishani
“Sot, vijon ai, pas dy vitesh paralajmërimesh, shqetësimesh dhe pajtimesh me të keqen, rreziku u bë fakt”.
Parlamenti holandez (përfaqësuesit direkt të qytetarëve të tyre) votoi për rikthimin e vizave për shqiptarët.
“Zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët është në Tiranë, jo Amsterdam, Bruksel apo Berlin, shkruan kreu i Këshillit Kombëtar të PD në shenimin e tij.
Postimi i plotë
Afërsisht dy vite më parë kam shprehur publikisht shqetësimin tim qytetar për rrezikun e penalizimit të qytetarëve shqiptarë mbi mundësinë e tyre të fituar për të lëvizur pa viza në Evropë.
Në atë kohë, pra dy vite më parë ishin pikërisht autoritetet holandeze që ngritën shqetësimin e madh mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri dhe lëshuan paralajmërimin për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Qeveritarët spekulantë dhe përgjegjës të krijimit të këtij rreziku real për shqiptarët agresuan këtë të vërtetë të hidhur me propagandën e tyre mediatike duke na akuzuar si “gjinkalla të gushtit” !!!
Deri këtu nuk kishte ndonjë risi.
Këtë sharlatanizëm e kishim dëgjuar edhe kur thanë se avionët e drogës ishin spërkatës kundër mushkonjave !!!!
Edhe kur thonin që kemi shkatërruar 99% të kanabisit teksa çdo javë sekuestroheshin 5-6 ton të tillë në brigjet e Italisë.
Edhe tek thonin se ishin krenar me trafikantët dhe përdhunuesit që kishin futur në Parlament dhe bashkitë e vendit, etj., etj.
Përgjatë dy vitesh autoritetet holandeze vijuan të ngrinin dhe drejtonin shqetësimin e tyre.
Jo vetëm që nuk u përgjigjej askush shqetësimit të tyre por sponsorizohej një propagandë për fshehjen e të keqes, mashtrimit, nderimit për maskën, mohimit të problemit !
Sot, pas dy vitesh paralajmërimesh, shqetësimesh dhe pajtimesh me të keqen, rreziku u bë fakt.
Parlamenti holandez (përfaqësuesit direkt të qytetarëve të tyre) votoi për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Nëse sot pas afro dy vitesh do të përdorja të njëjtin nivel e kút të atyre që na quanin “gjinkalla” do tu thosha ; “ shikoni seç ju bëtë shqiptarëve o korba të zinj” !
Por edhe sot don kishotët vrapuan të na thonë se : “është luftë politike në Holandë”, por nuk e vazhdojnë dot butaforinë e tyre e të na thonë pse vetëm për Shqipërinë ?
Pse jo edhe për maqedonasit, malazezët, boshnjakët apo serbët, o të mjerë ?
Natyrisht që vendimi i marrë nuk i ndalon menjëherë shqiptarët të udhëtojnë pa viza.
Por mashtrimi, fshehja e problemit, avokatia e të keqes, përulja ndaj maskës, pajtimi me problemin përgjatë këtyre dy viteve të shurdhërisë ndaj të vërtetës na solli në faktin e kryer, të vendimit tashmë në Parlamentin e Holandës.
Ata që u investuan me të gjitha format e antivlerave janë padiskutim sot dëmtuesit real të interesave reale të qytetarëve shqiptarë.
Ata kanë kontribuar drejtpërsëdrejti në dëmin ndaj shqiptarëve.
Për fatin e keq të shqiptarëve spekulantët qeveritarë dhe avokatia e të keqes rreket të vijoj përsëri në rrugën e vet.
Nuk do të jetë aspak çudi që pikërisht nëse do të vijojë fshehja e të vërtetave, nderimi i maskës, avokatia e mashtrimit, bashkëpunimi me të keqen, pas një apo dy vitesh vendimi i votimit të Parlamentit të Holandës të kthehet në realitetin më të hidhur të qytetarëve shqiptarë.
Rradhët e gjata sporteleve të ambasadave në Tiranë, pa asnjë mundësi të garantuar të udhëtojnë për hallet apo gëzimet e tyre.
Zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët është në Tiranë, jo Amsterdam, Bruksel apo Berlin.
Le të zgjedhim !