Vendimi i Kushtetueses, a do të shkojë SPAK te politikanët që dalin te “Sky Ecc”?

Gjykata Kushtetuese mori një vendim tejet të rëndësishëm në fund të vitit 2024, duke legjitimuar përgjimet e SKY Ecc.

Pëllumb Gjoka (dhe shumë të tjerë të fshehur pas tij) kërkoi që të mos cilësohen si prova dosjet e marra nga autoritet belge, franceze apo holandeze. Mirëpo Kushtetuesja e rrëzoi kërkesën e tij, çka do të thotë se bisedat mund të jenë pjesë e dosjeve që dërgon SPAK në gjykatë.

Por tani pyetja që shtrohet është: A do të shkojë SPAK te politkanët që dalin aty?

Deri më tani, falë bisedave në “Sky Ecc”, janë goditur disa grupe kriminale në vend, ku më i fundit ishte klani i Suel Çelës. Por nga radhët e politikanëve, i vetmi i arrestuar është ish-deputeti Jurgis Çyrbja, i cili rezultoi se ishte pjesë e bandave në Shijak.

Por sipas informacioneve, në biseda dalin dhe shumë emra të tjerë. Ka pasur ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, gjyqtarë, prokurorë, biznesmenë, kryetarë bashkish dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm që kanë përdorur telefona të kriptuar. Në disa raste të tjera shumë emra përmenden nga të tretë, pra në bisedat që zhvillohen mes njerëzve të grupeve kriminale.

Edhe në rastin e Elbasanit, dyshohet se ka pasur njerëz të politikës që dilnin në bideda, por SPAK e ka ndarë dosjen. E njëjta gjë dhe në disa raste të tjera. Madje kohët fundit thuhet se janë mbi 100 njerëz të drejtësisë dhe policisë që rrezikojnë prangat për shkak të Sky Ecc. Mbetet të shihet nëse prokurorët do godasin nivelet më të larta dhe të nxjerrin “lakuriq” politikanët që bashkëpunojnë me bandat.

Exit mobile version