Vendimi i qeverisë “Rama”, për importimin e lëndëve radioaktive

Neni 48 i ligjit të miratuar në shtator për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane shprehet qartë se në territorin e Shqipërisë ndalohet transiti i mbetjeve të rrezikshme, eksporti apo importi i tyre. Por, paralel me këtë Edi Rama ka miratuar po më 21 shtator 2016 një vendim qeverie këtë herë, i cili flet për eksportin, importin apo lejimin transit të të njëjtave produkte, por emër tjetër, kimikateve të rrezikshme. Pra, nëse e ndalon ligji nuk e ndalon qeveria, e cila përdor forcën e saj ligjore për të marrë vendime, në lidhje me këtë çështje. Me pak fjalë, ato që nuk lejohen të futen si mbetje kimike në Shqipëri, lejohen të futen si “lëndë kimike”, por në fakt dallimi nuk është shumë i madh mes tyre. Dëmi është katastrofal në të dyja rastet. Shqipëria nuk ka fabrika dhe uzina që punojnë me lëndë radioaktive. Atëherë për çfarë i duhet një vendim i tillë qeverisë dhe përse e gjithë kjo përkujdesje për lëndët e rrezikshme?

Denoncimi

Portali “syri.net” shkruan se ka qenë data 21 shtator, (kohë kur përkon me zhdukjen e kontenierëve) kur me anë të një vendimi qeverie Rama do i hapte rrugë lëndëve kimike të rrezikshme në vend. Ja çfarë shkruan portali në shkrimin e djeshëm: “Zbardhet vendimi i fshehtë i qeverisë për importin dhe transitin e lëndëve kimike dhe radioaktive. Si shumë VKM të tjera, edhe kjo që është firmosur në fund të muajit shtator të vitit 2016 (periudhë që përkon me dyshimet e zhdukjes së kotenierëve shumë të përfolur) është marrë pa diskutime dhe pa praninë e gjithë ministrave në mbledhje. Ai ka firmosur një vendim qeverie, pikërisht për ‘Lëndët e rrezikshme kimike’, duke dhënë kështu visto dhe ligjshmëri për importin dhe kalimin e tyre transit në vendin tonë. “Syri.net” ka mundur të sigurojë vendimin e plotë të qeverisë, i mbajtur i fshehtë për publikun dhe shoqatat e ambientalistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për VKM e datës 21 shtator të vitit 2016, ‘Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme’. Materiali i firmosur nga kryeministri Rama është tejet i gjatë dhe mjaft i koklavitur, mes kapitujsh e pikash, konventash ndërkombëtare etj. Por ajo që mund të lexohet qartë është, se vendi ynë për herë të parë lejon importin dhe eksportin e lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme të të gjitha llojeve. Gjithashtu në këtë vendim qeverie, i hapet rrugë edhe kthimit të vendit tonë si vend transit, për këto lëndë të rrezikshme. Pikërisht me ‘lojën e transitit’, mediat italiane kanë ngritur ditët e fundit dyshime dhe akuza, se ekomafia italiane ka groposur në vendin tonë gjatë fundvitit të shkuar më shumë se 1300 kontenierë të mbushur me lëndë të rrezikshme kimike”, shkruan portali.

Ligji që hap rrugën

Pra, çfarë po ndodh. Nga një anë ligji ndalon importin e çdo mbetje kimike të rrezikshme dhe në anën tjetër kemi një vendim qeverie, i cili i lejon. Por jo vetëm kaq. Edi Rama i ka hapur rrugën eksportit dhe importit të mbetjeve kimike, shumë më herët se të bëhej zhurma për importin e plehrave. Në mars të vitit të shkuar, u hartua një ligj, i cili lejonte për herë të parë importin, eksportin dhe transitin e lëndëve kimike të rrezikshme nëpërmjet territorit tonë. Duhet të jemi të qartë, me mbetje të rrezikshme nuk nënkuptohen vetëm mbetjet radioaktive, por dhe vajrat e makinave, ilaçet e skaduara, të cilat kontaminojnë ambientin. Vetëm para disa kohësh, një emision investigativ do të zbulonte tonelata ilaçe të groposura buzë një lumi në Tiranë, që i përkisnin mesit të viteve 1990-të. Denoncimi ishte bërë nga banorët, por askush s’dinte të thoshte se nga vinin. Ligji u kalua pa shumë zhurmë e bujë dhe u miratua nga votat e shumicës. Në nenin 38 të këtij ligji përcaktohen qartë dhe procedurat doganore që duhet të ndjekë kimikati para se të lejohet të hyjë në tokën shqiptare. “Përpara çlirimit për qarkullim të lirë (vendosjes në treg) të kimikatit të rrezikshëm, autoritetet doganore verifikojnë dokumentacionin shoqërues të kimikateve të rrezikshme, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij”, thotë neni 38, pika një e këtij ligji. Që në hyrje të tij ligji shprehet përveç të tjerave se ky ligj ka si qëllim: “Të sigurojë lëvizjen e lirë të kimikateve dhe mallrave të tjera, si dhe të rrisë konkurrencën dhe inovacionin”. Pra, duket se qeveria dhe mazhoranca që ajo kontrollon, i ka hapur me kohë rrugën kalimit të lëndëve të rrezikshme nëpërmjet territorit tonë. Se sa është shfrytëzuar kjo hapësirë ligjore nga mafia e mbetjeve të rrezikshme kjo mbetet për t’u parë. Pra, mbetjet kimike fare mirë kanë kaluar transit, duke hyrë si “lëndë kimike”. Kjo është fare e thjeshtë pasi nuk është hera e parë që në dogana kalojnë mallra, të cilat deklarohen ndryshe nga ato që thonë. Në rast se në doganat tona kalojnë drejt Italisë, me qindra e mijëra tonë drogë kanabis dhe ato i mbyllin të dyja sytë, atëherë përse do të duhet të habitemi aq shumë në rast se në vendin tonë kanë hyrë dhe janë zhdukur kontenierë dhe tonelata të tëra me mbetje të rrezikshme.

Sazan Guri: Ligji për lëndët kimike i pezulluar prej 15 vjetësh, Rama e riaktivizoi

Alarmin, se qeveria po e përdor vendimin e shtatorit për të futur lëndë të rrezikshme në vend e dha një ditë më parë dhe ambientalisti Sazan Guri. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai do të shprehej se, mbetet i dyshimtë fakti se përse duhej të aktivizohej sërish kjo procedurë, ndërkohë që kishte rreth 15 vjet që nuk aplikohej. Përderisa në Shqipëri nuk ka fabrika që punojnë me lëndë radioaktive, atëherë përse i duhet një ligj Shqipërisë për importin, eksportin apo transitin e saj, hedh dyshimet Guri. “Është një vendim i shtatorit 2016 që kujdeset, një VKM që bën fjalë se si bëhet i mundshëm transiti i mbetjeve radioaktive. Fakti është që aktivizohet ky lloj vendimi tani, ndërsa ka qenë i fjetur për 10 apo 15 vjet. Problemi është se ne, në Shqipëri nuk prodhojmë lëndë radioaktive, nuk kemi fabrika, uzina që prodhojnë lëndë radioaktive. Ky lloj kujdesi që të kalojë një vendim i tillë për mbetjet radioaktive me shpejtësi dhe fshehtësi, do të thotë që ti bëhesh objekt i një prurjeje të mundshme të lëndëve radioaktive, e cila do të shkojë nga një vend perëndimor në një vend lindor ose e kundërta. Mirëpo, duke qenë një vend me demokraci të ulët, me politika jo stabël, me ekonomi të dobët, me ligje mjedisore të dobëta, ne nuk jemi garant për transit mbetjesh radioaktive. Pra, lë dyshim shumë të madh sepse një transit i mbetjeve radioaktive është baras me një fabrikë radioaktive.
Në shtete të tjera kur ka kalime të tilla, ata bëjnë protesta, demonstrata sikur të ishte një fabrikë, sepse një aksident i një transiti në një vend si i joni, që nuk kemi rrugë dytësore, nuk kemi infrastrukturë, atëherë si mund të ndodhë një gjë e tillë?! Për çfarë mund të nevojiteshin vendime të tilla?”. Por ambientalisti shkon dhe më tej kur thotë, se dyshimet përforcohen dhe më shumë nga denoncimet e ushtarakëve shqiptarë, që shprehen se mbetjetet radioaktive janë groposur në malet e Pukës, Librazhdit apo Prrenjasit. “Ne nuk duhet të kemi fare një ligj për transit për mbetje radioaktive sepse nuk jemi shtet i gatitur për të pritur dhe përcjellë armë. Kjo është e para. Dyshimi tjetër është insistimi i pakuptimit për sjelljen e mbetjeve të importit. Ky insistim kur ne thoshim se ti ke 10-fishin e mbetjeve dhe nuk ke pse kërkon me kaq ngulm që të importojmë lëndë nga jashtë, nuk ke pse kërkon të bësh ligj, insistimi i tyre i pakuptimtë lë pak vend për dyshime kur dëgjon këto fakte. E treta është që, gazetat italiane, mediat italiane kanë muaj që ziejnë që kanë nisur 2400 kontenierë të futur në Portin e Durrësit dhe kanë dalë 1100 dhe 1300 kanë humbur. Ky është një dyshim shumë i rëndë. Edhe sikur të ishin me ushqime, sërish do të ishte e rrezikshme se mund të jetë prishur. E katërta është se të gjithë zërat e oficerëve, që nuk e tregojnë identitetin e tyre, mua më kanë thënë me dhjetëra prej tyre, se në tunelet e Pukës, tunelet e minierave të Librazhdit dhe të Prrenjasit janë mbushur plot me mbetje. Në Pukë ata kanë thënë që janë parë maune me simbolin e vdekjes që është shenja se janë lëndë të rrezikshme”, thotë Guri.

Sjella konfuze e Ramës dhe disa të vërteta rreth mbetjeve

Edi Rama deri më tani është sjellë në mënyrë konfuze, lidhur me zhdukjen e 1300 konteinerëve, lajm të cilin e denoncoi pak ditë më parë portali “Pianeta Italia”, dhe gazeta “Roma” e Italisë. Në fillim lëshoi mediat afër tij, të cilat u munduan të denigronin portalin. Më pas angazhoi konsullen tonë në Itali, për të shantazhuar mediat italiane që publikuan lajmin dhe më pas nxori doganat shqiptare, për të na treguar listat e hyrje-daljeve të konteinerëve drejt Maqedonisë. Por, pas mediave italiane, lajmit i bëri jehonë dhe “CNN” grek, duke përcaktuar dhe vendet ku mund të jenë groposur sipas tij konteinerët. “CNN” grek do të njoftonte jo vetëm se mbetjet janë në Shqipëri, por përcakton edhe 5 qytetet shqiptare se ku janë groposur këto mbetje të rrezikshme, të cilat kishin destinacion Maqedoninë. Televizioni shkruan se lëndët kimike që kanë ardhur nga Italia dyshohet të jenë groposur pikërisht në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Dibër. Prokuroria e Durrësit nisi fillimisht hetimet për këtë çështje dhe më pas ia kaloi për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në fakt pas bërjes pubklike të fakteve të reja, dyshimet janë të mëdha se kontenierët mund të jenë futur në 100 mënyra të tjera, pasi trafikantët e mbetjeve janë tepër të sofistikuar në këto punë, aq më shumë që ndihma që i ka dhënë Rama me vendimet e tij ka qenë jo e vogël. Në kohën kur diskutohej ligji për importin e plehrave, kryeministri do të ishte ndër më aktivët për ta miratuar. Nga trafiku i përgjithshëm i mbetjeve, mendohet se sigurohen rreth 22 miliardë euro në vit. Pjesa më e madhe e mbetjeve kontaminuese kanë si destinacion vendet e botës së tretë… Po Shqipëria do të jetë një prej tyre?

Zhdukja e 1300 kontenierëve, Guardia di Finanzia zbarkon në Shqipëri

Skandali me kontenierët e mbushur me tonelata mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë groposur në Shqipëri vijon të jetë në vëmendje të mediave dhe autoriteteve italiane. Gazeta italiane “Roma” shkruante dje se në Itali ka nisur një hetim i gjithanshëm për këtë çështje. Gazeta pohon gjithashtu që prokurori i Antimafias Franco Roberti ka urdhëruar një hetim të koordinuar për të ndjekur të gjitha aspektet kriminale të këtij biznesi ku është përfshirë mafia. 1300 kontenierë me mbetje që ishin nisur nga Italia me destinacion në Maqedoni për t’u përpunuar në Shkup në bazë të një marrëveshjeje, nuk arritën kurrë në pikën përfundimtare. Kontenierët do të kalonin transit në vendin tonë dhe sipas dokumenteve nuk kanë dalë më nga vendi ynë, duke ngjallur dyshime të arsyeshme se janë groposur këtu. Sipas gazetës “Roma”, në ambasadën e Italisë në Tiranë dhe atë në Shkup është shtuar prania e oficerëve të Guarda di Finanza, të cilët janë duke hetuar itinerarin e 1300 kontenierëve që kanë humbur rrugës. Të dhëna rreth hetimeve të tyre në Tiranë e Shkup nuk janë bërë publike. “Roma” shkruan se ka dyshime të forta që politika e Tiranës të ketë bashkëpunuar me trafikantët e mbetjeve në këtë veprimtari të paligjshme.

SYRI.net

Artikulli paraprakDyfishim pagave të mësuesve brenda mandatit të parë qeverisës
Artikulli tjetërKreu i Antimafias: Shqiptarët të dytët në botë për drogën