Ditën e enjte është shtyrë sërish masa për Sali Berishën. Si pasojë, shpallja e vendimit të GJKKO për ish-kryeministrin u vendos të jepet ditën e shtunë, datë 30 dhjetor, ora 12:00.
Gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se shtyrja e shpalljes së vendimit bëhet për t’i dhënë kohë avokatëve që kërkuan të njihen me regjistrimet audio dhe të procesverbaleve e seancave të fundit të zhvilluara në GJKKO.
Në një lidhje me Skype për “Tirana Life”, juristi Arbër Hoxhaj e konsideroi vendimin për Berishën të vonuar dhe që duhet të ishte marrë.
“Vendimmarrja e gjykatës duhet të ishte shpallur që ditën e djeshme, sepse kjo është një zvarritje për të vonuar procesin gjyqësor. Patjetër që vendimi do të shpallet brenda këtij viti, në fakt duhet të ishte shpallur, por e kanë lënë për ditën e shtunë në orë 12”.
Më tej, Hoxhaj u ndal te mënyra e zbatimit të masës nga Sali Berisha.
“Në qoftë se ai nuk është në ambientet e shtëpisë shoqërohet në ambientet e shtëpisë nga Policia e Shtetit. Më pas do të ketë një mbikqyerje të vazhdueshme në shtëpinë e tij, ose në ambientet që do të zgjedhë si shtëpi”.