Gjykata e Lartë pritet të shprehet me vendim më 12 qershor në lidhje me dosjen në ngarkim të ish-anëtares së kësaj trupe gjyqësore Majlinda Andrea, bashkëshortit të saj dhe tre të pandehurve të tjerë. Ditën e djeshme, pasi dhe mbrojtja dha konkluzionet e saj u mbyll shqyrtimi gjyqësor dhe të hënën e 12 qershorit pritet vendimi. Në fillim të majit, Prokuroria në pretencën e saj kërkoi të paktën 16 vite burg për të pandehurit e dosjes, ku përfshihet edhe ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea.
Prokurorët kërkuan 4 vite heqje lirie për ish-gjyqtaren Andrea si dhe 5 vite heqje të së drejtës për mbajtjen e funksioneve publike. Ndërsa për bashkëshortin e ish-gjyqtares, organi i akuzës kërkoi 5 vjet heqje lirie dhe 5 vjet heqje të së drejtës për ushtrimin e detyrave publike. Për tre të bashkëakuzuarit e tjerë të kësaj çështje, Prokuroria kërkoi përkatësisht: 4 vjet heqje lirie për Petraq Dashin, 2 vjet për Ilia Çabirin dhe 1 vit heqje lirie për Eleni Linon.
Gjithashtu në pretencën e Prokurorisë është kërkuar edhe konfiskimi i shumës prej 50 mijë euro, shumë të cilën tre personat: Dashi, Çabiri dhe Lino dyshohet se i kanë paguar në formë korruptive bashkëshortit të ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andreas, në mënyrë që kjo e fundit t’i favorizonte në një çështje pronësie në gjykim pranë Gjykatës së Lartë.