Vendimi për Tahirin, ambasada e SHBA e konsideron “çështje të rëndësishme korrupsioni”

Ka reaguar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara pas vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda për lënien në arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata.
Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.
Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve te Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Exit mobile version