Vendimi/ Sali Berisha mbetet non-grata në Angli, nuk i lejohet apelimi

Avokatët e zotit Berisha, kryetar i PD-së,  nuk janë pajtuar me vendimin e 17 Qershorit 2024 të SIAC “Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Çështje të Emigracioni”, komision i cili rrëzoi apelin e zotit Berisha.

SIAC e gjeti të drejtë vendimin e ish sekretares së shtetit Priti Patel marrë më 19 Korrik 2022, ku Sali Berishës i ndalohej hyrja në Britaninë e Madhe me argumentin se ai kishte lidhje  të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsion.

Dokumentet e Gjykatës së Apelit në Londër tregojnë se më 15 Gusht 2024 avokatët e zotit Berisha iu drejtuan kësaj gjykate për të marrë leje në apelimin e vendimit të SIAC.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ekskluzivisht disponon vendimin e marrë në 23 Tetor 2024 nga gjykatësja britanike e apelit Lady Justice Elisabeth Laing,  e cila refuzoi  kërkesën e zotit Berisha për të apeluar vendimin e SIAC.

E si pasojë ai vendim jo në favor të zotit Berisha mbetet në fuqi duke i ndaluar hyrjen në Britaninë e Madhe.

Avokatët e zotit Berisha kërkuan leje për të apeluar duke ngritur tre pretendime për shkelje të ligjit nga SIAC “Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Çështje të Emigracioni”.

1-SIAC gaboi në ushtrimin e diskrecionit të tij’ kur hodhi poshtë një kërkesë për zbulimin e çdo materiali që Sekretari i Shtetit kishte në datën e vendimit fillestar, kur tregoi se persona të tjerë përveç Apeluesit  kishin lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionit.

2-SIAC gaboi edhe në ushtrimin e diskrecionit të tij duke u shprehur se një letër e shkruar për avokatët e Apelantit, nga GLD e datës 8 mars 2024 nuk ishte vendim i ri i cili mund të kundërshtohej pasi nuk ishte marrë personalisht nga Sekretari i Shtetit.

3-SIAC kreu shkelje të  detyrës për të siguruar që anëtarët e tij të ishin të pavarur. Një prej anëtarëve të tij kishin “punuar ngushtë me Ministrinë e Brendshme për luftën kundër narkotikëve çështjet në hapësirën e politikës evropiane.

Gjykatësja britanike e apelit Lady Justice Elisabeth Laing, thotë se pikën 1 dhe 2 të kërkesës për apelim, nuk gjen asnjë shkelje ligjore nga SIAC.

Ajo jep një shpjegim të detajuar për pretendimin e tretë se SIAC shkeli pavarësinë e trupës gjykuese e për këtë fajëson avokatët e zotit Berisha.

Për herë të parë pretendimet për njëanshmëri në apel erdhën si të gjetura nga një kërkim në internet për karrierën e zotit Golland. Nuk tregohet kur është bërë ky kërkim. Një këshillues i përgjegjshëm duhet ta kishte bërë përpara datës  19 Mars 2024.

Kjo duhej ti ishte thënë SIAC e më pas SIAC të komentonte. Apeluesi nuk jep shpjegime se përse nuk iu dha mundësia SIAC të komentonte. Kjo më shkakton shqetësim pasi këshilluesit e apelantit në mënyrë të qëllimtë, nuk e ngritën këtë shqetësim në SIAC por e ruajtën për ta përdorur, në këtë aplikim në këtë gjykatë. Në tilla kushte unë nuk mund ti japë peshë pretendimit për anësi” shprehet në vendim gjykatësja britanike.

Në pikën 40 të vendimit gjykatësja Justice Elisabeth Laing mbërrin në përfundimin se “nuk ka arsye bindëse për të shqyrtuar apelin e propozuar”.

Ky vendim vulos njëherë e mirë betejën e humbur  juridike të zotit Berisha përballë vendimit të ndalimit të hyrjes në Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave të SPAK në dosjen Berisha për apelin e humbur në SIAC e bija Argita Berisha pagoi përmes transfertave bankare, kompaninë avokatore në Londër Zaiwalla & Co, një shumë prej rreth 400.000 euro.

Exit mobile version