Një provokim që mund të ketë pasoja jo të vogla, nëse Rama vendos t’i shkojë deri në fund. Dhënia e qytetar nderi të atentatorit të Azemit në Has është një akt i paprecedentë që kërkon të rindezë një konflikt të fortë jo vetëm politik.
Deputeti i PD, Flamur Noka ka denoncuar vendimin skandaloz siç e konsideroi ai, nga ana e Kryeministrit Edi Rama, dhënien e titullit “Qytetar Nderi” të Hasit, Gafurr Mazrekut – atentatorit të Azem Hajdarit. Noka i ka bërë thirrje Ramës ta tërheqë menjëherë këtë vendim.
Deklarata e plotë
Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
Partia Demokratike disponon propozimin që Kryetari i Bashkisë së Hasit i ka bërë Këshillit Bashkiak për të nderuar një vrasës si Gafurr Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.
Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet.
Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në Parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata.
Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i Saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar për të hënën, prandaj ne i bëjmë sot thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz që vret për herë të dytë Liderin e Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari.
Pesë atentatet ndaj Azem Hajdarit
Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga Lëvizja Studentore e deri më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ’92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek Rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Muzinës, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së Heroit të Demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”.
Kush ishte Azemi
Lindi më 11 mars 1963.
Ishte i martuar, me tre fëmijë: Kiriadi, Rudina dhe Azemi i vogël.
1993- Mbaroi studimet në degën Filozofi në Universitetin e Tiranës.
1995- Diplomohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës.
1993-1994, Studion gjuhën angleze dhe për filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
1996 – Diplomohet në studimet e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gramish të Gjermanisë, në Universitetet e Organizuara nga Organizata e Atlantikut të Veriut.
Aktiviteti Politik
Dhjetor 1990-shkurt 1991, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore që shembi diktaturën komuniste në Shqipëri.
Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike Shqiptare, partia e parë opozitare pas 50 vjet diktaturë.
1991-1993 Zv/kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së saj.
31 mars 1991, deputet i PDSH për Shkodrën.
22 mars 1992, deputet i PDSH për Shijakun.
26 maj 1996, deputet i PDSH për Bulqizën.
29 qershor 1997, deputet i PDSH për Tropojën.
1992-1996, Kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin Publik dhe SHIK.
Qershor 1997, Kryetar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen Kombëtare.
Prej vitit 1995 deri 1998, President i Klubit të Futbollit “Vllaznia” të Shkodrës.
President i Federatës shqiptare të Arteve Marciale shqiptare.
1990-1998, i bëhen 5 antentate, prej të cilëve dy spektakolare në Selinë e Parlamentit shqiptar në shtator të vitit ’97 dhe antentatit në Tropojë në qershor të vitit ’98.
12 shtator 1998, Azem Hajdari vritet nga njerëz me uniformë policie përpara selisë së Partisë Demokratike.