Venezuela përballet me ndërprerje të energjisë elektrike

Venezuela është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, bazuar në disa dëshmitarë, ndonëse Qeveria e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro ka fajësuar shumë shpejt një “neglizhencë” në një digë hidroeletrike që siguron pjesën më të madhe të energjisë në këtë vend.
Ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta në Venezuelë, vend në të cilin ekonomia është duke u përballur me inflacion tejet të lartë, si dhe ka zvogëlime të mëdha të ushqimit dhe ilaçeve.
Kritikët kanë thënë se korrupsioni dhe mungesa e investimeve kanë lënë këtë shtet pa sistem funksional të energjisë elektrike, derisa Maduro ka thënë se problemet janë krijuar me qëllim nga armiqtë politikë.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, rrugët janë mbushur me njerëz në Karakas. Shumë persona kanë thënë se do t’iu duhet të ecin në këmbë me orë të tëra, pasi sistemi i metrove nuk ka funksionuar dhe autobusët kanë qenë plot.
“Personi përgjegjës për këtë, quhet Nicolas Maduro”, ka thënë banori, Pedro Fernandez.
Situata në Venezuelë është tensionuar pasi lideri opozitar, Juan Guaido, është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe një varg i shteteve perëndimore si president i përkohshëm, derisa Mauduro që është betuar në mandatin e dytë muaj më parë, refuzon të largohet nga pushteti
Maduro është kritikuar për mënyrën si është zgjedhur president, si dhe për keqmenaxhimin e ekonomisë, që ka rezultuar me ikjen e miliona banorëve nga ky shtet.

Exit mobile version