Venger: Nuk flas për Murinjon

Arsene Venger lë mënjanë kontraditat me Jose Murinjon dhe përqendrohet vetëm te sfida ndaj Manchester United. Të shtunën trajneri francez do të ketë sërish përballë portugezin, por këtë herë jo më në stolin e Çelsit, por në atë të Manchester United. Në “Old Trafford” luhet një superpërballje pasi “Djajtë e kuq” presin Arsenalin në një klasike të futbolit anglez. Venger përtej polemikave me Murinjon gjatë viteve të fundit kërkon të largohet me tre pikë nga teatri i ëndrrave, kjo edhe për faktin se United në këtë sfidë do të jetë pa sulmuesin e saj kryesor Zlatan Ibrahimoviç, i cili është i skualifikuar.
“Mendoj se nuk është e nevojshme që unë t’iu përshkruaj ju gazetarëve, marrëdhëniet e mia me Murinjon përpara një sfide të tillë. Ai do të luftojë për skuadrën e tij dhe unë do të luftoj për skuadrën time, kjo është diçka mëse normale. Mungesa e Ibrahimoviç? Sigurisht që te United do të preferonin ta kishin Ibrën në dispozicion për këtë ndeshje, por mungesa e tij nuk është determinante pasi ata kanë lojtarë të tjerë shumë të mirë në repartin e avancuar si për shembull, Marcus Rashford, i cili bëri diferencën në një sfidë të tillë sezonin e kaluar. Ne duam të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në ‘Old Trafford’ dhe pse jo të largohemi nga aty me një rezultat të rëndësishëm”.
Ajo që e shqetëson më tepër trajnerin e Arsenalit përpara kësaj sfide është gjendja e sulmuesit kilian Alexis Sanchez, ndërsa Venger konfirmoi mungesat e dy lojtarëve spanjollë, mbrojtësit të krahut Hector Bellerin dhe mesfushorit Santi Cazorla.
“Nuk e di nëse Sanchez do të luajë apo jo. Ai ishte në dyshim edhe 24 orë përpara ndeshjes mes Kilit dhe Uruguay-it, por në atë sfidë u aktivizua. Do të vendos vetëm në çastet e fundit nëse Alexis do të jetë ose jo pjesë e kësaj sfide. Bellerin dhe Cazorla? Hector do të qëndrojë jashtë fushave për rreth 4 javë, ndërsa Cazorla nuk është riaftësuar ende nga dëmtimi dhe gjithashtu nuk do të jetë pjesë e sfidës ndaj United”.

Exit mobile version