Ventura: Ndaj Spanjës luajmë për fitore

“Do të shkojmë në Spanjë për të luajtur hapur dhe për të fituar, pasi është i vetmi rezultat që vlen”. Me këtë fjali ka nisur konferencën për shtyp trajneri i përfaqësueses italiane Gian Piero Ventura, që ndez këtë supersfidë të Grupit G për eleminatoret e botërorit Rusi 2018. Në grupin ku bën pjesë edhe përfaqësuesja jonë pritej që gara për vendin e parë të ishte midis dy superfuqive të kontinentit. Në “Bernabeu” mund të vendoset fati i kreut të grupit edhe pse deri në fund të këtyre eleminatoreve do të duhen edhe 3 ndeshje të tjera. Por nëse kjo sfidë do të shkojë në favor të iberikëve, atëherë gjasat që vendi i 3 të jetë për kuqezinjtë nuk është më utopi, sigurisht duke llogaritur që formacioni që do të drejtohet nga Panucci të dalë me sukses në sfidat ndaj Lihtenshteinit dhe Maqedonisë. Një humbje për Italinë e Venturës në “Bernabeu” të shtunën në mbrëmje, do të shohë një Itali të dorëzuar sidomos në sfidën e fundit të eliminatoreve që do të jetë pikërisht ndaj Kuqezinjve tanë. Megjithatë, trajneri i të kaltërve nuk dorëzohet dhe në konferencën për shtyp ka pranuar se fakti që duhet patjetër fitorja i jep më shumë stimuj skuadrës që ai drejton. Madje 69-vjeçari është i bindur se skuadra e tij mund të thyejë tersin 70-vjeçar, ku Italia nuk ka arritur asnjëherë të fitojë në tokën spanjolle.

Artikulli paraprak128 milionë euro kompanisë “guackë” për djegien e 800 ton plehrave në ditë në Tiranë
Artikulli tjetërLiverpooli shkatërron Arsenalin