Ventura: Nuk iki!

Mes lotësh, Gigi Buffon shprehu gjithë zhgënjimin e tij, për humbjen e mundësisë për të luajtur edhe një herë në kampionatin botëror. Portieri dhe kapiteni i Italisë njoftoi tërheqjen nga kombëtarja italiane, teksa tha se ndihet i qetë, sepse pasuesit e tij janë në lartësinë e duhur. “Po, kjo ishte ndeshja ime e fundit me kombëtaren. Doja të luaja edhe një botëror, por nuk ishte e thënë. Gjithsesi, largohem me pishmanin e botërorit, por me qetësinë se pasuesit e mi, Donnarumma dhe Perin, janë në lartësinë e duhur dhe do të më zëvendësojnë denjësisht”, tha portieri italian.
Por, mesa duket, krahas Buffonit, të tjerë futbollistë pritet të deklarojnë tërheqjen nga kombëtarja italiane dhe vetë kapiteni e konfirmon. “Krahas meje, besoj se ka përfunduar aventura në kombëtare edhe për lojtarë si De Rossi, Barzagli dhe Chiellini, gjithsesi nuk dua t’ju vjedh skenën dhe po e lemë ta konfirmojnë vetë”, tha tanimë ish-portieri i Italisë.
Si të mos mjaftonte mbetja jashtë botërorit, mediat italiane kanë veçuar një debat të mesfushorit Daniele De Rossi me stafin e Venturës, kur këta të fundit i kërkuan të futej në fushë, pak minuta nga fundi i sfidës me Suedinë. “Po ku të shkoj unë, nuk e kuptoni se na duhet të shënojmë gol dhe jo të mbajmë barazimin?”, iu hakërrye De Rossi njërit prej pjesëtarëve të stafit të Venturës.
Pas ndeshjes, kapiteni i Romës shpjegoi episodin për mediat, ndërsa tha se nuk kishte për qëllim të fyente njeri.
“Kam 20 vite eksperiencë në Koverçiano dhe e kuptoj mirë se çfarë duhej në ato momente. Doja të jepja një indikacion taktik dhe nuk doja të fyeja askënd. Më kërkuan të futesha unë, por na duhej goli dhe rekomandova menjëherë Insignen, sepse ai ishte më i vlefshëm sesa unë në ato momente. Unë doja të luaja, por më tepër doja të shënonim”, tha De Rossi.
Pas gati 2 orësh nga përfundimi i sfidës me Suedinë, Gian Piero Ventura është paraqitur në konferencën për shtyp, duke i kërkuar ndjesë gazetarëve për vonesën. Kur të gjithë prisnin dorëheqjen, trajneri i Italisë i ka zhgënjyer, teksa ka thënë se si fillim do të flasë me federatën. “Më falni për vonesën, por doja të përshëndesja lojtarët një nga një dhe t’i falënderoja për atë që dhanë në fushën e lojës. Dua t’i kërkoj ndjesë italianëve për rezultatin, por jo për impenjimin në fushën e lojës. Më vjen keq për rezultatin, që ishte dramatik nga ana sportive, por unë kam shumë vite në futboll dhe e kuptoj mirë këtë situatë. Nuk mund të dorëhiqem, sepse nuk kam folur ende me presidentin. Duhet të bisedojmë dhe të vlerësojmë shumë gjëra, ndërsa më pas do të vendosim”, tha Ventura.

Exit mobile version