Nuk ka qetësi për trajnerin e Italisë, Gianpiero Ventura. 68-vjeçari pasi humbi Andrea Barzaglin, i dëmtuar në shpatull në sfidën që Juventusi fitoi 2-1 në transfertë me Chievon, duhet të heqë dorë edhe nga Claudio Marchisio për ndeshjen me Lihtensteinin. Mesfushori bardhezi ka lënë qendrën e grumbullimit në Coverciano si masë paraprake për të shmangur ndonjë dëmtim më të rëndë në gju e për rrjedhojë nuk do të jetë as për miqësoren me Gjermaninë që do të zhvilllohet në “San Siro”. Për këtë arsye, Ventura ka thirrur në kombëtare Izzon e Genoas dhe Gagliardinin e Atalantës. Mesfushori i bergamaskëve ka qenë pjesë e listës paraprake të të kaltërve për finalet e Europianit, por nuk u përfshi nga Conte në 23-shen përfundimtare për zgjedhje teknike.
Për vendin e lënë bosh nga Barzagli është grumbulluar Davide Astori i Fiorentinës. Gjithsesi këto mungesë nuk mund të ndikojnë në objektivin që ka Italia për eliminatoren e radhës, pasi përballë do të ketë një skuadër modeste si Lihtensteini.